Gruaja, për të dashuruar dhe për të qenë e dashuruar!

Albert Vataj

Gruaja i jepet tërësisht burrit fillimisht si vajzë, pastaj si dashnore, si grua, si nënë. Ajo është placenta e madhe e gjallorëve njerëzorë, është mënyra nëpërmjet të cilës marrim gjakun, epshin dhe dashurinë, çdo ëmbëlsi që na bën të dashurohemi dhe çdo zjarr që na ngroh. Mjerë ne nëse me një edukim të keq helmojmë burimin e vreshtës njerëzore! Mjerë ne nëse i mohojmë Evës të drejtën më të shenjtë: atë për të dashuruar dhe për të qenë e dashuruar!

Për gruan dashuria është nevoja e parë, ajo që vjen mbi çdo gjë tjetër dhe tërë organizmi dhe psikologjia e saj dobësohen dhe kaliten për shkak të ndikimit të dashurisë. Van Helmont e tha në mënyrë shumë mizore: ‘Gruaja është e tëra mitër, por mendimtarët e të gjitha kohëve duartrokitën aforizmën e mjekut hollandez. Gruaja fizikisht dëshiron gjatë, zotëron gjatë dhe mund të kënaqet me arritjen e saj çdo ditë e çdo orë, mund ta kthejë atë në një mjedis të ngrohtë e erëmirë në të cilin jeton si në një çerdhe.

Gruaja përkund në barkun e saj një engjëll të cilin e dëshiron gjithmonë me zjarr, që nuk shuan ndjenjën e saj për shokun e jetës. Ajo i jep trajtë burrit, e ushqen dhe e përkëdhel atë e çdo vit mund të shikojë trupin dhe dashuritë e saj të shndërrohen në një sërë engjëjsh që i këndojnë në kor përreth, që janë copa të zemrës së saj, petale trëndafili të rënë nga lulja e bukurisë së saj dhe të gjithë ëmbëlsisht i thërrasin “nënë”, që është njëlloj si të thuash placenta e jetës.

Nga kopulimi i zjarrtë i burrit që dashuron kalon te ledhatimet e fëmijëve të saj. Atë nuk e lodh epshi, nuk e fishk zjarri dhe nuk e mërzit pasioni. Është e tëra, nga koka tek këmbët, e zhytur në dashuri: ky është lëngu që qarkullon në çdo venë dhe i lag çdo fibër. Prandaj kur i hiqet ai lëng ajo i ngjan kryekëput pemës së shtypur nga stuhia të cilës i thahet çdo gjethe dhe i bie çdo lule. Dashuria e burrit është një rrufe që vetëtin, gjëmon dhe tejshpon. Dashuria e gruas është një rreze dielli që ngadalë e ngrohtësisht zbret në zemrën e saj dhe e pllenon atë. E ajo e gllabëron atë ngadalë e me epsh dhe në çdo rrënjëz të ndjenjave dhe gëzimeve të saj ushqehet me të, pasi edhe kur dielli ka perënduar asaj gjithsesi i mbeten rrezet e tij pjellore, të fshehura në tokën që ato ngrohën.

Natyra i ka dhënë gruas një kupë për të pirë nga burimi i pashtershëm i epshit të dashurisë. Askush nuk mund të mohojë se, duke pranuar se epshi dhe ndjeshmëria janë të njëjtë, Eva mund të ketë etje për një kohë shumë më të gjatë se ne, t’i përsërisë betejat dashurore deri në pafundësi dhe të arrijë ëndrrën e lumtur të një epshi i cili, duke ndryshuar formë, përsëritet përjetësisht, në mënyrë që ajo të mos njohë lodhje. Por nëse për shumë burra epshi është tërë dashuria, për gruan ai është vetëm një episod i ëmbël, qoftë edhe për më të shthururën mes grave të ndjeshme. Nëse nuk i besoni këtij pohimi të guximshëm, dërgoni lajmëtarë në tërë botën e qytetëruar, thërrisni të gjithë burrat dhe gratë që mund të dashurojnë dhe ftojini ata në një lojë të veçantë dashurore. Pyetini të gjithë nëse do të pranonin një dashuri të përjetshme dhe shumë besnike, pa epsh, në shkëmbim të një epshi pa dashuri: njëqind gra do të votojnë për dashurinë, ndërkohë që dhjetë ose ndoshta pesë burra do të refuzojnë kopulimin madhështor.

SHKARKO APP