Opozita në rrugë, por pa rrugëdalje politike!
Prej dhjetorit të vitit të kaluar opozita shqiptare ka zgjedhur protestat e njëpasnjëshme në rrugët e Tiranës si formën kryesore të aksionit të saj politik. Por megjithë protestat e rezultatet politike mbeten të paqarta.
Protesta e tetë kombëtare, më 8 maj 2026, nisi si një marshim paqësor, por ndoqi të njëjtin skenar si mobilizimet e mëparshme: tensione, përplasje me policinë, molotovë, gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Kërkesat janë pothuajse të pandryshuara: largimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ndërsa protestat vijojnë, rezultatet politike mbeten të paqarta. Jo vetëm në raport me qeverinë, por edhe me vetveten.
Kriza e alternativës
Për analistët politikë problemi i opozitës nuk lidhet vetëm me efektivitetin e protestave, por me aftësinë e saj për t’u perceptuar si alternativë reale pushteti.
Pedagogu dhe analisti politik, Ermal Hasimja, rendit si faktorë kryesorë sistemin klientelist, përdorimin e administratës në funksion të mazhorancës dhe mungesën e besimit që qytetarët kanë ndaj opozitës aktuale. Sipas tij partitë opozitare të përçara,”nuk ngjallin ende besim të mjaftueshëm te votuesit”.
Mungesa e rotacionit të figurave politike
Një tjetër problem është sipas gazetarit dhe pedagogut Reldar Dedaj mungesa e rotacionit të figurave politike brenda opozitës. “Partia duket si një mekanizëm që vetëm vjetërohet, ndërsa kërkon elementë të rinj politikë për të krijuar entuziazëm dhe shpresë” – shprehet Dedaj për Deutsche Welle.
Sipas Dedajt, opozita ka dështuar gjithashtu të krijojë kontrast të fortë me mazhorancën. “Nëse shoqëria akuzon Partinë Socialiste për luks të shfrenuar, arrogancë dhe servilizëm ndaj liderit, shikon po të njëjtat tipare edhe te opozita” – argumenton ai.
Protesta që nuk ndryshojnë ekuilibrat politikë
Tetë protesta dhe debati për rinovimin politik të opozitës nuk kanë ndryshuar deri tani ekuilibrat politikë në vend. Për Hasimen, protesta në vetvete nuk mund të prodhojë rrëzimin e qeverisë, por mbetet një mjet për të mbajtur gjallë presionin politik dhe për të ndërgjegjësuar opinionin publik.
“Ardhja e opozitës në pushtet nuk është çështje strategjie, por besueshmërie dhe frymëzimi”- shprehet analisti Hasimja për DW Shqip.
Një qasje të ngjashme ndan edhe gazetari Dedaj. Sipas tij, protestat po shërbejnë për të ndërkombëtarizuar problemet që opozita ngre ndaj qeverisë.
“Përtej kësaj rruge, Partia Demokratike dhe opozita rrezikojnë të mbeten vetëm një realitet administrativ, përballë një mazhorance që ka fuqinë e kartonave dhe raportin me ndërkombëtarët. Vetëm në rrugë opozita mund të ndërtojë një realitet politik” – thotë Dedaj. Megjithatë, kritikët e kësaj strategjie argumentojnë se protesta e përsëritur, pa një ofertë më të qartë politike dhe pa zgjerim të mbështetjes qytetare, rrezikon të prodhojë konsumim të mëtejshëm të opozitës.
Mungon gara
Pak javë para zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike më 23 maj, diskutimet brenda opozitës janë fokusuar edhe tek mënyra sesi funksionon vetë partia. Debati mbi mungesën e një gare reale dhe rinovimin politik është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes.
Mungesën e konkurrencës Hasimja e sheh si një dukuri të përgjithshme të partive politike shqiptare. “Është problem i kulturës politike dhe kjo natyrisht që ndikon, sepse dekurajon zhvillimin e brendshëm të partive politike” – shprehet analisti.
Nga ana tjetër, Dedaj thotë se brenda Partisë Demokratike mungesa e garës shihet edhe si mënyrë për të ruajtur unitetin e partisë pas viteve të përçarjes. Në këtë kontekst, figura e ish-kryeministrit Sali Berisha vazhdon të mbetet qendrore për një pjesë të demokratëve. “Berisha mund të shihet aktualisht si një garanci e unitetit të partisë. Megjithatë, problemi mbetet rinovimi politik dhe mungesa e figurave të reja” – shton Dedaj.
Çfarë duhet të bëjë opozita?
Për Ermal Hasimen një hap i rëndësishëm mbetet bashkëpunimi mes partive opozitare mbi disa parime dhe objektiva të përbashkëta, siç ishte edhe qëndrimi i unifikuar për kodin e ri zgjedhor. Sipas tij opozita duhet të garantojë më shumë demokraci të brendshme, të krijojë hapësirë për figura të reja politike dhe të komunikojë më pranë qytetarëve.
Rashela Shehu (DW)
KOHA JONË SONDAZH

