BBC: Europa mund të zgjasë periudhën e karantinimit
Shumica e shteteve të Europës po mendojnë të shtyjnë afatin e izolimit, për të frenuar shpërthimin e koronavirusit të ri. Izolimi që u vendos në datën 12 mars në Itali, ku numri i vdekjeve mund të kapërceje edhe numrin e Kinës, tani mendohet të kalojë 25 marsin.
Edhe Franca ka deklaruar se periudha 15 ditore në karantinë që u shpall pak ditë më parë nga Presidenti Macron, mund të zgjatet gjithashtu. Koronavirusi ka shkaktuar deri më tani më shumë se 7000 vdekje dhe 207.000 persona janë prekur në të gjithë botën.
Banka Qendrore Evropiane (ECB) ka nisur një paketë të urgjence prej 750 bilion euro, për të lehtësuar ndikimin e pandemisë. BE ka vendosur kontrolle të rrepta kufitare dhe shumë fluturime janë anuluar.
Italia ka bllokuar prej ditësh mbledhjet publike dhe janë mbyllur shumica e bizneseve, por Kryeministri Conte tha se masat e periudhës së izolimit duhet të shtyhej. Dje, Italia raportoi se 475 njerëz të tjerë kishin vdekur në vetëm një ditë. Një raport i “Istituto Superiore di Sanita” për vdekjet në Itali ka konfirmuar se vdekjet më të shumta ishin në veriun e Italisë. Lombardia përbënte 71% të të vdekurve, Emilia-Romagna 17% dhe Veneto 3.9%. Disa studime tregojnë se sëmundja u përhap me shpejtësi sepse gjeneratat jetojnë në të njëjtën shtëpi dhe kështu, është bërë e mundur përhapja e shpejtë e koronavirusit të ri.
Spanja njoftoi se vdekjet nga koronavirusi kishin arritur në 169 për 24 orë dhe numri i të infektuarve ka arritur deri në 17,147 persona. Gjithashtu, edhe kancelaria Merkel deklaroi dje se situata është shumë serioze dhe që prej Luftës së Dytë Botërore vendi nuk është përballur me një sfidë kaq të madhe që varet nga solidariteti kolektiv. Gjermania nuk ka vendosur masa të rrepta, megjithëse ka mbyllur shkolla, shumë biznese dhe hapësira publike. Njerëzit ende mund të dalin jashtë dhe të takojnë miqtë apo familjarët. Deri më tani, janë raportuar rreth 10.999 persona të prekur me COVID-19 në shtetin gjerman, ndërsa numri i vdekjeve mbetet i ulët.
Austria ka mbyllur kufijtë e saj deri në 5 prill. Portugalia gjithashtu ka shpallur izolimin e popullit për 15 ditë, por kryeministri ka deklaruar se kjo periudhë mund të zgjasë edhe me muaj. Ndërkohë që, e gjithë Europa shihet tashme si epiqendra e COVID-19, virusi që ka marë mijëra jetë.(BBC)
KOHA JONË SONDAZH

