Home Aktualitet Gripi i shpen...

Gripi i shpendëve/ Zv.ministrja e Bujqësisë: Njerëzit s’rrezikojnë infektimin, janë izoluar vatrat

12
0

Ditën e djeshme, Ministria e Bujqësisë bëri me dije se janë konstatuar rastet e para të gripit të shpendëve në vendin tonë, të tipit H5N8. Zv.ministrja Ermira Gjeçi thekson se situata është nën kontroll. Po ashtu ajo thotë se rastet e konfirmuara janë në ferma të vogla shtëpiake dhe se deri më tani kanë ngordhur 300-320 shpendë. Lajmi i mirë është se njerëzit nuk rrezikojnë infektim nga ky virus, ndërsa shton se janë marrë masa, duke ndaluar importin e shpendëve të gjalla dhe produkteve të mishit, nga shtete si: Kosova, Greqia, Polonia, Sllokvakia, Hungaria, Gjermania, Ukraina, Izraei, Belgjika, Rumania, Çekia, Danimark, etj.

“Në tre vatrat e konstatuara kanë ngordhur 300-320 shpendë. Rastet e konfirmuara janë nëpër ferma të vogla shtëpiake, pula, rosa e pata. Prejardhja e gripit dyshohet nga shpendët e egra migratore. Është ndaluar importi i shpendëve të gjalla dhe produkteve të mishit, Kosovë, rajone të Greqisë Veriore, Poloni Sllokvaki, Hungari, Gjermani, Ukrainë, Izrael, Belgjik, Rumani Ceki, Danimark etj., me qëllim shmangien e infektimit. Situata është nën kontroll, janë izoluar vatrat dhe janë nën monitorim. Njerëzit nuk rrezikojnë infektim nga gripi i shpendëve”, tha Gjeçi për ”Report TV”.

Në doganën e Morinës nuk do të lejohet importi i shpendëve, produkteve e nënprodukteve të tyre. Inspektorët e AKU në Morinë ndjekin zbatimin e këtij vendimi duke kontrolluar të gjitha mallrat që hyjnë në Morinë. Inspektori i AKU-së Hysen Daci thotë se nuk ka raste të tilla në doganën e Morinës edhe për shkak se përmes kësaj pike nuk importohen produkte të tilla. Daci tha se po bashkëpunohet ngushtë me të gjitha autoritetet për monitorimin e situatës. Inspektorët e AKU-së dhe shërbimi veterinar në Kukës po kryejnë inspektime e kontrolle në tregje e njësi shërbimi për produktet me prejardhje të shpendëve.

Pas konfirmimit të tre vatrave me gripin e shpendëve edhe në Shqipëri, ekspertët flasin për ndikimin e virusit në shëndetin publik. Shefja për sëmundjet infektive, Silva Bino sqaron popullatën se rreziku nga H5N8 është i ulët dhe se produktet e shpendëve mund t’i konsumojnë, por pasi të jenë gatuar mirë. Gripi i shpendëve H5N8, i konfirmuar tashmë edhe në Shqipëri, ka rrezik të ulët për shëndetin publik.

Sipas të dhënave nga agjensitë europiane, deri tani nuk ka patur prekje në njerëz, me përjashtim të tre rasteve në Rusi, të cilët kanë forma të lehta. Bino deklaron se ky virus nuk është si llojet e tjera që qarkulluan vite më parë. Ajo këshillon popullatën që produktet e shpendëve t’i konsumojnë, por pasi t’i kenë gatuar mirë. Gripi është i përhapur thuajse në të gjithë Europën, por ajo që është e rëndësishme, sipas ekspertëve, është se ky virus nuk tranmetohet nga njeriu tek njeriu.

Që në muajin mars, përmes një analize botuar te gazeta Panorama, prof. dr. Kristaq Bërxholi paralajmëroi rrezikun e radhës që kërcënonte vendin tonë duke apeluar qeverinë të mos e nënvlerësonin situatën. ”Që vendi ynë nuk është i imunizuar, nga mos hyrja e virusit H5N8, është e ditur. Ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë drejtim si: Virusi është evidentuar në vendet fqinje, kemi një zonë mjaft të gjatë bregdetare, liqene, lugina lumenjsh, që janë mjaft të pëlqyeshme nga shpendët migratorë. Mbi vendin tonë, kalojnë rrugët e shpendëve migratorë, sidomos rruga mesdhetare dhe ajo e detit të zi. Në zonat rurale, ende mbahen shpendët e buta jashtë edhe natën, gjë e cila favorizon përhapjen dhe prekjen e tyre”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit