Ndryshimet klimaterike, marrëveshja e Parisit tani ligj ndërkombëtar
Marrëveshja e Parisit për të luftuar ndryshimet klimaterike u kthye në ligj ndërkombëtar të premten, një arritje historike e cila do të ketë në thelb parandalimin e ngrohjes globale.
Deri më tani, 96 vende i janë bashkuar formalisht këtij akordi, që kërkon të limitojë ngrohjen globale në 2 gradë Celsius, ndërkohë që më shumë vende pritet t’i bashkohen marrëveshjes në javët dhe muajt e ardhshëm.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, përshëndeti hyrjen në fuqi të marrëveshjes, në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Nju Jork. Ai i falenderoi ata për punën e tyre, duke e konsideruar këtë ditë si një çast historik për përpjekjet njerëzore për të luftuar ndryshimet klimaterike. Megjithatë, Sekretari ruajti tonin e tij paralajmërues teksa tha se rezultatet e kësaj marrëveshjeje janë ende të pasigurta. Ai i bëri thirrje grupeve të vazhdonin punën e nisur për mobilizimin e miliona personave dhe qeverive mbi çështjet klimaterike.
Shkencëtarët gjithashtu kanë vlerësuar shpejtësinë e ardhjes në fuqi të marrëveshjes së nënshkruar dhjetorin e kaluar në Paris, duke thënë se kjo shënon një përkushtim të ri të komunitetit ndërkombëtar në adresimin e problemit që ka shkaktuar shkrirjen e sipërfaqeve të akullta dhe ka sjellë rritjen e niveleve të deteve, duke transformuar zona të mëdha të tokës së punueshme në shkretëtira.
Por ambjentalistët thonë se marrëveshja është vetëm hapi i parë i një procesi të ndërlikuar të tranzicionit larg lëndëve djegëse, të cilat momentalisht, plotësojnë nevojën e planetit për energji.
/Oranews.tv/
KOHA JONË SONDAZH

