Home Aktualitet Kisha Ortodok...

Kisha Ortodokse për dasmën e gocave: Jo përparim shoqëror, por kon*likt. Myftinia e Tiranës: Akti s’përfaqëson as fenë dhe traditën

384
0

Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj, çifti i së njëjtës gjini është lajmi që trazoi Tiranën. Të veshura me fustane nuserie, ato kurorëzuan dashurinë në tarracën e bashkisë së Tiranës mbrëmjen e 19 majit, celebrim që ndodh për herë të parë në bashki. Kurorëzimi i tyre u bë nga dy pastorë britanikë, si një lëvizje simbolike për të promovuar të drejtat e LGBT+. Kisha Ortodokse Autoqefale në një reagim, thekson se nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror, e tatëpjetë.

”Në lidhje me martesën e së njëjtës gjini, kryer në Bashkinë e Tiranës, ditën e djeshme, dt. 19 maj 2024, siç jemi shprehur edhe më parë, si në deklaratën e janarit 2024, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë mban të njëjtin qëndrim: Është më se e njohur se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre. Asnjë kulturë, fe apo sistem ligjesh (Soloni, Platoni etj.) nuk e ka institucionalizuar bashkëjetesën homoseksuale si martesë. E panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore. Përkundrazi, një ligj i tillë fyen krijimin. Nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror, e tatëpjetë. Kisha është e detyruar të artikulojë qartë konceptin dhe vlerën e martesës, rëndësinë e familjes dhe të lindjes së fëmijëve në përputhje me tekstet e saj të shenjta dhe traditën e saj shekullore (siç u deklarua në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë në vitin 2016)”- thuhet në reagimin e kishës Ortodokse.

Myftinia e Tiranës ka reaguar pas ceremonisë së çiftit të së njëjtës gjini në tarracën e bashkisë së Tiranës. ”Myftinia Tiranë ka përcjellë me shqetësim aktin e pabazuar ligjërisht të një “martese” mes dy individësh të së njëjtës gjini të mbajtur në ambientet e një institucioni shtetëror. Me të njëjtin intensitet, Myftinia Tiranë, përcjell edhe shqetësimin e mijëra besimtarëve dhe qytetareve të Tiranës, të cilët ndjehen të irrituar para një akti të tillë i cili nuk përfaqëson as botëkuptimin, as fenë dhe as traditën e shqiptarëve. Zhvillimi i një procedure të tillë në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe Kodin e Familjes së Republikës së Shqipërisë është një veprim i rrezikshëm për të legalizuar dhe normalizuar një proces që tenton të imponohet pa dëshirë përmes shkatërrimit të familjes dhe kulturës tonë kombëtare. Ne, këshillojmë dhe u bëjmë thirrje institucioneve të jenë të kujdesshëm ndaj ngjarjeve të tilla duke mos u profilizuar në drejtimin e kundërt me pjesën dërrmuese të votuesve dhe taksapaguesve shqiptarë. Myftinia Tiranë, mbetet e angazhuar tërësisht dhe fuqimisht në mbështetjen dhe promovimin e vlerave të familjes si thelbi i shoqërive të krijuara nga Zoti i Lartësuar për mbarëvajtjen e njerëzimit. Po ashtu mbetet e angazhuar në promovimin e çdo akti i cili synon lartësimin moral të ndërgjegjes tonë kombëtare si dhe çdo sipërmarrjeje që çon drejt mirëqenies tonë publike materiale apo shpirtërore qoftë ajo”,-thuhet në reagimin e Myftinisë së Tiranës.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit