Home Aktualitet Koleksionisti...

Koleksionisti shkodran Andrea Jakova hap një “Dritare në kohë” përmes kartolinave të vjetra në Tuz

195
0

Nga Albert Vataj

Në kuadrin e aktiviteteve që gjallërojnë jetën kulturore-artistike të shqiptarëve në Tuz të Malit të Zi, mbrëmë (27.06.2024) në galerinë e QKI “Malësia” u hap ekspozita e kartolinave Purger&Co e quajtur “Dritare në kohë” e koleksionistit Andrea Jakova me kurator  Maxhid Cungu nga Shkodra. Imazhet e këtij koleksioni kartolinash pasqyrojnë qytetet shqiptare të viteve 1914-1918. Ekspozitën e hapi drejtori i QKI “Malësia” z.Vasel Berishaj dhe do të qëndroj e hapur ditëve të punës prej 8-14h deri më 04.07.2024.

Historia e kartolinës shqiptare është mbinjëshekullore. Fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit të njëzetë është koha kur Shqipëria u fut në kartolina, kryesisht përmes një manifestimi të bukurisë karakteristike të gruas shqiptare në veçanti dhe larmisë së veshjeve të saj. Gjithashtu një vend të rëndësishëm zuri edhe fotografia e qyteteve dhe peizazhit, siç edhe e dëshmon ekspozita e haput në Tuz të Malit të Zi nga koleksionisti Andrea Jakova me kurator  Maxhid Cungu.

Një ndër koleksionet më të bukura të kartolinave  shqiptare është ai i një autori austriak realizuar në zonën e Shkodrës, por u dominua nga fotot e Marubit. Por vitet më të mira për kartolinat shqiptare filluan pas viteve 1910-1915 e më vonë, sidomos në vitet tridhjetë, kur pati një kulminacion kartolinash shumë prej të cilave kanë arritur të mbijetojnë deri sot. Këto kartolina shtypeshin jashtë sigurisht, shumica ishin të teknikës bardhë e zi. Kartolinat e para mendoj se janë shtypur në Turqi. Tematika e tyre përqendrohej në kostumografinë shqiptare të kohës dhe ishte kjo veçori që e shtoi vlerën e këtij lloj publikimi.

Më pas  kartolinat nisën të shtypeshin në Austri, Itali, në Kostancë të Rumanisë, dhe kudo ku kishte shqiptarë dhe shoqata shqiptare, madje edhe në Amerikë. Autorët ishin shqiptarë ose të huaj. Ishim të panjohur dhe misterioz për një pjesë të vendeve dhe kulturave dhe kartolina u shfaq si një prezantim unik i kësaj kulture dhe tradite, vlerat e së cilës ishin po kaq perëndimore sa e çdo vendi ku ajo u pa dhe u trajtua si një befasi.

Kjo ekspozitë jo vetëm do të hapë një “Dritare në kohë” përmes fotografisë, por do të ridimensionojë njohjen e Shqipërisë të mbi një shekulli më parë. Kartolina ka dëshmuar dhe do të dëshmojë se është një urëbashkim i kujtesës dhe historisë, një lidhje që nuk denjon të këputet, përkundrazi të përshkojë fillin që lidh brezat.

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit