Home Aktualitet Bashkia Lezhë...

Bashkia Lezhë tashmë është më e përgatitur për të përballuar fatkeqësitë

158
0

Sot në Lezhë u organizua një ceremoni për dorëzimin e tridhjetë kompleteve profesionale me veshje dhe pajisje mbrojtëse personale për zjarrfikësit që operojnë në territorin e bashkisë. Këto pajisje sigurojnë mbrojtjen personale për zjarrfikësit gjatë operacioneve të ndërhyrjes për të shpëtuar jetë njerëzish, mbrojtjen e mjedisit, gjësë së gjallë dhe për të mbështetur zhvillimin.

Në zbatimin e projektit, Lezha si një nga bashkitë më të prekura nga tërmeti i Nëntorit 2019, do të mbështetet edhe me një automjet zjarrfikës për zjarret urbane dhe pyjore, ndërtimin e Stacionit Zjarrfikës dhe një Kontejner Urban të Kërkimit dhe Shpëtimit me mjetet dhe pajisjet e nevojshme.

Ndihma ofrohet në kuadër të projektit “Forcimit të Kapaciteteve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Shqipërisë” financuar nga Qeveria e Polonisë nëpërmjet Fondit të Përshpejtimit të SDG dhe zbatuar nga PNUD në partneritet me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Ministrinë e Brendshme.

Raporti i Vlerësimit të Nevojave pas Katastrofës, i cili u hartua pas tërmetit të vitit 2019-të që goditi Shqipërinë, tregoi se ekzistonte nevoja urgjente për të forcuar gatishmërinë ndaj fatkeqësive, ngritjen e strukturave të trajnuara dhe të pajisura me mjete e pajisje të përshtatshme për shpëtimin, reagimin në kohë dhe përmirësimin e kapacitetit të shërbimit zjarrfikës për t’u bërë funksionale në të gjithë nivelet.

Projekti mbështet përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për forcimin e Shërbimit Shqiptar të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në dhjetë bashki: Tiranë, Durrës, Lezhë, Kurbin, Krujë, Shijak, Kamëz, Kavajë, Fier dhe Pogradec.

Këto bashki ishin më të prekurat nga tërmeti dhe përballen me sfida të mëdha kur bëhet fjalë për infrastrukturën mbështetëse të strukturave zjarrfikëse. Ndërhyrjet e tjera të projektit përfshijnë ndërtimin e tre stacioneve të zjarrfikësve, prokurimin e tre automjeteve zjarrfikës, prokurimin e tre kontejnerëve USAR për sherbimin e MZSH. Ndërhyrjet e projektit përfshijnë gjithashtu trajnime për ngritjen e kapaciteteve për bashkitë përfituese të ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore dhe rreziqeve.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu nënvizoi:

“Falënderim ndaj Ambasades Polake në Shqipëri për financimin që po jep për pajisjen me uniforma të reja për punonjësit e zjarrfikëses. Ky është një projekt që është bërë nëpërmjet Fondit të Përshpejtimit të SDG dhe zbatuar nga PNUD në partneritet me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Ministrinë e Brendshme. Bashkia e Lezhës ishte një nga 10 Bashkitë më të prekura nga tërmeti dhe sigurisht nevoja e një personeli të zjarrfiksëve të mirë-përgatitur nga ana e veshjeve teknike është shumë e rëndësishme për sigurinë e jetës së tyre.”

“Ky projekt është shprehje e miqësisë dhe e solidaritetit me Shqipërinë, si dhe provë e mbështetjes së vazhdueshme të Polonisë për aspiratat evropiane të Ballkanit Perëndimor. Nëpërmjet këtij projekti, ne duam të vendosim një themel tjetër për të mbështetur Qeverinë Shqiptare duke reduktuar rrezikun nga fatkeqësitë dhe duke forcuar gatishmërinë për reagim.” – tha Ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Monika Zuchniak-Pazdan.

“Dëshiroj të përshëndes partneritetin tonë me Qeverinë e Polonisë për këtë mbështetje që synon forcimin e kapaciteteve të Shërbimit Shqiptar të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, duke shpëtuar jetë, prona dhe duke përmirësuar sigurinë, efikasitetin dhe kushtet e punës së zjarrfikësve”- tha Monica Merino, Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri, e pranishme në aktivitet.

Ndërhyrjet e projektit do të ndërmerren në koordinim dhe mbështetje të përpjekjeve të vazhdueshme në të ardhshmen në kuadrin e zhvillimit të politikave dhe planeve kombëtare të Reduktimit të Rrezikut të Fatkeqësive, forcimit të reformës së decentralizimit dhe qeverisjes vendore dhe përpjekjeve të përgjithshme për ndërtimin e kapaciteteve për përmirësimin e cilësisë së shërbimet vendore dhe fushës së veprimtarisë së pushtetit vendor.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit