Ekspertët: Sulmi ndaj autokolonës së OKB në Alepo, inskenim
Në përfundimet paraprake të ekspertëve të pavarur që veprojnë pranë grupeve të posaçme të Grupit Ndërkombëtar për Mbështetjen e Sirisë (GNMS), thuhet se sulmi i 19 nëntorit ndaj autokolonës së përbashkët të ndihmave humanitare të OKB-së dhe të Gjysmëhënës së Kuqe Siriane, “ishte i mirinskenuar”.
Lajmi referohet nga agjencia “Ria Novosti”, sipas së cilës, ekspertët kryen një analizë krahasuese të fotove dhe filmimeve të sulmit të publikuara në media, gjithashtu e panë edhe videon e filmuar nga avioni rus pa pilot, që shoqëronte autokolonën e ndihmave.
Në këtë video figuron një “makinë me rimorkio, në të cilën duket qartë një minahedhës të kalibrit të madh”, i cili “lëviz duke u fshehur mes autokolonës së ndihmave humanitare”, theksojnë ekspertët.
“Urm al-Kubra gjendet në territorin e kontrolluar nga luftëtarët e Frontit al-Nusra, për më tepër, ky territor konsiderohet si një rajon me përqendrim të madh të luftëtarëve. Po të bëni një përmbledhje të ngjarjeve të 19 shtatorit, do të zbuloni se pikërisht në atë vend dhe në atë kohë, luftëtarët e al-Nusrës ndërmorrën një sulm në shkallë të gjerë ndaj Alepos, të mbështetur nga artileria e rëndë, nga tanket dhe nga raketahedhësit shumtytësh”, citohet në dokument.
Duke pasur parasysh këto të dhëna, ekspertët theksojnë se analiza e fotografive tregon që bëhet fjalë për një inskenim të sulmit. Për shembull, kabina e njërës prej makinave të autokolonës me ndihma humanitare ishte e paprekur dhe “nuk kishte shenja të ndonjë shpërthimi të ndodhur afër, as shenjat e ciflave, as vrima. Pësoi dëme vetëm ngarkesa, e cila u vu në flakë”.
Përveç kësaj, anët e të ҁarave të kamionëve të dëmtuar nga ciflat ishin të mbuluara me ndryshk. Rruga ishte e padëmtuar, pa asnjë gropë. Dhe nëse do të ishte kryer ndonjë sulm ajror, atëherë “e gjithë sipërfaqja e rrugës do të kishte shenja”, pohojnë ekspertët.
Vihet re ndër të tjera, që pasojat e sulmit ndaj autokolonës me ndihma humanitare nuk duken fare si pasojat e një sulmi ajror: vala goditëse në një hapësirë të kufizuar, si minimum do t’i kishte përmbysur kamionët dhe ngarkesat, ndërsa nga shpërthimi i predhave ciflat do të ishin nëpër muret e shtëpive përreth.
Por, duke gjykuar nga fotografitë, nga kamionët ka fluturuar vetëm mushamaja mbrojtëse, gomat ishin të padëmtuara, kutitë prej kartoni nul lëvizën nga vendet e tyre, kurse në muret e shtëpive nuk kishte asnjë plasaritje. Bile, në një nga kutitë duken gjurmë nga guralecë, të cilët shkaktohen zakonisht nga shpërthime të predhave të vogla.
Ekspertët u shprehën të çuditur edhe nga gropa e krijuar gjoja për shkak të një sulmi ajror: “pjesa qendrore e gropës po i tërheq objektet, kur duhet të ndodhë e kundërta, se duhet t’i flakë ato”.
“Bazuar në bilancin e kësaj analize paraprake, mund të arrihet në konkluzion që kemi të bëjmë me një inskenim të mirëpërgatitur ose me një sulm të rremë”, nënvizon raporti.
Burimi diplomatik i “Ria Novosti”, i njohur me grupet e punës të GNMS-së, duke komentuar mbi përfundimet e ekspertëve, theksoi se ky raport u paraqit në mbledhjen e grupeve të posaçme dhe iu dorëzua për shqyrtim përfaqësuesve të SHBA-ve, të cilët “nuk ranë dakord me përfundimet”.
Autokolona e ndihmave humanitare të Gjysmëhënës së Kuqe Siriane dhe OKB-së u qëllua me armë më 19 shtator në zonën e Alepos. Nga 30 kamionë u shkatërruan 18 prej tyre, u vra një punonjës i Gjysmëhënës së Kuqe dhe të paktën 20 civilë.
KOHA JONË SONDAZH

