Izraeli dhe Ballkani: Armë dhe interesa të tjera
Ombudsmani i Izraelit – një institucion i pavarur që mbikëqyr punën e Qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore – paralajmëroi në mes të majit të këtij viti se vendi, i cili gjendet në luftë që nga tetori i vitit 2023, përballet me mungesë municionesh.
Kobi Michael, nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, thotë se mungesa u bë e dukshme menjëherë pas fillimit të luftës kundër Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – në Gazë, por shton se Izraeli nxori mësime të rëndësishme që nga ajo kohë.
“Fillimisht, duhet ta rikthejmë prodhimin në industrinë tonë vendore, pasi kemi mbyllur një pjesë të madhe të industrisë së mbrojtjes që kishim dikur. E kam fjalën për industrinë që prodhon municion bazë, por edhe për nevojën që të ndërtojmë kapacitete për ta furnizuar vetë ushtrinë tonë”, thotë Michael për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, qysh në fazën e parë të luftës, “ndihma” mbërriti nga Serbia.
Zhvillimet që pasuan, e bënë importin e armëve nga ky shtet i Ballkanit veçanërisht të rëndësishëm, ndërsa lidhjet ndërmjet Jerusalemit dhe Beogradit u forcuan, ndoshta më shumë se kurrë më parë.
Aleancë përmes armëve
Shtetet e Bashkuara ishin tradicionalisht furnizuesi më i madh i Izraelit me armë.
Por, kjo aleancë u lëkund në maj të vitit 2024, kur administrata e ish-presidentit Joe Biden ndaloi dërgimin e një pjese të armëve sulmuese, duke argumentuar se ato mund të përdoren kundër civilëve në Gazë.
Lufta kundër Hamasit, e cila shpërtheu pas sulmit të këtij të fundit në jug të Izraelit, ku u vranë mbi një mijë njerëz dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë, u shoqërua me akuza ndaj Izraelit për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ndaj palestinezëve në Gazë, ku jetonin më shumë se dy milionë banorë.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, mbi 70.000 njerëz u vranë gjatë ofensivës ushtarake izraelite.
Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarrestim për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, nën dyshimet për krime lufte.
Rrethanat ndërkombëtare, ndërkohë, ndryshuan ndjeshëm dhe Izraeli po ndërton partneritete të reja, përfshirë në Ballkan.
Sipas Michaelit, partneri më i rëndësishëm në rajon është Beogradi, i cili është bërë një furnizues i rëndësishëm për Izraelin, krahas Indisë, prej nga Izraeli siguron gjithashtu municion.
“Është biznes, por nuk është vetëm biznes. Do të thosha se është pjesë e një strategjie afatgjatë. Izraeli po krijon një lloj plani rezervë, në rast se gjatë një lufte përballet me probleme në furnizimin e vazhdueshëm me armë”, thotë Michael.
Se sa armë ka eksportuar Serbia në Izrael, nuk ka të dhëna zyrtare.
Në mars të vitit 2026, nëntë muaj pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, shpalli moratorium mbi eksportin e armëve, Radio Evropa e Lirë publikoi të dhëna për fluturime të avionëve transportues mes Beogradit dhe Tel Avivit.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk publikon të dhëna zyrtare për eksportin e armëve që nga viti 2022.
Sipas Dushko Llopandiqit, nënkryetar i Lëvizjes Evropiane në Serbi, afrimi i Beogradit me Izraelin duhet parë edhe në kontekstin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
“Mendoj se kur udhëheqësit serbë e shohin Izraelin, me njërin sy shohin edhe Shtetet e Bashkuara. Ekziston një lidhje e caktuar mendësie mes këtyre dy raporteve”, thotë Llopandiq.
Të jesh pranë Izraelit dhe SHBA-së
Vedran Obuqina, kryetar i Qendrës për Dialog Ndërfetar në Rijekë, thotë se është vështirë të parashikohet se si do të zhvillohen marrëdhëniet e ardhshme të Izraelit me shtetet e tjera, duke pasur parasysh, siç thotë ai, mënyrën “joracionale” se si po vepron shteti izraelit.
Sipas tij, kjo shihet në mungesën e gatishmërisë së Qeverisë izraelite për të pranuar çfarëdo forme të uljes së tensioneve në Lindjen e Mesme, sepe konflikti, përveçse në Gazë, është zgjeruar edhe në Liban, ku Izraeli vazhdon operacionet ushtarake, si dhe në Iran, ku vepron në aleancë me Shtetet e Bashkuara.
“Nga njëra anë, natyrisht, Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe është i rrethuar nga kërcënime serioze të sigurisë. Por, nga ana tjetër, mendoj se, aktualisht, po ndjek një politikë krejtësisht joracionale, e cila do të ketë pasoja edhe në Ballkan. Javëve të fundit kemi parë ministra – madje edhe vetë kryeministrin izraelit – të flasin hapur për sulme ndaj Turqisë, një shtet anëtar i NATO-s”, thotë Obuqina.
Në të njëjtën linjë argumenton edhe Roland Bimo, ish-ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.
Ai kujton se për Shqipërinë, marrëdhëniet me Turqinë kanë tradicionalisht rëndësi të veçantë – gjë që nuk përputhet plotësisht me afërsinë që Tirana ka ndërtuar me Izraelin.
Megjithatë, sipas tij, politika e jashtme shqiptare përcaktohet para së gjithash nga marrëdhënia me SHBA-në.
“Kjo është aq e theksuar, sa kujtoj se në fillim të viteve ‘90, kur mora detyrën si ambasador i Shqipërisë në SHBA, thuhej me shaka se detyra ime ishte ta doja vendin tim aq sa shqiptarët e duan Amerikën. Në këtë kontekst janë zhvilluar edhe marrëdhëniet shqiptaro-izraelite. Mendoj se bëhet fjalë, para së gjithash, për besnikërinë e udhëheqësve shqiptarë ndaj Shteteve të Bashkuara, e cila më pas reflektohet edhe në marrëdhëniet me Izraelin, më shumë sesa për Izraelin si aktor politik më vete”, thotë Bimo për Radion Evropa e Lirë.
Këto marrëdhënie u bënë edhe më të forta pas përkeqësimit të raporteve të Shqipërisë me Iranin, veçanërisht pas sulmit masiv kibernetik ndaj infrastrukturës shtetërore online, në vitin 2022.
“Shpërndarja e ideologjisë terroriste në hapësirën kibernetike është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kombëtare”, tha Kelly O. Hayes, prokurore e SHBA-së për Distriktin e Merillendit.
Hetimet, të kryera me ndihmën e SHBA-së, arritën në përfundimin se sulmi ishte organizuar nga shërbimet iraniane.
Raportet mes Tiranës dhe Teheranit ishin të tensionuara edhe më herët, në periudhën 2013-2016, kur Shqipëria pranoi rreth 3.000 anëtarë të grupit opozitar iranian Muxhahedin-e Halk.
Edhe protestat e fundit të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, që nisën fillimisht për çështje mjedisore, kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cilësoi si pjesë të një fushate që e lidhi me Iranin.
Ndryshe nga Shqipëria, aleancat e së cilës janë të qarta, Serbia vazhdon të ndjekë një politikë balancimi.
Kjo u pa edhe më 4 korrik, kur Beogradi dërgoi përfaqësues në ceremoninë mortore të udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, në Teheran.
Krahas Bjellorusisë, Serbia ishte i vetmi shtet evropian që u përfaqësua në atë ceremoni.
A ishte thjesht një gjest protokollar, apo një sinjal politik nga Izraeli, i cili e ka njohur Bosnje dhe Hercegovinën që në vitin 1992?
Kjo pyetje u ngrit pasi, në qershor të këtij viti, anëtarja e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, u prit në Jerusalem me flamuj të entitetit Republika Sërpska, dhe jo me flamurin shtetëror të Bosnje dhe Hercegovinës.
Sipas Llopandiqit, këto gjeste nuk duhen mbivlerësuar.
“Këto janë më shumë elemente folklorike sesa çështje thelbësore. Rëndësi kanë lidhjet në sektorin e teknologjisë dhe energjisë, si dhe bashkëpunimi mes shërbimeve të mbrojtjes. Serbia, ndërkohë, ndodhet në një pozitë të veçantë: nuk është pjesë e asnjë blloku dhe vazhdon të luajë në disa drejtime njëkohësisht. Ajo ka pasur marrëdhënie relativisht të mira edhe me vendet e Gjirit, por edhe me Iranin”, shpjegon ai.
Edhe sipas Obuqinës, përdorimi i flamurit të Republikës Sërpska në Jerusalem dërgon një mesazh të caktuar për Sarajevën, por nuk përbën shenjë të ndonjë ndryshimi të madh politik.
Ai shton se Izraeli nuk i ka përdorur ndjeshmëritë separatiste vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Kemi parë një qasje të ngjashme edhe në Afrikë. Së fundmi, Izraeli njohu Somalilandin. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht ndonjë mbështetje konkrete, por tregon se Izraeli ka një strategji të caktuar, ku gjeste të tilla diplomatike synojnë të prodhojnë efekte ose ndryshime të caktuara”, thotë Obuqina.
A mund të jetë i dëmshëm ndikimi i Izraelit?
Një pjesë e opinionit publik në Slloveni beson se po.
Në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian është duke u zhvilluar një hetim për rolin që dyshohet se ka pasur kompania private izraelite e inteligjencës, Black Cube, gjatë procesit zgjedhor në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti.
Sipas pretendimeve, operativët e kompanisë qëndruan në Slloveni në dhjetor të vitit 2025 dhe lidhen me disa incizime të fshehta, përdorimin e identiteteve të rreme dhe fushata në favor të disa politikanëve.
Qeveria sllovene e akuzon Black Cube për përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet parlamentare përmes incizimeve të fshehta, identiteteve të rreme dhe fushatave për diskreditimin e kundërshtarëve politikë, duke i cilësuar këto si ndërhyrje të huaj në procesin zgjedhor.
Shërbimi slloven i inteligjencës (SOVA) konfirmoi praninë e operativëve të kompanisë në vend dhe se është hapur një hetim.
Megjithatë, pretendimet për rolin e tyre konkret në manipulimin e zgjedhjeve mbeten ende objekt i hetimit, ndërsa kompania dhe opozita mohojnë çdo veprim të paligjshëm.
Lluka Lisjak Gabrijellçiç, historian dhe analist politik nga Lubjana, beson se bëhet fjalë për diçka më serioze sesa thjesht pretendime.
Sipas tij, motivi i Izraelit lidhet me faktin se Qeveria e mëparshme sllovene ishte ndër gjashtë vendet e Bashkimit Evropian që, pas tetorit 2023, njohën shtetin palestinez, duke e çuar në 15 numrin e vendeve anëtare të BE-së që e kanë bërë një gjë të tillë.
Pas zgjedhjeve, në koalicion me partitë e djathta, pushtetin e mori politikani populist i djathtë, Janez Jansha, i njohur për afërsinë me Izraelin, i cili tashmë ka paralajmëruar tërheqjen e njohjes së Palestinës.
“Sinqerisht, nuk mendoj se ky skandal i madh e ndryshoi rezultatin e zgjedhjeve. Në fund, qytetarët votuan pothuajse saktësisht ashtu siç e kishin parashikuar sondazhet para shpërthimit të aferës. Megjithatë, skandali rriti ndjeshëm pjesëmarrjen në votime. Ai e polarizoi edhe më shumë një shoqëri që ishte thellësisht e ndarë. Edhe sot, kjo mbetet një nga temat kryesore politike në Slloveni. Aktualisht, po zhvillohet një debat i madh për krijimin e një komisioni parlamentar që do t’i hetonte këto pretendime”, thotë Lisjak Gabrijellçiç.
“Kombinime të pazakonshme”
Vendet e Ballkanit janë të ekspozuara ndaj ndikimeve të ndryshme të jashtme në një mjedis global që ka ndryshuar ndjeshëm viteve të fundit.
Llopadiq nuk e përjashton mundësinë që ndikimi i Izraelit të ketë edhe pasoja problematike, por përgjegjësinë kryesore e sheh te politikanët vendas, të cilët pranojnë, siç thotë ai, “kombinime të pazakonshme” dhe “përzihen tepër në çështje që nuk janë tonat”.
“Për shembull, kujtoj se presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, vizitoi Beogradin në kulmin e luftës në Gazë, në një kohë kur, ta themi kështu, nuk mund të shkonte pothuajse në asnjë vend tjetër. Këto janë gjeste që ndoshta shkojnë përtej normales. Nga ana tjetër, le të kujtojmë Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020 për Serbinë dhe Kosovën. Ajo kishte një komponent mjaft të pazakontë që lidhej me Izraelin – Serbia u zotua se do ta zhvendoste ambasadën e saj në Jerusalem”, kujton Llopandiq, duke shtuar se politika ndërkombëtare duhet të mbështetet mbi parime strategjike dhe etike.
Përgatiti: Valona Tela (REL)
KOHA JONË SONDAZH
Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?
Results
Vota totale: 5816

