Home Kultura Kamera e Ridv...

Kamera e Ridvan Sokolit, syri i flatërimit të zogjve që dehin me magji qielli Liqenin e Shkodrës

23
0

Albert Vataj

Vetëm mund të imagjinoni, por jo ta rrokni me krahët e një arsyetimi racional; se sa përpjekje dhe shkrepje, se sa pritje dhe durim, se sa picërrim sysh dhe përqëndrim, se sa duhet për të përfunduar te një foto që ne shohim, apo te një galeri që na prezantohet. Ndoshta thjeshtë ju duhet ta merrni me mend, por pa mundur dot ta finalizoni, sepse duhet të jesh sy që sheh përmes lenteve të shpirtit, sublimitet pasioni që ngjitet në altar.
Kjo galeri fotosh që zgjodha të shoqëroj këto radhë për fotografinë e Ridvan Sokolit, janë secila më e bukur se tjetra dhe kjo bukuri ka të bëjë me çastin kur fotografi ka ndaluar kohën, për ta sjellë te ëndja jonë. Çdo foto është ajo që ju shihni, ajo që ju cyt kah qasja për ta përjetuar atë përplasje krahësh dhe fluturim zogjsh, atë prani shpendësh që popullojnë këtë Liqen, me të cilin u dashurova kur isha fëmijë dhe e adhuroj sot, për vërshimin e urtë që noton nëpër shelgje e përdredhon bregut, ku malli për Shkodrën lag sytë e freskon faqet.


Ndoshta nuk më duhet ta njoh personalisht fotografin që të shkruaj për të, sa ç’më intereson ta profilizoj shpirtshëm atë; për punën e bërë me pasion dhe përkushtim, për fotot që ai ka realizuar, për Liqenin e Shkodrës që ai na ka mëkuar përmes sqepit të këtyre zogjve dhe rrokaqiellit të këtyre fluturakëve.
Duhet të vinin fotografët, Ridvan Sokoli, miqve dhe kolegëve të tij, që ne të kuptonim se Liqeni i Shkodrës është një habitat i rëndësishëm dhe unik në Ballkan, për biodiversitetin, veçanërisht për popullatën e zogjve që e përshkojnë me atë liri që është në ëndërrimet e secilit nesh.


Duhet të vinte fokusi i aparatit të tyre që ne të kuptonim se ky liqen, i cili shtrihet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, ofron një habitat të pasur dhe të larmishëm për shumë lloje zogjsh, duke përfshirë lloje të rralla dhe të mbrojtura.


Është pasioni, vendosmëria, durimi dhe dashuria e atyre fotografëve që ne sot të kuptojmë edhe një veçori të Liqenit të Shkodrës si një ndalesë e rëndësishme për shumë shpendë migratorë gjatë udhëtimeve të tyre vjetore.
Në këtë aradhe të begutueshme pasionantësh për natyrën dhe jetën e egër, të atyre që janë syri dhe zëri, shpirti dhe frymëzimi i Liqenit të Shkodrës, fotografi Ridvan Sokoli shënjon. Ai është njëri prej atyre të dashuruarve me liqenin, sa ç’është i dalldisur për fluturakët që e kanë shndërruar këtë suprinë të blutë, ku Shkodra mrekullohet në reflektimin e saj si një narcis, ku historia e saj rrugëtoi në krahë zogjsh e në borde anijesh.


Liqenit të Shkodrës, kësaj embleme të qytetit, duhet t’i ktheheshin shpirtrat e etur për fluturime, si ai i Ridvan Sokolit, që ne ta rrokim këtë hapësirë me përmasat e krahëve të fluturakëve që vijnë dhe shkojnë, që ne të zhytemi thellë në dehjen e këtij vërshimi të urtë për të kuptuar dhe dëgjuar rrapëllimën e lopatave të varkëtarëve që rremojnë dhe sqepeve të zogjve që peshkojnë.


Fotografi Ridvan Sokoli me dashurinë e tij për shpendët në përgjithësi, atyre që popullojnë habitatin e Liqenit ët Shkodrës në veçanti, ka sjellë në kërshërinë e të gjithëve një realitet të magjishëm të populluar nga flatrakët, nga llojet e ndryshme të zogjve.
Përmes fokusit të aparatit të tij, ne arrijmë të kuptojmë gjithashtu teatralitetin e kësaj natyre të egër krahëflatëruarish që shpërfaqet madhërishëm në këtë liqen dhe dhurojnë spektakël në skenën e magjishme të virtuozitetit mëtues.


Me fotot e tij, Ridvan Sokoli na ka treguar se pasioni për fotografinë nuk mund të shkëputet nga dashuria me Liqenin dhe të kuptuarit e tij, si një habitat i rëndësishëm për zogjtë, si një mundësi për ushqim të bollshëm dhe vende për folenizim për shumë lloje zogjsh ujorë dhe shtegtarë.


Është kamera e tij, është ai durim që sfidon të padurueshmën për të fiksuar në foto një çast që është sa mijëra përfytyrime dhe reflektime që kridhen dhe notojnë mbi Liqen. Fotot e Ridvan Sokolit dhe kolegëve të tij të apasionuar i kanë kthyer Shkodrës, jo vetëm Liqenin, por edhe magjepsjen e tij të natyrshme, atë që shënjon Shkodrën në hartat e vëmendjes dhe interesimit të përbotshëm, jo vetëm për traditat e saja të jashtëzakonshme por edhe për Liqenin si një pikë e rëndësishme ndalimi për zogjtë shtegtarë, të cilët kalojnë nëpër Ballkan gjatë migrimit të tyre nga Evropa Veriore në Afrikë dhe anasjelltas. Kjo duke e bërë Liqenin e Shkodrës jo vetëm një destinacion i rëndësishëm për studiuesit dhe dashamirët e natyrës, të cilët mund të vëzhgojnë dhe të studiojnë zogjtë në habitatin e tyre natyror, por edhe për fotografët profesionistë, të cilët e kanë shndërruar këtë thesar në një destinacion për dashnorët e lirisë së qiellit.
Nga pelikani kaçurrel, si një nga shpendët më të famshëm të zonës, llojet e ndryshme të rosave, mjellmat, shqiponjat dhe skifterët, çafkat, llojet e zogjve këngëtarë si trishtilët dhe slavujet, kanë ardhur dhe shkuar, kanë peshkuar në Liqen dhe dhuruar spektakël, kanë pozuar për Ridvanin, Ilirin, Jetmirin, etj. dhe të tjerë, për t’u qenë faqe në historinë e Liqenit të Shkodrës, për të magjepsur me teatralitetin e tyre, për të mbetur çast në foto dhe adhurim.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit