
Mesfushori portugez Bruno Fernandes vazhdon të shkruajë historinë në Premier League, duke arritur një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij me Manchester United.
Gjatë ndeshjes së javës së 34-t ndaj Brentford, kapiteni 31-vjeçar dhuroi një asist vendimtar, duke e çuar në 19 numrin e pasimeve për gol në këtë sezon. Një shifër mbresëlënëse, që e vendos vetëm një hap larg rekordit absolut të asistimeve në një sezon të vetëm në kampionatin anglez.
Por arritja më e madhe vjen në totalin e kontributeve direkte në gola. Me këtë asist të fundit, Fernandes ka arritur në kuotën e 140 përfshirjeve në gola në Premier League, 70 gola dhe 70 asiste, duke barazuar kështu legjendën portugeze Cristiano Ronaldo gjatë periudhës së tij në “Old Trafford”.
Ndryshe nga Ronaldo, i cili e ndërtoi këtë shifër kryesisht mbi gola (103 gola dhe 37 asiste), Fernandes spikat për një balancë të përkryer mes finalizimit dhe krijimit të rasteve për shokët e skuadrës. Ai po konfirmohet gjithnjë e më shumë si zemra e lojës së “Djajve të Kuq”, në një sezon ku roli i tij është vendimtar.
Me këtë ritëm, Bruno Fernandes është pranë kapërcimit të ikonave të së kaluarës dhe vendosjes së emrit të tij në mënyrë të pashlyeshme në historinë e klubit dhe të futbollit anglez.
