Zvërneci, jo mes flamingove dhe betonit. As mes aktivistëve dhe qeverisë, por mes BE dhe familjes Trump

Nëse e shihni çështjen nga një këndvështrim politik dhe gjeopolitik, mund të ndërtohet argumenti se debati për Zvërnecin dhe Sazanin nuk është thjesht një debat mjedisor, por edhe një reflektim i përplasjes më të gjerë që ekziston sot mes establishmentit politik të Bashkimit Europian dhe administratës e familjes së Presidentit amerikan Donald Trump.

Megjithatë, duhet bërë dallimi mes analizës politike dhe fakteve të provuara. Nuk ka akoma prova publike që BE po e kundërshton projektin sepse investitori lidhet me familjen Trump. Por dyshohet se po.

Në pamje të parë duket sikur beteja po zhvillohet për flamingot, dunat ranore dhe mbrojtjen e biodiversitetit në Nartë. Por kur sheh se investitori kryesor është dhëndri i Presidentit Trump, Jared Kushner, debati fiton menjëherë një dimension tjetër.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sot marrëdhëniet mes administratës Trump dhe një pjese të elitës politike europiane janë më të tensionuara se kurrë. Trump ka kritikuar vazhdimisht burokracinë e Brukselit, ka sulmuar mënyrën sesi funksionon NATO dhe ka kërkuar që Europa të mbajë më shumë barrë financiare për sigurinë e saj. Nga ana tjetër, shumë qarqe politike në BE e shohin Trump si një faktor destabilizues për projektin europian. Bile nuk duan asnjë shenjë investimi privat nga familja Trump.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pikërisht në këtë klimë vjen investimi prej 4 miliardë dollarësh i Jared Kushnerit në Shqipëri. Nuk është një investim i zakonshëm. Ai sjell kapital amerikan, emrin Trump dhe mundësinë që Shqipëria të kthehet në një destinacion luksoz të nivelit të lartë në Mesdhe.

Prandaj nuk është e çuditshme që shumë analistë pyesin: nëse investitori do të ishte një fond gjerman, francez apo holandez, a do të ishte reagimi europian po kaq i fortë?

Shqipëria ndodhet në një pozitë të veçantë. Nga njëra anë ka objektivin strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara ka qenë gjithmonë shtylla kryesore e politikës së jashtme shqiptare.

Kur një investim i lidhur me familjen Trump përballet me rezistencë nga organizata mjedisore europiane dhe paralajmërime nga Brukseli, lind natyrshëm perceptimi se Shqipëria po gjendet në mes të një përplasjeje interesash më të mëdha se vetë Zvërneci.

Nëse projekti bllokohet, humbësi i parë mund të jetë ekonomia shqiptare, e cila humbet një investim gjigant, vende pune dhe një mundësi për të hyrë në segmentin më fitimprurës të turizmit.

Nëse projekti vazhdon pa respektuar standardet europiane, rrezikohet procesi i integrimit dhe kredibiliteti i Shqipërisë përballë BE-së.

Prandaj beteja e vërtetë nuk është mes flamingove dhe betonit. As mes aktivistëve dhe qeverisë. Në sfond duket rivaliteti më i gjerë politik mes një Amerike të drejtuar nga Trump dhe një Bashkimi Europian që po përpiqet të mbrojë modelin e vet politik, ekonomik dhe institucional.

Në këtë kuptim, Zvërneci mund të jetë bërë simboli shqiptar i një debati shumë më të madh ndërkombëtar. Por deri tani, kjo mbetet një analizë politike dhe jo një fakt i provuar nga dokumente apo deklarata zyrtare të BE-së. Fakti i vetëm i padiskutueshëm është se Brukseli po kërkon respektimin e standardeve mjedisore, ndërsa qeveria shqiptare po mbron një investim që e konsideron strategjik për të ardhmen ekonomike të vendit. Por mundet që Brukseli nën petkun e mbrojtjes së mjedisit synon largimin e familjes Trump nga vendi kandidat në BE.

Kjo është lojë e rrezikshme, pasi janë futur në punë protesta, mjedisorë, agjentura, rini e pastër me synime qiellore, makineri politike, oligarkë që iu bien aksionet e turizmit që ata kanë ndërtuar duke vjedhur kodra e bregdetin, grekë që shqetsohen se ikën Korfuzi si qendër turizmi në Mesdhe; shoqata që marrin donacione dhe duhet të justifikojnë qindra mijëra eurot që marrin nga BE; mafiozë e njerëz të ndershëm.

Por konflikti BE-Trump mbetet kryesori.

Se në cilën anë do të shkojë kryeministri Rama, mbetet të shikojmë, ndonëse duket se protesta do të marrë përmasa të tjera, nëse BE është pas saj, siç dyshohet.

Në fakt e pëson Shqipëria!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?