Kerry kërkon hetim për krime lufte nga Rusia në Siri
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar një hetim për krime lufte ndaj veprimeve të Rusisë në Siri, duke argumentuar se Moska i detyrohet botës të japë shpjegime
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se sulmet ajrore ruse dhe ato siriane ndaj spitaleve të punonjësve vullnetarë të emergjencave “lipsin të ndërmerret një hetim i posaçëm për krime lufte”.Kryediplomati amerikan shtoi se sulme të tilla janë përtej të qenit “aksidentalë” në këtë pikë të konfliktit civil sirian, ndërsa akuzon Moskën dhe Damaskun se kanë ndërmarrë “një strategji shënjestrimi për të terrorizuar civilët”.
Kerry, i cili ka folur në Uashington gjatë një konference bashkë me homologun e tij francez, Jean-Marc Ayrault, tha se forcat siriane kanë goditur një tjetër spital përgjatë natës, duke lënë të vrarë 20 persona dhe plagosur 100 të tjerë.
Kerry ka folur ndërkohë që dhoma e ulët e Parlamentit rus ka ratifikuar një traktat me Sirinë, i cili lejon ushtrinë ruse të qëndrojë në një afat të pacaktuar në vendin e Lindjes së Mesme.
“Duma” e kontrolluar në shumicë nga drejtuesit e Kremlinit votoi unanimisht për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, e cila formalizon tashmë praninë ushtarake të MOskës në bazën ajrore “Hemeimeem” në Latakia.Kjo shihet edhe si shenjë mbështetjeje ndaj regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, si dhe i lejon Rusisë të përdorë bazën ajrore pa paguar taksa dhe për sa kohë që do t’i nevojitet asaj.
Rusia e nisi fushatën ajrore në Siri mbi një vit më parë, duke përmbysur rrjedhën e luftës civile afro 6-vjeçare në Siri, e duke ndihmuar forcat e Assadit të arrijnë fitore në territore kyçe. Moska justifikon veprimet e saj me faktin se po ndihmon ushtrinë siriane të luftojë terrorizmin.-Top Channel
KOHA JONË SONDAZH

