
Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar një moment të sikletshëm gjatë telefonatës tradicionale me ushtarakët amerikanë që shërbejnë jashtë vendit, me rastin e festës së Falënderimeve. Gjatë komunikimit, Trump u përpoq fillimisht të përfshinte në bisedë edhe bashkëshorten e tij, Melania, duke pyetur ushtarët nëse kishin ndonjë pyetje për Zonjën e Parë, e cila ndodhej pranë tij.
Trump iu drejtua një piloti të Forcave Ajrore amerikane, i cili shërben në Arabinë Saudite, duke i bërë një pyetje të pazakontë për karrierën e tij ushtarake dhe një jetë luksoze në New York, me Melanian pranë.
“Do ta ndërroje këtë jetë, duke fluturuar me këta avionë të bukur që i do kaq shumë, me një apartament luksoz në një ndërtesë në New York dhe një grua të bukur si Melania pranë teje? Është një pyetje e vështirë, kujdes si përgjigjesh!”, e pyeti Trump pilotin.
Piloti, nënkoloneli Brent Smith, shpjegoi se dëshira për t’u bërë pilot kishte nisur që në fëmijëri dhe se nuk do ta ndërronte ëndrrën e tij me asnjë luks.
“Ky është profesioni që kam dashur të bëj që kur isha fëmijë dhe nuk do ta ndërroja me asgjë”, u përgjigj ai.