Ode për Zonjën tonë të Europës
Bernard-Henry Levi
Ndërsa e shkruaj këtë nga Berlini, unë jam i rrëgjuar përpara imazheve të zjarrit, shkatërrimit dhe hirit që kanë vënë poshtë Notre-Dame de Paris – Zonja jonë e Parisit. Ajo është një thesar i qytetërimit, si për ata që besojnë në qiell, ashtu edhe për ata që jo. Ajo përfaqëson Europën e bukurisë, të shpresave të shenjta, të madhështisë dhe të sofistikimit. Ashtu si ju, si të gjithë, jam zemërthyer. Tragjedia thërret një varg kujtimesh. Pavdekësimi i katedrales nga Victor Hugo në ‘Kurrizoja i Notre Dame’, sigurisht, vjen në mendje. Po kështu, vargjet e Louis Aragonit:
Asgjë nuk është aq e fortë, as zjarri, as rrufetë,
Si Paris im sfidant ndaj rrezikut
Asgjë nuk është kaq e bukur sa ky Paris.
Dikush kujton gjithashtu një varg të Baudelaire: “Unë jam e bukur, o njerëz, si një ëndërr në gur”. Nuk ishte shkruar për Notre Dame, por sigurisht mund të kishte qenë.
Kujtimet shtrihen larg, përtej fjalës së shkruar. Katedralja në vetvete ka qenë dëshmitare e shekujve të historisë franceze, duke përfshirë edhe episode që tani janë pjesë e legjendës. Ajo ka qenë bashkë me Francën përgjatë kalorësisë së saj mistike, në lavdinë dhe në errësirën e saj. Mendoj për meshën e festimeve të çlirimit të Parisit në vitin 1944, dhe për konvertimin e një motre të vogël atje. Unë qaj me të, qaj me të gjithë të krishterët që u është dashur të shohin kishën e tyre fizike të shkrumbohet në zjarr, fjolla e tymit duke marrë ndoshta me vete një pjesë të kishës së tyre të padukshme.
Mëngjesin e nesërm mendoj Notre Dame-n si Francën e Rezistencës. Ajo mishëron shenjtërinë gotike dhe qetësinë e Senës. Ajo është manifesti i besimit dhe bukurisë. Dhe, natyrisht, fjalët e Hugo dhe Aragonit janë ende atje, duke kërcyer në kokën time insomniake. Pyes veten se, si do të përballem me atë ditë. Si do të përballemi ne me të nesërmen? Hugo e ka përgjigjen: “Koha është arkitekti, por njerëzit janë muratorët”.
Kah mesdita shpresoj vetëm që zjarri të jetë shuar tërësisht. Për një parizien, është torturuese të shohë imazhet e lakuara të zemrës së qytetit të përpira nga dhuna e flakëve. Ka rënë më shumë se një kishë. Në një farë mënyre, Notre Dame është vetë shpirti i njerëzimit dhe një pjesë e tij tani është plagosur.
Ne, parizianët besonim që Zonja jonë e përndritur të ishte e pavdekshme. Megjithatë, ja ku është, e plagosur dhe e pafuqishme ndaj fatit, siç ishim të gjithë ne ndërsa shihnim infernon. Megjithatë, bashkë me ato imazhe të keqardhjes ka mbërritur një valë ndjenje e miqësisë. Italianët, suedezët, irlandezët, spanjollët, kinezët, algjerianët – të gjithë janë bashkuar në lutje me popullin e Francës. Ashtu si pas një sulmi, të gjithë po thonë, Je suis Paris.
Më në fund, me djegien, Notre Dame na kujton brishtësinë e historisë dhe trashëgimisë sonë, të paqartësisë së asaj që kemi ndërtuar dhe natyrës së fundme të Europës mijëvjeçare, atdheut të arteve, ku Notre Dame është një nga dëshmitë më të mëdha.
Duke parë përpara, çfarë duhet të mendojmë? Çfarë duhet të bëjmë? Duhet të shpresojmë që sakrifica e Notre Dame do të zgjojë ndërgjegjet e përgjumura; se, përmes kësaj fatkeqësie, njerëzit do të kuptojnë se Europa është Notre Dame në një shkallë më të madhe. Më shumë se një bashkim politik, është një vepër e madhe e artit, një bastion i shkëlqyer i inteligjencës së përbashkët, por edhe një trashëgimi e rrezikuar.
Kjo trashëgimi është shumë e rëndësishme për të humbur. Nuk mund t’i lejojmë piromaniakët të ndajnë njerëzit e Europës. Ne duhet të kujtojmë se, së bashku, jemi ndërtues të tempujve dhe pallateve, krijues të bukurisë. Ky është mësimi i Notre Dame në këtë Javë të Shenjtë.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili për dy vjet ka bërë thirrje për unitet në rindërtimin e Europës, tani është duke bërë thirrje për unitet në rindërtimin e Notre Dame. Së bashku, ne duhet të rindërtojmë zemrën e Francës. Revista ime letrare La Règle du Jeu, do të kontribuojë në fondin kombëtar të hapur për këtë qëllim. I bëj thirrje të gjithë lexuesve të bëjnë të njëjtën gjë. Ne njerëzit jemi jemi muratorët. /Politiko.al/
KOHA JONË SONDAZH

