Presidencialet ne SHBA:Michelle Obama “duel” me Trump
Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump dhe zonja e parë, Michelle Obama janë “përplasur” me njëri-tjetrin në fjalimet e tyre mbi gratë. Trump i përsëriti mbështetësve të tij se pretendimet ndaj tij për ngacmime seksuale janë të stisura nga mediat të cilat bashkëpunojnë me Hillary Clinton. Ndërkohë, zonja Obama, në një fjalim plot emocion, dënoi ashpër komentet e Trump duke i quajtur ato “poshtëruese”, teksa shtoi se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar.
Donald Trump ka mohuar valën e akuzave që rëndojnë ndaj tij për abuzim seksual, duke i thënë mbështetësve të tij në një takim në Florida se pretendimet janë tërësisht dhe absolutisht të gabuara. Kandidati republikan i quajti “gënjeshtare” gratë të cilat po denoncojnë sjelljen e tij, ndërkohë që akuzoi mediat se po bashkëpunojnë me Hillary Clinton.
“Këto pretendime të liga janë tërësisht dhe absolutisht të pavërteta dhe Clinton-ët e dinë shumë mirë. Pretendimet janë të fabrikuara, janë trillime të pastra dhe gënjeshtra. Këto ngjarje nuk kanë ndodhur kurrë. Pretendimet janë absurde, qesharake dhe sfidojnë të vërtetën dhe logjikën.”
Vetëm pak para tij, në një fjalim nga New Hampshire, zonja e parë, Michelle Obama i kishte cilësuar komentet ofenduese të Trump ndaj grave si “shokuese dhe poshtëruese”. Fjala e Michelle ka qenë e mbushur me emocione dhe është përshëndetur nga mbështetësit e pranishëm.
“Kjo nuk ishte vetëm një bisedë e turpshme. Ai ishte një individ i fuqishëm që po fliste haptazi mbi sjellje të rrezikshme seksuale dhe po mburrej se puthte e prekte gra, duke përdorur një gjuhë aq të pahijshme, sa shumë nga ne ishim të shqetësuar se fëmijët tanë do ta dëgjonin kur të hapnim televizorin. Dhe për ta përkeqësuar situatën, ky nuk është një rast i izoluar.”
Më tej, zonja e parë ka nxitur të gjithë zgjedhësit të votojnë në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit, duke i kujtuar atyre se çdo votë mund të bëjë ndryshimin. Sondazhet më të fundit nxjerrin në avantazh demokraten Hillary Clinton, ndërkohë që mbështetja për Trump, edhe nga vetë zyrtarë të Partisë Republikane, është gjithnjë e më shumë në rënie.-Ora News
KOHA JONË SONDAZH

