Raporti – AI:Vendet e pasura të ndihmojnë në krizën e refugjatëve
Raporti vjetor i Amnesty International tregon se vendet e pasura nuk po ndihmojnë aspak në përballimin e krizës së refugjatëve, pasi shumica e tyre strehohen në vende të varfëra. Amnesty International propozon që barra e refugjatëve të ndahet në baza të drejta mes vendeve, duke marrë parasysh popullsinë, pasurinë dhe madhësinë e tyre.
Amnesty International ka akuzuar vendet e pasura se nuk po tregojnë aspak lidership në krizën e refugjatëve, sipas raportit vjetor të publikuar të martën.
56% e refugjatëve po strehohen vetëm nga 10 vende, ndër më të varfërit në botë, përgjegjëse për më pak se 2.5% të GDP botërore.
“Mendoj se ironia e situatës është se 10 vende të cilat janë në afërsi të vendeve prej nga vijnë refugjatët, po strehojnë më shumë se 56% të popullsisë refugjate në botë. Dhe vendet më të pasura të botës, që mund të strehojnë më shumë, thuajse nuk po bëjnë gjë. Mbretëria e Bashkuar është një shembull i trishtë i kësaj, që prej 2011 janë pranuar vetëm 8.000 refugjatë, ndërsa një vend si Jordania, 10 herë më i vogël se Mbretëria e Bashkuar, ka 655.000 refugjatë sirianë,” u shpreh Salil Shetty, Sekretari i Përgjithshëm i Amnesty International.
Raporti propozon se barra e strehimit të refugjatëve duhet ndarë në mënyrë të drejtë, sipas madhësisë së vendit, pasurisë dhe popullatës aktuale.
Shetty u shpreh se ishte koha që bota të kalojë në atë që ai quajti plani B për përballimin e 21 milionë refugjatëve në botë.
“Liderët na kanë zhgënyer, tashmë duhet të kemi një plan B. Plani ynë B në thelb është të themi se ka nevojë për një sistem të ri të ndarjes së përgjegjësisë globale. Nga 200 vende në botë, nuk mund të presim që 30 vende, 10 prej të cilave të përballojnë më shumë se 50% të përgjegjësisë. Nëse kjo ndahet, pra 60-90 vende ndajnë përgjegjësinë, mund të kemi një tjetër situatë. Është një problem i madh, por shumë i zgjidhshëm.”
Sipas të dhënave më të fundit të Agjensisë së Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, Kina, Rusia ose ndonjë nga shtetet e Gjirit nuk kanë strehuar refugjatë sirianë që prej fillimit të luftës.
Amnesty thekson se Gjermania dhe Kanadaja janë shembuj të mirë të liderëve të cilët zbatojnë premtimet e tyre dhe nxiti vende të tjera të pasura të bëjnë të njëjtën gjë.
“Sapo e ndan në një bazë të njëjtë, numrat nuk janë aq të mëdhenj. Po flasim për 0.03% të popullsisë botërore.”
Agjensia e refugjatëve të OKB deklaroi se numri i personave të zhvendosur në botë, ka gjasa të ketë kaluar rekordin e vitit të kaluar, plot 60 milionë, duke përfshirë 20 milionë refugjatë, të shpërngulur për shkak të luftës në Siri dhe konflikteve të tejzgjatura.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për numra, sepse pas tyre janë njerëz të vërtetë. Ajo çfarë na duket frustruese është se ky është një problem madhor, por mund të zgjidhet. Ka një zgjidhje relativisht të lehtë dhe kjo është ndarja e përgjegjësisëglobale mbi kritere objektive.”
KOHA JONË SONDAZH

