Fillon punimet gazsjellësi ruso-turk në Detin e Zi
Punimet për gazsjellësin “Turkish Stream” në Detin e Zi do të fillojnë vitin e ardhshëm, njoftoi sot ministri rus i Energjisë, Aleksander Novak.
“Gjithçka që nevojitej për punën e tanishme është miratuar”, deklaroi Novak për gazetarët në Stamboll, në bazë të komenteve të bëra nga agjencia zyrtare ruse e lajmeve, TASS.
“Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar, afati i fundit për të përfunduar punimet në tokë dhe në pjesën detare të gazsjellësit ‘Turkish Stream’ është fundi i vitit 2019”, shtoi ministri rus.
Gazsjellësi, që do të sjellë gazin rus në Evropën Juglindore, me shumë mundësi përfshin edhe shtetin anëtar të Bashkimit Evropian, Greqinë, u propozua fillimisht rreth dy vjet më parë, por nuk u miratua pasi marrëdhëniet ruso-turke u prishën për shkak të konfliktit në Siri.
Tani, Turqia dhe Rusia po përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre dhe kjo u faktua këtë javë kur presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan më në fund nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e gazsjellësit.
KOHA JONË SONDAZH

