Sot shpallet plani i Trump për të mbyllur Lotarinë Amerikane dhe bashkimet familjare
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të shpallë të enjten propozimin e shumëpritur për imigracionin, një plan që ka si synim ta largojë procesin e miratimit të kërkesave të imigracionit, nga lidhjet familjare dhe nevojat humanitare.
Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve në Kopshtin e Trëndafilave pranë Shtëpisë së Bardhë, para komenteve të Presidentit Trump, të enjten pasdite, se plani do të forcojë sigurinë e kufijve dhe të krijojë një sistem bazuar te merita, duke këmbëngulur se bëhet fjalë për “një çështje konkurrence”.
Propozimi i zotit Trump, do ta mbante numrin e kartave të gjelbra dhe statusit të banorit të përhershëm në rreth 1.1 milionë në vit, por do të ndryshonte mënyrën se si atë përcaktohen, duke u dhënë përparësi individëve me aftësi të veçanta dhe të arsimuar, me perspektiva punësimi apo investimesh, në vend të lidhjeve familjare me qytetarë amerikanë, ose nevojave humanitare.
Aktualisht, 12 për qind e imigrantëve lejohet të vijnë në Shtetet e Bashkuara, bazuar në aftësitë e tyre dhe 66 për qind falë lidhjeve me famljare që janë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara. Sipas planit, 57% për qind e vizave të imigrantëve do t’u jepen individëve me aftësi të veçanta apo oferta punësimi dhe vetëm 33% personave me lidhje familjare. Vizat për arsye humanitare duhet të reduktohen nga 22% në 10%.
Plani do ta eliminonte krejtësisht programin e lotarisë amerikane, në bazë të së cilit u jepen karta të gjelbra 50,000 njerëzve nga vende me përqindje të ulëta imigrantësh në Shtetet e Bashkuara./VOA
KOHA JONË SONDAZH

