Sikur janë dy Shqipëri!

Nga Ben Andoni/“Ideja që mund të ketë përgjithmonë dy Evropa, njëra syresh demokratike, e qëndrueshme dhe e begatë, e angazhuar në integrimin dhe tjetra më pak demokratike, më pak e qëndrueshme dhe më pak e begatë është plotësisht e gabuar. Ajo i ngjan një lloj besimi sikur të thuash se gjysma e një dhome mund të nxehet, kurse tjetra të mbetet e pangrohur. Ekziston vetëm një Evropë, pavarësisht nga diversiteti i saj, kurse çdo gjë që do të ngjajë në një nga gjysmat do të ketë pasoja të natyrshme në të gjithë pjesën tjetër të kontinentit”. Pak a shumë ky ishte thelbi i një fjalimi honorifik, mbajtur pak vite më parë nga Vaclav Havel në PE. Apeli ishte i hapur për zyrtarët që i referoheshin por edhe që i referohen gjithmonë njësisë tonë evropiane, me një konceptim si dy pjesë të kundërta.  I thjeshtë, por edhe i drejtpërdrejtë, gjatë të gjithë jetës post-liri disidenti i njohur dha pika ku duhej të reflektonin strukturat e mëdha të BE, por më shumë nga të gjitha vetë shoqëritë ish-komuniste dhe liderët e tyre të tranzicionit.

Një e tillë si Shqipëria jo thjesht lë shumë për të dëshiruar sa i përket qasjes demokratike, por të habit me kthesat e jashtëzakonshme dhe paradokset. Publiku do habitej realisht kur një raport i nxjerrë prej BERZH-it, vlerësonte se 31 për qind e shqiptarëve e duan sistemin autoritar. Në raportin “Jeta në Tranzicion”, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka nxjerrë se pjesa e shqiptarëve që duan qeverisje autoritare është tre herë më e lartë sesa ajo e qytetarëve të Europës Perëndimore. Ajo e tejkalonte madje edhe vetë mesataren e ish-vendeve komuniste simotra me Shqipërinë, ku i njëjtë tregues raportohej në deri 28%! E nuk mbaronte këtu sepse nëse pjesa më e madhe kuptohet se është për demokraci, edhe kjo masë është bjerrë sepse nga 57% që e votonin këtë zë në vitin 2010, ajo ka përfunduar në 50% aktualisht!

Jashtë këtyre, ajo që të dhemb është se Shqipëria duket e ndarë në dyfish, jo vetëm në statistika, por deri në qëndrimet e partive politike; në idetë e kryeministrit; të liderit të opozitës; në platformat pafund kundërshtuese, që hedhin aktorë të ndryshëm por që asnjëherë nuk konvertojnë, sa i përket vendit. Duket se një pjesë e do Shqipërinë të nxehtë, si do të thoshte Haveli, kurse pjesa tjetër të ftohtë. A mund të ndodhë kjo vallë, në një areal kaq të vogël dhe me shumë probleme ekonomiko-politiko-sociale? Asesi jo. Opozita tashmë lufton përveç se me pozitën, dhe me vetveten. Pozita e deritanishme nuk e kursen anatemën, porse njësoj qeverisin me ish-aleatët e tyre, që nga ana e tyre i stigmatizojnë, por vazhdojnë e qëndrojnë në qeveri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhe Shqipëria si pasojë po dhuron gjithnjë e më shumë parametra të frikshëm. Kjo nuk lidhet vetëm me ikjet masive nga vendi, por me azilkërkuesit dhe mbi të gjitha humbjen e shpresës. Kuptohet këto zenë pak vend në media, përpos propagandës të aseteve turistike (që gjithsesi duhet vlerësuar për vendin). Shqipëria e këtij imazhi mbytet sakaq nga ajo tjetra e piromanëve të pashpirt, që nuk duan të rreshtin së kalluri në zjarr vendin, ashtu si masa e madhe e nihilistëve, që hedhin poshtë gjithçka. Kurse në rrjetet sociale, shqiptari i thjeshtë përball politikanët e dy Shqipërive, që flasin vetëm kundër; apo atë atdhe që të fton ta ndërtosh, shijosh dhe zbukurosh dhe tjetri pashpresë, që kërkon autoritarizmin dhe ekonominë totalisht të centralizuar. Ç’po ndodh vallë? A po jetojmë në dy Shqipëri krejt të ndara? (Javanews)

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?