Erdogan: Tre milion refugjatë do të kthehen në Siri
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, tha sonte se deri në 3 milion refugjatë sirianë do të jenë në gjendje të kthehen në “zonën e sigurt” të planifikuar në veri të Sirisë, nëse shtrihet nga kufiri i Turqisë në Deir ez-Zur.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Ankara pas bisedimeve me homologun rus Vladimir Putin dhe atë iranian Hassan Rouhani, Erdogan tha se ky takim trepalësh kishte eleminuar çdo pengesë për komisionin kushtetues. Ai shtoi se komiteti do të fillojë punën së shpejti.
Presidenti turk e ka përshkruar si “të papranueshëm” mbështetjen e ofruar për organizatat militante që “gjoja luftojnë” Shtetin Islamik. Ai shtoi se kërcënimi i vërtetë për Sirinë është milicia kurde YPG, të cilën Ankaraja e përshkruan si një organizatë terroriste.
Presidenti iranian, nga ana e tij, tha më herët se diplomacia, dhe jo qasja ushtarake, është zgjidhja e krizës siriane.
Këto diskutime u përqëndruan në krijimin e një zone të sigurt në Sirinë veriore për çështjen e refugjatëve në lindje të lumit Eufrat në Siri.
KOHA JONË SONDAZH

