Vapa ekstreme i lë vendin përmbytjeve vdekjeprurëse
Të paktën 5 persona kanë humbur jetën dhe 3500 të tjerë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, si pasojë e përmbytjeve që kanë goditur juglindjen e Spanjës.
Lumenjtë dolën nga shtrati teksa disa zona të Valencias, Murcias dhe Andalucia-s lindore u përballën me disa prej reshjeve më të dendura të regjistruara ndonjëherë më parë.
Të paktën 3 persona humbën jetën pasi vërshimi i ujit i mori përpara, ndërkohë që ndodheshin brenda në automjetet e tyre. Një tjetër person gjeti vdekjen pasi mbeti i bllokuar brenda një tuneli të përmbytur në autostradë. Një person tjetër u gjet i vdekur në fshatin Redovan në Valencia, pasi ishte larguar në këmbë nga shtëpia e tij, mëngjesin e së premtes.
Shirat e rrëmbyer, sipas BBC, shkaktuan kaos nëpër rrugë dhe në transportin publik. 2 aeroporte në Murcia dhe Almeria u mbyllën, duke lënë pezull udhëtarët.
Me mijëra oficerë policie, punonjës të zjarrfikëses dhe ushtarë po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit, disa me varka e helikopterë.
Shumë prej linjave të transportit hekurudhor në vend u mbyllën, ashtu sikurse edhe shumë shkolla në këtë rajon. Vetëm në Valencia pa shkollë kanë mbetur 689 mijë studentë.

KOHA JONË SONDAZH

