Protesta në Rumani, 10 mijë qytetarë u mblodhën të dielën në sheshin e Bukureshtit
Rreth 10 mijë persona morën pjesë në protestën anti-qeveritare të dielën në rrugët kryesore të Bukureshtit në Rumani, raportuan mediat lokale. Sipas agjencisë së lajmeve “Agerpres”, protestuesit u grumbulluan në sheshin “Viktoria” të kryeqytetit rumun, duke mbajtur flamurin kombëtar, flamujt amerikan dhe të NATO-s, duke lëshuar thirrje kundër korrupsionit dhe ryshfetit.
Protesta e së dielës ishte relativisht paqësore krahasuar me atë të së premtes, ku si pasojë e ndërhyrjes policore u plagosën më shumë se 450 vetë.
Protestat kombëtare në Rumani janë nxitur nga reformat aspak popullore mbi taksat, pensionet, sigurimet shoqërore dhe akuzat për korrupsion, që kanë përfshirë qeverinë social-demokrate.
Rumania, vend anëtar i Bashkimit Europian, prej kohësh përmendet si një vend ku problemi i korrupsionit është i theksuar, e për pasojë, edhe rritja ekonomike nuk është në nivelet e duhura.
Kjo ka nxitur edhe emigrantët rumune të kthyer në vendin e tyre që të mos tolerojnë një situate të tillë duke nxitur protesta masive në të gjitha qytetet e vendit.
KOHA JONË SONDAZH

