Putin ofron bisedime me BE, kërkon ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder si negociator

Deklaratat e fundit të Vladimir Putin nuk janë thjesht një sinjal diplomatik. Ato janë një lëvizje politike e llogaritur me kujdes nga Kremlini, në një moment kur lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë lodhjeje të gjatë si për Rusinë, ashtu edhe për Perëndimin. Kur Putin flet për “dritë në fund të tunelit” dhe pranon publikisht mundësinë e dialogut me Evropën, ai në fakt po dërgon disa mesazhe njëherësh.

Së pari, Moska po përpiqet të tregojë se nuk është ajo pala që refuzon paqen. Prej muajsh Rusia është përballur me izolim politik, sanksione ekonomike dhe konsum të madh ushtarak. Duke deklaruar se “Kremlini nuk ka refuzuar kurrë negociatat”, Putini synon të ndryshojë perceptimin ndërkombëtar dhe të paraqitet si lider racional, i gatshëm për kompromis. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për opinionin publik europian, ku po shtohen zërat skeptikë ndaj vazhdimit pa fund të luftës.

Por pas gjuhës së butë diplomatike fshihet një strategji shumë më e ftohtë. Putini nuk po flet për paqe në kushtet e vitit 2022. Ai flet nga pozita e një lideri që beson se Rusia ka rezistuar e fituar, se Ukraina është lodhur dhe se Perëndimi nuk është më aq i bashkuar sa në fillim të luftës. Aq me tepër që Trump po ia kthen ngadalë shpinën BE, ai ka filluar tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania. Me gjasë edhe nga Italia dhe Spanja.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një Europë pa SHBA është një BE e përçarë dhe pa unitet ushtarak përballë një Rusie që ka aleanca të forta si me Kinën, Iranin, Indinë,etj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kjo shihet edhe te kushtet që vendos për një takim me Volodymyr Zelenskyy. Putin nuk pranon që takimi të jetë pjesë e negociatave, por vetëm “pika e fundit” për nënshkrimin e marrëveshjes. Pra, sipas logjikës së Kremlinit, negociatat reale duhet të zhvillohen diku tjetër dhe në kushte të favorshme për Moskën.

Ose e thënë ndryshe të firmosen kufinjtë e sotëm e jo ato që ishin para luftës. Edhe Trump këtë kërkon, ndaj Putin flet për “bisedime me BE”.

Një detaj shumë domethënës është edhe preferenca për ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder si negociator. Schröder konsiderohet prej vitesh si një nga politikanët europianë më afër Kremlinit. Duke përmendur emrin e tij, Putini po teston një ide të vjetër ruse: krijimin e një ure direkte me Evropën, duke anashkaluar ose dobësuar ndikimin amerikan në konflikt. Në thelb, Kremlini dëshiron të rikthejë modelin e vjetër të marrëdhënieve strategjike me fuqitë kryesore europiane, sidomos Gjermaninë.

Nga ana tjetër, vetë fakti që përmendet një dialog me Brukselin tregon se Rusia e kupton se lufta nuk mund të zgjidhet vetëm në fushëbetejë. Edhe nëse Moska ka fituar terren ushtarak në disa fronte, kostoja ekonomike dhe politike është e madhe. Po kështu, edhe Evropa po përjeton lodhje politike, tensione ekonomike dhe frikë nga një konflikt i pafund.

Megjithatë, pyetja kryesore mbetet: a po i vjen vërtet fundi luftës?

Realiteti është më kompleks. Luftërat e mëdha zakonisht nuk mbarojnë kur palët duan paqe, por kur arrijnë në bindjen se nuk mund të fitojnë më shumë me armë. Deklaratat e Putinit mund të jenë sinjal i kësaj lodhjeje strategjike, por mund të jenë edhe një manovër për të fituar kohë, për të ulur presionin ndërkombëtar dhe për të krijuar përçarje brenda Perëndimit.

Nëse Evropa dhe SHBA hyjnë në negociata me qasje të ndryshme, atëherë Rusia mund të përfitojë politikisht. Nëse Ukraina ndjen se po shtyhet drejt një kompromisi të detyruar, atëherë konfliktet politike brenda Kievit mund të thellohen. Pikërisht këtu qëndron loja e madhe diplomatike e Kremlinit.

Pra, “drita në fund të tunelit” për të cilën flet Putini mund të jetë fillimi i një procesi negociues, por jo domosdoshmërisht fundi i menjëhershëm i luftës. Për momentin duket më shumë si një sinjal se të gjitha palët po kuptojnë se kjo luftë nuk mund të vazhdojë pafundësisht me të njëjtin intensitet.

Trump dhe Putin janë në linjë për fundin e luftës. Aq me tepër që SHBA e ka mendjen te Irani dhe nuk e ka shumë vëmendjen te Ukraina, ndaj Moska hidhet në sulm diplomatik për “bisedime”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?