Euro në minimum historik, çfarë po ndodh me kursin e këmbimit?

Euro ka vijuar rënien edhe gjatë kësaj jave, duke prekur një rekord të ri historik kundrejt lekut. Sipas kursit zyrtar të Banka e Shqipërisë, një euro u këmbye me 95.19 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Që nga fillimi i vitit, monedha europiane ka humbur rreth 1.6% të vlerës së saj kundrejt lekut, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rënia arrin në afro 2.8%.

Fenomeni lidhet me disa faktorë që po ndikojnë tregun valutor shqiptar. Rritja e të ardhurave nga turizmi, remitancat e emigrantëve, investimet e huaja dhe hyrja e vazhdueshme e valutës në ekonomi kanë shtuar ofertën e euros në treg, duke ushtruar presion për zhvlerësimin e saj ndaj lekut.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përballë kësaj situate, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë vazhdimisht gjatë dy viteve të fundit, duke blerë euro në treg me qëllim frenimin e forcimit të mëtejshëm të lekut dhe zbutjen e luhatjeve të kursit të këmbimit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Megjithatë, pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, tendenca e rënies së euros ka vijuar. Kjo situatë favorizon konsumatorët dhe bizneset importuese, pasi produktet e importit bëhen më të lira. Nga ana tjetër, ajo dëmton eksportuesit, industrinë prodhuese, sektorin e turizmit dhe mijëra familje që marrin të ardhura në euro nga emigracioni.

Kjo ulje e fortë e euros vjen edhe si pasojë e futjes së qindra milionë eurove nga trafiku i drogës dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Dyshimet janë se grupet e kokainës po sjellin akoma qindra milionë euro cash, duke i futur në tregun e ndërtimeve apo turizmit, gjë që sjellë uljes e normës së këmbimit me lekun.

Pyetja që shtrohet sot është nëse kemi të bëjmë me një forcim të qëndrueshëm të lekut si rezultat i zhvillimeve ekonomike, apo me një fenomen që kërkon ndërhyrje më të forta për të mbrojtur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Në çdo rast, niveli i ri historik i euros po kthehet në një sfidë gjithnjë e më serioze për sektorët që sigurojnë të ardhura në monedhën europiane

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?