Home Aktualitet Intervistë ek...

Intervistë ekskluzive e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano, dhënë “KOHA JONË”

602
0

Intervistë ekskluzive me drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit Gledis Nano, dhënë drejtorit të medias KOHA JONË, Nikoll LESI

Pyetje 1: Keni marrë detyrë të vështirë, por ju mban pasioni për punën apo puna si detyrim ndaj Shtetit?

Përgjigje: Sigurisht që detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, mbi të gjitha, është një privilegj i lartë dhe endrra e çdo punonjësi apo punonjëseje policie që udhëhiqet nga pasioni për punën. Nga ana tjetër mendoj se ky privilegj bart me vete detyrime të cilat shkojnë përtej detyrimeve të një detyre shtetërore. Në rradhë të parë është një detyrim ndaj fëmijëve tanë, familjes, ndaj shoqerisë ku jetojmë dhe sigurisht që, edhe ndaj vetes.

Për t’iu përgjigjur pyetjes, mendoj se detyrime të tilla burojnë nga vetë pasioni për punën dhe përshkojnë bashkë rrugën e karrierës.

Pyetje 2: Çdo drejtor i Përgjithshem që ka ardhur në këtë detyrë ka thënë se “do bëjë epokë në reformim të policisë”, por për njëmijë arësye nuk ja ka arritur ta kryejë përbetimin e bërë kur merr detyrën. Mendoni se do jeni ndryshe apo pas disa viteve do themi se “si të tjerët iku dhe ky!”?

Po të shohim në retrospektivë ecurinë e reformave në Organizaten e Policisë, kuptojmë që ajo ka pësuar ndryshime thelbësore përgjatë vitëve. Ndryshimet vijnë si kërkesë e nevojave të kohës, zhvillimeve shoqerore, ekonomike dhe sigurisht reformave ligjore. Duhet të

kemi parasysh gjithashtu që përceptimi mbi implementimin e reformave nuk është i mënjëhershëm. Detyra e çdo drejtuesi është që me vizionin e tij, të identifikojë këto zhvillime dhe të projektojë të ardhmen e organizatës. Termi “reformë” në polici në mendimin tim, nuk duhet të lidhet domosdoshmerisht me ndryshime në staf dhe emra, por me ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve si dhe manaxhimin në mënyre efikase të burimeve ekzistuese. Reforma të tilla, sigurisht që kërkojnë kohen e nevojshme që të reflektohen në përformancen e Policisë, por ato janë solide dhe afatgjata.

Pyetje 3: Natyrisht që ka SPAK, por parasegjithash ka Polici Shteti tash 100 vite e kusur. A mendoni të kapni korrupsionin dhe krimin e organizuar apo gjithçka do mbetet në duart e SPAK?

Lufta kundër këtyre fenomeneve nuk mund, kurrsesi, të mendohet si ndermarrje e vetëm njerit nga institucionet. Policia e Shtetit ka struktura të specializuara në luftën kundër krimeve financiare dhe atyre kundër krimit të organizuar. Nuk duhet të harrojmë që disa nga operacionet e finalizuara nga SPAK kanë patur zanafillen e tyre në zyrat e Policisë së Shtetit. Kështu që një nga synimet tona është sigurisht forcimi i bashkëpunimit dhe i besimit të ndërsjelltë në hetimin dhe goditjen e këtyre fenonemeve.

Pyetje 4: Raportet me ministrin e brendshëm do jenë që ai është “Zoti” apo se Ju keni Ligjin për Policinë e Shtetit, ndonëse ministri Çuçi mbetet një njeri nga shoqeria civile e jo “diktator”. Por politika fut hundët në Polici, gjithsesi, zoti Drejtor i Përgjithshëm!

Raporti i Ministrit të Brendshëm me Policinë e Shtetit është i përcaktuar qartë në Ligj. Unë mendoj se e kemi kaluar tashmë kohen kur politika ushtronte ndikim në çështje policore. Kuadri ligjor në të cilin operon Policia e Shtetit e mbron atë dhe e bën të pamundur ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të politikës. Tashmë ndërhyrja mund të realizohet vetëm nëpërmjet reformave ligjore që , sigurisht , më parë kalojnë nga Parlamenti. 

Pyetje 5: A ka rreziqe për akte terroriste mëqënëse Shqipëria ka Muxhahedinët dhe Afganët?

Fillimisht me lejoni t’ju them që Shqiperia, ashtu si çdo vend tjetër, nuk është imune ndaj akteve të mundshme terroriste. Ne jemi dëshmitarë se si vendet më të zhvilluara, janë prekur nga akte të tilla. Thënë kjo, ne nuk mund të lidhim domosdoshmerisht akte të mundshme me grupe të caktuara qofshin këto etnike, fetare apo politike.

Megjithatë, mendoj se Agjencitë Shqiptare kanë ngritur kapacitetet e nevojshme dhe kanë një bashkëpunim të shkëlqyer mes tyre dhe me partnerët ndërkombetarë në luftën kundër terrorit.

Pyetje 6: Ju keni kontribute të jashtezakonshme për evakuimin e disa personave në kampet siriane. Ishte aventurë e kendshme policore apo rrezik jete në këto operacione?

Evakuimi i shqiptarëve nga kampet siriane të luftës ishte  dhe mbetet një sfidë shumë dimensionale.

Një proces i tillë është zhvilluar në rrafshin diplomatik, në atë politik dhe sigurisht edhe në atë policor.

Për nga vetë veçantia e këtyre operacioneve, ekzistojnë rreziqe që ato mund të dështojnë që në tavolinat e diskutimeve. Dështimi në terren me pas, sidomos në një terren të paqartë si ai i Sirisë Verilindore, është diçka që vjen me pasoja.

Megjithatë, mendimi që do të kthenim në Shqipëri fëmijë shqiptarë të pafajshëm ishte një motivim shumë i fortë.

Pyetje 7: Nëse politika të bën presion në punën tënde, Ju do ta kundërshtoni apo do ta denonconi?

Për nga vetë natyra e punës, punonjësit e policisë përballen me presione në shumë momente gjatë ushtrimit të detyrës. Mendoj se mënyra se si njeriu reagon ndaj presionit është tregues i qartë i karakterit të njeriut.

Në disa raste, presioni ushtrohet në mënyra indirekte, madje me mirësjellje.

Në raste të tjera presioni është i drejtëpërdrejtë dhe në këto raste ai duhet denoncuar mënjëherë.

Pyetje 8: A ka ardhur koha që pagat e policisë të rishikohen thellësisht, pra të rriten?

Sigurisht që pagat e Policisë duhet të jenë gjithnjë objekt rishikimi. Nga ana tjetër, mendoj se punonjësve të policisë u duhen krijuar disa lehtësira në aspektin ekonomik. Lehtësira të tilla do të ndikonin në uljen e stresit dhe në një rritje të përformancës profesionale. Një punonjës policie me siguri ekonomike do të reflektonte gjithmonë siguri në ushtrimin e detyrës.

Pyetje 9: Ju keni raporte ekselente me partenerët euroatlantike, natyrisht në fushen tuaj. A mendoni se Shqipëria është qendër e kalimit të kanabisit në Europë?

Meqë përmendet raportet tona me shtetet euroatlantike, dua të them se ne marrim vazhdimisht informacione dhe raporte operative mbi operacionet që zhvillohen në Evropë.

Mendoj se po t’i referohemi këtyre raportimeve dhe statistikave të vendeve perëndimore do të gjejmë që eksportuesit kryesore të kanabisit drejt Evropës janë vendet e Afrikes së Veriut. Gjithashtu, po ti referohemi raportimeve nga Guardia di Finanza, sasia e kanabisit që kapet në brigjet italiane është në rënie të vazhdueshme. Thënë kjo, Shqipëria nuk ka peshë kryesore në trafikimin e kanabisit.

Pyetje e fundit: Ju keni parimin “beso-kontrollo” apo nuk beson askund dhe kontrollon gjithkund?

Mendoj se duhet gjetur një balancë mes të dyjave sepse praktikisht nuk mund kurrsesi të punosh pa dhënë besim dhe nga ana tjetër kontrolli është një element kryesor në drejtim dhe si i tillë është i domosdoshëm.

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit