Home Aktualitet Amësia surrog...

Amësia surrogate, Gabriella Gambino: një “treg”, që duhet ndaluar urgjentisht

42
0

Zv. Sekretarja e Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën moderoi një takim mbi fenomenin e amësisë surrogate, në OKB-në e Gjenevës, kushtuar nevojës për një planifikim ndërkombëtar, që i mbron gratë dhe fëmijët nga të gjitha format e shfrytëzimit

Amësia surrogate është “shkelje e rëndë e dinjitetit dhe e të drejtave të grave e të fëmijëve”. Bashkësia ndërkombëtare “duhet të refletojë për urgjencën e ndalimit absolut” të kësaj praktike, siç kërkoi Papa Françesku në fjalimin para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, në janar të këtij viti. Në të gjithë botën po shtohet “konsensusi drejt gjykimit fortësisht negativ” për këtë praktikë, “madje, edhe duke u nisur nga qëndrime të ndryshme politike, etike dhe fetare”. Këto janë meditimet e propozuara nga Gabriella Gambino, zv.sekretare e Dikasterit vatikanas për Laikët, Familjet dhe Jetën, e cila moderoi takimin me temë “Me çfarë çmimi? Drejt ndalimit të amësisë surrogate: të parandalohet shfrytëzimi dhe kthimi i grave e fëmijëve në mall për treg”, organizuar nga Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë dhe nga Fondacioni “Caritas in Veritate”.

“Turizëm prokrijues”

Qëllimi i takimit, siç sqaroi moderatorja, ishte “reflektimi mbi urgjencën e reagimit ndërkombëtar për fenomenin e amësisë surrogate”. E vetëdijshme për faktin se “turizmi prokrijues”, i cili ka lindur nga mospërputhja e ligjit mbi amësinë surrogate në vende të ndryshme, “është ende shkak i shfrytëzimit transkombëtar të grave dhe fëmijëve përmes kësaj praktike”, për Gambinon, duhet “impenjim i përbashkët për të garantuar mbrojtjen universale të dinjitetit dhe të drejtave themelore të njeriut për subjektet e përfshira”.

E drejta për dinjitet

Zv.sekretarja vatikanase përmendi Deklaratën e fundit “Dignitas Infinita” të Dikasterit për Doktrinën e Fesë (prill 2024), ku nënvizohet se çdo fëmijë ka të drejtë “të ketë një origjinë plotësisht njerëzore dhe […] të marrë dhuratën e një jete, që vë në dukje dinjitetin e atij që jep e të atij që merr”. “Jo të gjitha mënyrat e lindjes së jetës janë të ligjshme – pohoi ajo. – Në kuadrin ngushtësisht juridik, nuk ekziston asnjë ‘e drejtë për të pasur fëmijë’, që mund të justifikojë çdo lloj praktike riprodhuese”. Më pas, Gabriella Gambino kujtoi problemet që lidhen me amësinë surrogate, nga “depersonalizimi dhe proceduralizimi i lindjes”, tek “komercializimi dhe shfrytëzimi i grave” nga njëra anë dhe, “kthimi i fëmijës thjesht në objekt, nga ana tjetër”. Gjithashtu, denoncoi ajo, kjo praktikë bëhet me kontratë, duke i shpërfytyruar marrëdhëniet njerëzore, gjë që ndikon përgjithmonë në identitetin dhe në jetën e subjekteve të përfshira.

Ndërhyrjet e tjera

Pas paraqitjes së Gambinos, e mori fjalën ministrja italiane për Familjen, Lindjen dhe Mundësitë e Barabarta, Eugenia Roccella, e cila shpjegoi legjislacionin italian për këtë temë. Më pas foli Olivia Maurel, zëdhënësja e Deklaratës së Kazablankës dhe drejtuese e fushatës për eliminimin universal të amësisë surrogate, filluar në Kentaki të SHBA-ve pikërisht nga një nënë surrogate. Ajo e analizoi temën nga pikëpamja e të drejtave të fëmijëve. Folësja e tretë, që e pa çështjen nga këndvështrimi i të drejtave të grave, ishte gazetarja dhe autorja Eva Maria Bachinger, bashkëthemeluese e nismës “Stop Surrogacy” në Vjenë, në vitin 2015, autore e tre librave me këtë temë. Së fundi, Bettina Roska, përgjegjëse ligjore e ADF International në Gjenevë, që e analizoi temën në përmasat e saj ligjore, duke paraqitur një panoramikë ligjore ndërkombëtare dhe duke theksuar sfidat në këtë drejtim.

R.SH. – Vatikan

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit