Politikanët në garë për mëshirën e kishës
Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi është një faktor i fuqishëm politik dhe mund t’i mobilizojë masat kur është në interesin e saj, vlerëson sociologu malazez, Andrija Gjukanoviç, duke komentuar rolin e këtij institucioni në disa trazira të kohëve të fundit.
“Ndikimi i kishës te qytetarët është shumë i fortë, edhe pse në drejtim të gabuar. Kur politikanët kanë zbuluar se sa pushtet ka kisha, ne kemi parë garën e tyre për të qenë nën mëshirën e saj. Kjo ka qenë edhe më herët e shprehur, por tani është bërë krejtësisht e dukshme”, thotë Gjukanoviq për Radion Evropa e Lirë.
Ditëve të fundit, udhëheqësit e shumicës qeverisëse në Mal të Zi kanë qenë në Beograd për konsultime me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili gjithashtu është takuar me Porfirijen, ka thënë se politika në Mal të Zi do të bëhet pa ndërhyrje të jashtme.
I pyetur nga gazetarët nëse me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe do të bisedohet për ristrukturimin e Qeverisë malazeze, Abazoviç ka thënë se sjellja e kishës, në kontekstin e ngjarjeve politike në Mal të Zi, është shumë korrekte.
“Mitropoliti Joanikije [peshkop ortodoks serb që shërben si mitropolit i Malit të Zi] ka thënë se ata nuk janë të interesuar për konfrontimet e partive politike dhe se nuk duan të bëhen pjesë e tyre në asnjë mënyrë. Unë mendoj se nuk duhet të presim më shumë se kaq”.
KOHA JONË SONDAZH

