Howitt: 11 dhjetori është mundësi për ndryshimin e situatës në Maqedoni
Anëtari i Parlamentit Evropian dhe raportues për Maqedoninë, theksoi se në një vend demokratik, personat nga jashtë sikur ai, nuk do t’i tregojnë popullit të Maqedonisë se si duhet të veprojnë
Anëtari i Parlamentit Evropian dhe raportues për Maqedoninë, Richard Howitt, të cilit i ka mbetur edhe një muaj para përfundimit të mandatit në Parlamentin Evropian, pas vizitës së tij të fundit në Maqedoni, deklaroi se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që parashikohen të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti, i takon popullit të Maqedonisë të vendosë për të ardhmen e vendit, eshte shprehur ai per Anadolu Agency (AA).
Howitt theksoi se personat nga jashtë sikur ai, kurrë nuk do t’i tregojnë popullit të Maqedonisë apo ndonjë populli tjetër se si duhet të veprojnë, por ai porositi se zgjedhjet e 11 dhjetorit janë mundësi për transferim të fuqisë, gjë e cila siç tha ai, është e mundshme dhe gjërat e gabuara në këtë shoqëri nuk duhet të mbesin.
“Ka shumë gjëra që janë të gabuara në këtë vend, por vendimi i popullit maqedonas i takon popullit maqedonas. Unë dhe komuniteti ndërkombëtar kemi punuar që të përkrahim këtë vend në reformat e veta. Ne do të vazhdojmë me punën tonë, por vendimi që do të merret më 11 dhjetor është një vendim kyç dhe mendoj se ndryshimi mund të ndodh në këtë vend”, deklaroi Howitt.
Howitt theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë me angazhimet e tij për Maqedoninë, përfshirë edhe në zgjedhjet e parashikuara të 11 dhjetorit. Ai shtoi se Bashkimi Evropian është mik i Maqedonisë dhe shprehu bindje se ky vend një ditë do t’i bashkangjitet BE-së.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Maqedoni, Howitt është takuar me organizatat joqeveritare në vend dhe me ekipin e Prokurorisë Speciale Publike, për të cilën tha se kanë mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian, pasi që është përcaktuar nga ana e katër partive politike më të mëdha në Maqedoni.
“Jam i dëshpëruar se propozimet e qarta dhe të kuptimshme të zonjës Janeve ende nuk janë zbatuar dhe pres që të zbatohen menjëherë. Gjithashtu shumë i interesuar në propozimet e këtij institucioni për krijimin e një departamenti të posaçëm në Gjykatën Themelore Shkup 1, që do të merret me rastet gjyqësore të Prokurorisë Speciale Publike, ashtu siç është departamenti i posaçëm për ndjekjen e krimit të organizuar”, u shpreh Howitt.
Në lidhje me punën e Prokurores Speciale Publike, Howitt theksoi se partia qeveritare dhe partitë tjera nënshkruese të Marrëveshjes së Shkupit nuk duhet të lejojnë që persona të posaçëm të nënvlerësojnë punën e kësaj prokurorie.
KOHA JONË SONDAZH

