Mos ua zhvirgjeroni plazhin flamingove me makina dhe me kanaçe birre!

Kryeministri Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestën e zhvilluar në zonën e Zvërnecit, duke ironizuar protestuesit dhe duke bërë thirrje për mbrojtjen e mjedisit.

“Me një lutje të përulur revolucionarëve, që kur të shkojnë herë tjetër në atë breg për t’u qarë hallin flamingove, të mos i bëjnë për të qarë duke ua zhvirgjëruar plazhin me makinat e tyre – se do kujtojnë të shkretët zogj se filloi ndërtimi i parkimit aty, e do marrin arratinë siç e kishin marrë përpara moratoriumit 10 vjeçar të gjuetisë – po t’i lënë rrotat tek rruga automobilistike e të ecin si flamingo deri tek buza e detit pa u trembur nga papastërtitë, por mundësisht pa i shtuar ato si dje që i kishin lënë mbrapa kanoçet e birrës, ju uroj të gjithëve një të diel të qetë?”, shkruan Rama në postimin e tij.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërkohë po sot kryeministri foli në Podkast e tij dhe ku ndër të tjera tha: “Këtë javë shkova dhe takova banorët e zonës së Zvërnecit, në një takim që, për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, është i postuar në faqen time. Vlen shumë më tepër se çdo ulërimë, çdo zhurmë, çdo kuje, çdo shqetësim, manipulim, falsifikim apo spekulim nga çorba e ditëve të fundit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Aty takova njerëz që u fyen, u masakruan nga flamingot online si njerëz të mbledhur me zor, si njerëz të mbledhur kokërr më kokërr, si njerëz që nuk përfaqësonin komunitetin etj., ndërkohë që ata janë njerëzit që jetojnë në atë zonë. Ajo zonë nuk është një zonë e mbipopulluar. Ajo është një zonë ku ata njerëz që kanë interesa aty, që punojnë aty, që i pretendojnë pronat e tyre aty, madje aty ku do të zhvillohet projekti, që mbajnë familjet e tyre nga aktivitetet e vogla aty, nga shërbimet dhe nga puna e përditshme aty, janë ata.

Nuk vajta të takoj njerëz të mbledhur nga Narta poshtë apo nga Vlora lart. Vajta të takoj ata që janë aty, pikërisht ata që e kanë interesin e drejtpërdrejtë, qoftë për të drejtën e pronës, qoftë për të drejtën që të dëgjohen, qoftë për të drejtën që të jenë pjesëmarrës në këtë proces, qoftë edhe për të drejtën që të zhvillohen. Okay?

Dhe ajo që dëgjova prej tyre natyrisht nuk ishte një surprizë për mua. Ishte krejt ndryshe nga ajo që dëgjohet çdo ditë. Ishte një bisedë për shqetësimet konkrete, për problematikat konkrete, për mënyrën se si adresohet një pretendim, një pronë e kthyer dhe e regjistruar, por që, në rast se kthimi dhe regjistrimi janë bërë në mënyrë të parregullt, ka gjykatë, ka një proces dhe në fund gjithçka ishte pozitive mes njerëzish që diskutojnë si njerëz, mes njerëzish që nuk i qepen njëri-tjetrit me gurë në trastë. Okay?

Dhe ajo që bëri më shumë përshtypje ishte se, pavarësisht pyetjeve, shqetësimeve, kërkesave që kishin, në asnjë moment nuk dëgjova prej tyre të vihej në diskutim vetë ideja që ky investim duhet të ndalet. Madje, përkundrazi, ndjeva shqetësim edhe më pas kur dolëm; ndjeva shqetësim që: “Aman, mos ndalet, aman, mos ta humbasim këtë gjë”.

Dhe, ndërkohë, kam edhe diçka tjetër për të shtuar lidhur me atë që po ndodh. Kini parasysh një gjë: gjithë kjo lukuni e madhe videosh dhe gjithë këta gazetarë, gjithë këta lloj-lloj ndërkombëtarësh në media që papritur u bënë të interesuar për Shqipërinë, për mjedisin, për zogjtë e Shqipërisë, nuk e kanë fare me mjedisin dhe me zogjtë e Shqipërisë. E kanë secili për agjendën e vet në vendet ku janë.

Disa e kanë me Izraelin, që u fut kot fare në këtë mes. Ndërkohë që investitorët kryesorë janë dy vëllezër myslimanë të famshëm në Lindjen e Mesme për sukseset dhe investimet e tyre dhe që vijnë nga Katari, një vend që s’ka as marrëdhënie me Izraelin. Disa të tjerë e kanë kundër atij në Amerikë, presidentit të Amerikës, të cilin gjysma e duan, gjysma e urrejnë dhe ndaj të cilit mediat dhe të gjitha sistemet online turren për çdo gjë.

Disa të tjerë e kanë sepse nuk duan që Shqipëria ta ketë këtë projekt. Janë konkurrentë, normal! Të vijnë 4 miliardë në Shqipëri dhe, me këto emra, Shqipëria bëhet një pikë referimi si asnjëherë më parë dhe si asnjëherë më pas, në rast se ne e humbim këtë mundësi.

Po, ndërkohë, mos harroni që ka një mundësi shumë të madhe që gjithë këto rrëmuja që dalin nëpër media, nëpër rrjete online, ndryshe nga çfarë është realiteti këtu, që ka një turmë në bulevard, një turmë shumë biodiverse, që nga të marrët që fusin rrethin katror dhe pastaj e quajnë rrethin katror, te lloj-lloj personazhesh që kërkojnë “like” dhe që jetojnë me “like”. Influencera që fitojnë paratë e dynjasë përmes rrjeteve sociale dhe s’paguajnë një kokërr leku, një kokërr leku taksë.

Të tjerë që janë delirantë, me flamurin të lidhur këtu në fyt dhe që e vënë qeleshen si një certifikatë pastërtie patriotike; të tjerë që janë realisht të shqetësuar, vajza dhe djem që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre etj. Është një turmë normale, s’ka asnjë problem.

Por kjo që turma normale kthehet në qindra mijëra njerëz që po vlojnë në Shqipëri do të dëmtojë turizmin, çuna, goca. Kanë filluar disa shenja shqetësuese të çregjistrimeve në Sarandë, disa shenja shqetësuese, pak, por para se të bëhet trend që të fillojnë ata që kanë prenotuar për të ardhur, pra për të sjellë ato para që do të shkojnë te bizneset e vogla, që do të shkojnë te familjet që mezi e presin këtë sezon, atëherë do të humbasim shumë turistë këtë vit.

Mbase këtë doni. Unë nuk besoj që këtë doni, por mbase ky është edhe qëllimi, që të jetojmë vetëm me flamingot, të cilët 99.99% e atyre që i mbrojnë s’i kam parë ndonjëherë me sy. Nuk e di. Shikojeni këtë punë.

Në ndërkohë që projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë. Është një bekim i madh për Vlorën dhe është një kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë europiane”, tha Rama.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?