Nga Zvërneci tek politika, protesta kërkon të bëhet parti me emrin “SHQIPERIA E RE”
Po krijohet një parti e re politike. SHQIPERIA BEHET, thonë burimet, pra kështu do t’ja vendosin emrin.
Protesta është një e drejtë demokratike. Çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin për një çështje që e konsideron të drejtë, qoftë për mjedisin, pronën, korrupsionin apo keqqeverisjen. Por po aq e rëndësishme është edhe transparenca me publikun.
Ajo që ndodhi këtë të diel para Kryeministrisë duket se sqaroi një pikë që prej kohësh ngjallte diskutime: a ishte protesta vetëm për Zvernecin apo pas saj fshihej një projekt politik? Deklarata e organizatorëve për t’u mbledhur më 10 qershor dhe për të ngritur një grup nismëtar për krijimin e partisë “Shqipëria Bëhet” jep një përgjigje të qartë.
Nuk ka asgjë të keqe që protestuesit të shndërrohen në subjekt politik. Përkundrazi, demokracia funksionon pikërisht kur qytetarët organizohen dhe kërkojnë mbështetje përmes votës. Por kur një protestë paraqitet si një kauzë e pastër qytetare dhe më pas rezulton se synimi final është krijimi i një partie, lind e drejta për të pyetur nëse qytetarët janë informuar që në fillim për objektivin e vërtetë.
Në Shqipëri kemi parë shpesh që lëvizje të ndryshme nisin si protesta dhe përfundojnë si parti politike. Disa kanë pasur sukses, të tjera janë shuar shpejt. Sfida e “Shqipëria Bëhet” nuk është krijimi i partisë, por bindja e shqiptarëve se përfaqëson diçka ndryshe nga ajo që ka prodhuar politika e deritanishme.
Në fund të fundit, beteja nuk fitohet në shesh, por në kutinë e votimit. Nëse organizatorët besojnë se kanë mbështetjen e qytetarëve, atëherë rruga më e ndershme është të dalin hapur si forcë politike dhe të kërkojnë votën e shqiptarëve.
Zverneci mund të ketë qenë shkëndija e parë. Por deklaratat e së dielës treguan se objektivi tashmë nuk është vetëm një betejë lokale apo mjedisore. Objektivi është politika dhe pushteti.
Dhe kjo ndryshon krejt natyrën e asaj që deri dje paraqitej si një protestë qytetare.
KOHA JONË SONDAZH

