Trump e anulon udhëtimin e Witkoffit dhe Kushnerit për në Pakistan për bisedimet e paqes

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka anuluar një udhëtim të planifikuar për në Pakistan nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, për bisedime me Iranin për arritjen e paqes.

“Thjesht e anulova udhëtimin e përfaqësuesve të mi që do të shkonin në Islamabad, Pakistan, për t’u takuar me iranianët”, tha Trump të shtunën mbrëma, pasi një zyrtar amerikan kishte konfirmuar paraprakisht për Radion Evropa e Lirë se udhëtimi ishte anuluar.

“Shumë kohë e humbur nëpër udhëtime, shumë punë! Përveç kësaj, ka përçarje të mëdha dhe hutim brenda ‘udhëheqjes’ së tyre”, tha Trump.

Swiss Digital Desktop Reklama

Më pas, Trump u citua nga Axios duke thënë në një intervistë të shkurtër se anulimi i udhëtimit nuk do të thotë automatikisht rifillim i luftës me Iranin.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Jo. Nuk do të thotë kjo. Nuk e kemi menduar ende”, i tha ai Axiosit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, e zhvilloi atë që e quajti “turne në kohën e duhur” në kryeqytetin pakistanez të shtunën, për t’i bashkërenduar “çështjet dypalëshe” me zyrtarët pakistanezë, para se të vazhdonte drejt Omanit dhe Rusisë.

Disa media kanë raportuar se Araqchi dhe delegacioni i tij janë larguar nga Islamabadi.

Irani e ka kushtëzuar rikthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, një kërkesë që Trump deri tani e ka hedhur poshtë.

Teherani gjithashtu e ka hedhur poshtë zgjatjen e njëanshme të armëpushimit nga Trump si “të pakuptimtë” derisa bllokada vazhdon të mbetet në fuqi.

“Fqinjët tanë janë prioriteti ynë”, tha Araqchi, i cili po udhëheq delegacionin.

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, i cili udhëhoqi rundin e parë të bisedimeve me SHBA-në në Pakistan më 11-12 prill, nuk ka udhëtuar për në Islamabad.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, ishte më i drejtpërdrejtë, duke shkruar në X se “nuk është planifikuar asnjë takim midis Iranit dhe SHBA-së” dhe se qëndrimet e Teheranit do t’i “përcillen Pakistanit”, e jo drejtpërdrejt negociatorëve amerikanë.

Araqchi u takua me shefin e ushtrisë pakistaneze, marshallin Asim Munir, dhe në një takim veçmas me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, megjithëse nuk janë bërë të ditura hollësi nga takimi i fundit.

Në bisedimet me Munir, Araqchi përcolli “pikëpamjet dhe konsideratat” e Iranit për përfundimin e luftës, si dhe rezervat e tij ndaj kërkesave të SHBA-së, sipas Reuters, që citoi një burim të paidentifikuar pakistanez, të përfshirë në bisedime.

Media shtetërore iraniane tha se Araqchi dhe Munir diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit lidhur me armëpushimin dhe bashkëpunimin për të “forcuar paqen dhe stabilitetin” në rajon. Munir shprehu mirënjohje për besimin e Iranit ndaj Pakistanit dhe premtoi të vazhdojë përpjekjet ndërmjetësuese “derisa të arrihet rezultat”.

Tensionet në Ngushticën e Hormuzit janë përshkallëzuar ditët e fundit, me Iranin që ka sekuestruar dy anije dhe ka qëlluar ndaj një anijeje tjetër, pasi SHBA-ja kapi një anije me flamur iranian.

Shtabi Qendror Khatam Al-Anbiya, që shërben si komanda e përbashkët ushtarake e Iranit, paralajmëroi të shtunën se do të përgjigjej nëse Shtetet e Bashkuara e vazhdojnë bllokadën./Europa e Lirë/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?