Një emergjencë që po refuzojmë ta shohim

“Kriza humanitare e refugjatëve të luftës  në Lindjen e Mesme po i afrohet frikshëm Shqipërisë. Është momenti që qeveria shqiptare, por edhe institucionet e tjera të shtetit, të formësojnë një platformë konkrete për mënyrat dhe mjetet e përballimit të një situate komplekse dhe me kosto të larta sociale dhe ekonomike për vendin”…

Nga Skënder Minxhozi

Mediat e huaja kanë kohë që po e ndjekin me shumë kujdes fluksin e refugjatëve të luftës (dhe jo vetëm), nga Ballkani drejt Veriut të Europës. Për një tekë të fatit, prej muajsh turmat e sirianëve, irakenëve dhe të afrikano-veriorëve po i kalojnë pranë Shqipërisë, pa u dyndur në rrugët dhe qytetet e saj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duket se na ka shpëtuar fakti që jemi një cep ende i izoluar i kontinentit nga pikëpamja e infrastrukturave, aq sa është e vështirë që nga pikat tona kufitare jugore dhe lindore, të kapësh Veriun e vendit, për të vijuar më pas në Mal të Zi apo Kroaci. Nëse fjala vjen, mes Kapshticës dhe Kakavijës nga njëra anë, e Shkodrës nga ana tjetër, do të kishte arterie të qëndrueshme rrugore apo hekurudhore, me shumë gjasë do të përjetonim edhe ne emergjencën e Maqedonisë dhe Greqisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Megjithatë lajmet e orëve të fundit na thonë se Shqipëria nuk do të kursehet nga kriza e refugjatëve. Jo vetëm e atyre qindra iranianëve që Sekretari i Shtetit Kerry ra dakord t’i sjellë në vendin tonë, por e mijëra sirianëve e irakenëve që po ikin masivisht nga qytetet e fshatrat e tyre në luftë me ISIS. Orët e fundit si kryeministri, ashtu dhe ministrja e mbrojtjes apo ai i jashtëm, janë përpjekur të hedhin ujë mbi një zjarrin e krizës së refugjatëve, që po fillon të digjet, e që mund të marrë përmasa shqetësuese në ditët e ardhshme.

Është një emergjencë humanitare e cila këto muaj ka goditur dhe ka nxjerrë jashtë ekuilibrit shtete si Gjermania, Hungaria e Austria, pa folur për fqinjët tanë maqedonë, grekë e serbë, të cilët kanë mbyllur kufinjtë me tela me gjemba dhe luftojnë përditë për të kufizuar sa të munden flukset e njerëzve të dëshpëruar që kërkojnë të kalojnë drejt vendeve të pasura europiane. Si të mos mjaftonte kriza financiare greke dhe dalja e mundshme e Britanisë nga Unioni, Bashkimi Europian është tronditur thellë muajt e fundit nga kriza e refugjatëve, e cila ka ekspozuar edhe një herë dobësinë e thellë që Brukseli ka, sa i takon sigurisë së kufinjve të tij të jashtëm.

Shqipëria do të ftohet të bëjë pjesën e saj në këtë emergjencë kontinentale. Pas pak ditësh, shefja e diplomacisë europiane Mogerini do t’ja kërkojë këtë favor zyrtarëve shqiptarë në Tiranë, gjatë vizitës që do të bëjë në vendin tonë. Është e tepërt të thuhet se kjo krizë na gjen në një situatë dukshëm më të keqe sesa vendet e tjera, të cilat kanë pasur struktura, buxhete dhe eksperiencë në përballjen e emergjencave të tilla. Vala e fundit masive e refugjatëve të luftës, ajo e shqiptarëve të Kosovës 17 vjet më parë, tashmë është harruar, ndërkohë që shteti shqiptar ende nuk ka deklaruar publikisht planet e tij përballë një hapjeje të mundshme të kufinjve. Deklaratat e Bushatit e Kodhelit lenë të kuptohet se Shqipëria mund të presë vetëm sasi të kufizuara refugjatësh në strukturat e saj. Po a është ky edhe mendimi i europianëve? Dhe a do të kemi ne fuqi të refuzojmë si shtet, presionin në rritje të BE për të marrë më shumë refugjatë në territorin tonë, sesa ajo që kemi planifikuar?!

Kriza humanitare e refugjatëve të luftës  në Lindjen e Mesme po i afrohet frikshëm Shqipërisë. Është momenti që qeveria shqiptare, por edhe institucionet e tjera të shtetit, të formësojnë një platformë konkrete për mënyrat dhe mjetet e përballimit të një situate komplekse dhe me kosto të larta sociale dhe ekonomike për vendin. Turmat e të dëshpëruave në kufinjtë grekë dhe maqedonas nuk parathonë asgjë të mirë, as për ne që deri tani kemi mundur të mbajmë statusin e spektatorit në një krizë që luhet para këmbëve tona. (Java)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?