Home Aktualitet “Anonimi i Ve...

“Anonimi i Venedikut”, një dashuria që sfidon kohën për të mbetur sublime

90
0

Ka mbërritur në natën e saj të fundit, “Anonimi i Venedikut”, një komedi brilante shkruar nga romancieri e dramturgu italian Giuseppse Berto, nën drejtimin e një prej regjisorëve më të mirë shqiptarë, Hervin Çuli.

Teatri Kombëtar ka rrëmbyer interesin e publikut kryeqytetas dhe jo vetëm, në skenën e ArTurbinës duke i dhuruar një prej atyre emocioneve që sjell skena, atyre sublimiteteve që i mëkon shkasi dashuror i rikthyer në kohë dhe i mëkuar siç vetëm dashuria di dhe siç virtuozët e skenës munden.

Sonte në ora 20:00 kjo sfidë artistike përmbyll rrugëtimin e saj, në këtë përballje me publikun. Kjo romancë e jashtëzakonshme dashurie u bë pjesë e gjallë e përjetimit falë interpretimit të Hervin Çuli, Adelina Muça & Noha Çuli! Dy net të magjishme dhe sonte do të jetë e treta, për adhuruesit, ata që sjellin nevojën për t’u bërë pjesë e këtij komunikimi dhe kësaj mistikeje marrëdhënieje. Vijnë si spektator dhe si përjetues, jo kthehen pas në kohën e romancës, por të përthithin vibrimet e gjalla që ndizen në skenë dhe zbresin deri te ata që zgjodhën të bëhen pjesë e kësaj përvoje. Sepse ky është teatri, kjo është marrëdhënia, të tilla janë udhët që ndjek emocioni për të shkuar nga fjala te shpirti, nga shikimi te magjepsja, nga prekja te drithërima.

Për te gjithë ata që duan te përjetojnë emocione të papërsëritshme, që duan të qeshin dhe të qajnë, që dashurojnë por edhe urrejnë, ArTurbin i mundëson edhe sonte.

Siç dihet, vepra trajton historinë e një çifti të divorcuar që ritakohen pas tetë vjetësh dhe bëjnë një udhëtim në Venecia. Ata rikujtojnë kohët e kaluara ku zihen si gjithmonë, dashurohen si gjithmonë, por është personazhi kryesor i veprës, burri ai që e ka kërkuar këtë takim, sepse është duke vdekur. Ky është një rikthim i veprës në skenën shqiptare, pasi më herët është sjellë nga emra të mirënjohur të artit, si aktorët Luiza Xhuvani dhe Fatos Sela, dhe me skenografinë e Orion Shimës.

Regjia e kësaj vepre është e Hervin Çulit, i cili gjithashtu ka zgjedhur të aktrojë përkrah ish-partneres së tij në jetë, aktores Adelina Muça, me pjesëmarrjen edhe të vajzës së tyre, Noah. Një kombinim i talentit dhe emocioneve që do të sjellë një përvojë të veçantë për publikun e ArTurbinës!

Ende keni një mundësi për t’u bërë pjesë e kësaj magjie të teatrit.

Albert Vataj

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit