Premtimet e Tsipras, kreditorët pezullojnë masat e lehtësimit të borxhit

Kreditorët e Greqisë kanë reaguar ndaj premtimit të kryeministrit Aleksis Tsipras që të ndajë 617 milionë euro të cilat do t’u jepen shtresave me pensione të ulëta për festat e fundivitit.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

Fillimisht reagoi huadhënësi kryesor i Greqisë, Mekanizmi Europian i Stabilitetit (EMS). Një zëdhënës i këtij institucioni deklaroi se ESM vendosi të bllokojë zbatimin e masave lehtësuese për borxhin grek, derisa të jepeshin shpjegime për premtimin e kryeministrit Tsipras.
“Në vazhdim të propozimeve nga Qeveria Greke që të shpenzojë më shumë fonde publike për pensionet dhe TVSH-në në ishuj, organet tona drejtuese po i pezullojnë përkohësisht vendimet. Institucionet po shqyrtojnë pasojat e vendimeve të Qeverisë Greke në lidhje me angazhimet e Greqisë dhe objektivat e programit të shpëtimit”, i deklaroi zëdhënësi i ESM agjencisë Bloomberg.
Pasdite, vendimi i ESM u mbështet edhe nga Eurogrupi, ku bëjnë pjesë gjithë ministrat e financave të zonës së euros. Madje zëdhënësi i Eurogrupit, Michel Reijns, bëri një hap më përpara, duke thënë se: “institucionet kanë konkluduar se aksionet e Qeverisë Greke duket të mos jenë në përputhje me marrëveshjet tona”.
“Disa shtete anëtare e shohin gjithashtu në këtë mënyrë dhe prandaj nuk ka unanimitet për implementimin e masave afatshkurtër për borxhin”, komentoi zëdhënësi i Eurogrupit në rrjetin social Twitter.
Athina zyrtare ka reaguar nëpërmjet kryeministrit Tsipras ndaj rezervave të reja të kreditorëve.
“Unë nuk kam asnjë dyshim se të gjitha sa po bëjmë janë absolutisht brenda kuadrit të marrëveshjes tonë me kreditorët që ne e respektojmë dhe duhet ta respektojnë edhe ata” – deklaroi Tsipras nga Selaniku.
Kryeministri Grek shtoi se ky do të jetë mesazhi që do t’u përcjellë liderëve europianë me të cilët do të takohet në samitin e radhës.
Tsipras kërkoi nga gjithë partnerët europianë që të respektojnë sakrificat që po bën prej shtatë vjetësh populli grek.
“Po ngremë mbi supet tona barrën e krizës së refugjatëve dhe politikat shumë të ashpra të shtrëngesës, në emër të Europës. Të gjithë janë të detyruar të tregojnë respekt”, tha Tsipras.
Greqia nënshkroi vitin e kaluar një marrëveshje të re me kreditorët që i ofruan një paketë të re shpëtimi, me vlerë 86 miliardë euro. Qysh atëherë, Athina ndodhet vazhdimisht në “presën” e kreditorëve, që vazhdimisht kërkojnë masa të reja kursimi, zbatimi i të cilave bie mbi shpinen e qytetarëve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?