“The Guardian” – Pse Clinton zhgënjeu në zgjedhjet presidenciale amerikane
Se si ia doli Hillary Clinton të humbte zgjedhjet, përballë një kandidati kaq përçarës dhe jo popullor sa Donald Trump, kjo, sipas “The Guardian”, është një pyetje që do t’i mbajë pa gjumë vëzhguesit dhe në agoni demokratët për një kohë të gjatë.
Por, e përditshmja britanike “The Guardian” ofron një analizë të hershme të situatës politike në Shtetet e Bashkuara dhe më specifikisht, të asaj çfarë nuk funksionoi si duhet me kandidimin dhe fushatën Clinton.
Partitë që janë në pushtet, rrallëherë e mbajnë atë edhe pas tetë vitesh. George H. W. Bush pas Reagan ishte një përjashtim, por politika është bërë vazhdimisht më e polarizuar që atëherë dhe lavjerrësi ka një zakon që lëkundet.
Sfida që Trump u bëri pritshmërive është bërë në vetvete, një lloj rregulli i artë në politikën amerikane të 2016-ës.
I konsideruar vazhdimisht i humbur gjatë zgjedhjeve brenda republikanëve dhe vetëm rrallëherë i marrë seriozisht gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, ai mishëron po atë qëndrim kundër institucioneve politike, që shtyu Britaninë e Madhe të dalë nga Bashkimi Europian dhe demokratët të emëronin Bernie Sanders në 22 shtete.
Drejtësisht ose jo, është një sistem, me të cilin Clinton nuk mund të ishte më e afërt në mendjen e shumë votuesve, edhe nëse ajo përpiqej.
“Është ekonomia, budalla”. Kjo është një frazë e pagëzuar prej këshilltarit të bashkëshortit të saj në zgjedhjet e 1992, dhe në shumë drejtime, kjo duhej të kishte ndihmuar sërish demokratët në 2016-ën. Barack Obama ndihmoi që të nxirrte SHBA nga kriza financiare dhe ai ishte president gjatë një serie tremujorësh me rritje ekonomike.
Fatkeqësisht për Clinton, shumë amerikanë thjesht nuk ndiheshin aq pozitivë. Nivelet e pagave në stanjacion dhe rritja e pabarazisë ishin simptoma të pafuqisë që u ndjenë prej shumë votuesve.
Trump ia doli t’i bindë ata që të besonin se kjo shkaktohej prej marrëveshjeve të këqija tregtare dhe një ekonomie të korruptuar. Pavarësisht se u shty në këtë drejtim nga Sanders në zgjedhjet primare, Clinton nuk gjeti asnjëherë një përgjigje të kënaqshme. Në rastin më të mirë tingëlloi jo bindëse; në rastin më të keq, cinike. As socializmi dhe as parashikimet proto-fashiste të Trump nuk ofruan alternativa koherente, por në fund të fundit, Clinton nuk arriti të artikulojë një mbrojtje bindëse për kapitalizmin modern amerikan.
Një problem i madh që dëmtoi shumë pozicione të tjera politikash ishte një mungesë besimi. Fjalimet e paguara në Goldman Sachs dhe një rrjet i dyshimtë lidhjesh biznesi me fondacionin e familjes, bënë që shumë amerikanë të vinin në dyshim sinqeritetin e Clinton, për çështjet e parave dhe shumë të tjera. Manifestimi më ekstrem i kësaj, ishte fakti që deri dy ditë para zgjedhjeve, FBI po hetonte kandidaten demokrate, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ngritjes së një padie penale.
Nuk ndihmoi as fakti që Clintoni po “shiste” kryesisht veten e saj. Mesazhi më i fortë i fushatës ishte se vetëm ajo ishte e kualifikuar për të qenë presidente. Kjo ishte kryesisht e vërtetë, sidomos nëse krahasohej me Trump-in grotesk dhe të papërvojë, por idetë e mëdha u lanë në sfond. Dihet që mesazhet e fushatës janë shumë të rëndësishme. “Shpresë dhe ndryshim” i Obamas u bë më shumë shpresë dhe më pak ndryshim. Megjithatë “Më të fortë së bashku”, mesazhi i Clinton, nisi të marrë formë vetëm prej prirjeve përçarëse të Trumpit. Ishte tërheqës për shumë demokratë, si simbol i peshës që ata ndjenin se kishte fushata, por garantoi që beteja do të luftohej sipas kushteve të Trumpit.
Mes shumë kritikave, një vëmendje speciale me siguri do u kushtohet sondazheve, që shfaqnin një avantazh tre deri katër pikë të Clinton. Ky dështim pasqyron pjesërisht një industri të dështuar. Mbërritja tek një audiencë e madhe duke mos përdorur më telefonat fiksë, apo edhe celularët, ka çuar në rezultate të gabuara kudo nëpër botë.
Por parashikuesit amerikanë të fatit ishin sidomos konfuzë prej demografisë së ngatërruar të zgjedhjeve të 2016. Trump, në shumë drejtime, ishte në të majtë të Clinton për disa çështje ekonomike, me një joshje populiste për shumë votues të pavarur, e megjithatë analistët vazhduan të supozojnë që, nëse demokratët e regjistruar votonin herët, apo nëse u thonin anketuesëve se do të shkonin të votonin, atëherë kjo ishte votë për Clinton.
E gjithë kjo, sipas “The Guardian” ndryshoi në 2016, një pikë fillimi për një bombë politike, e cila do të thotë se harta elektorale e SHBA nuk do të jetë më kurrë e njëjtë.
/Pergatiti ne shqip: Ora News.tv/
KOHA JONË SONDAZH

