Mark Twain, shkrimtari që mbajti plagë të pashërueshme dhe la pas trashëgiminë më të ndritshme të humorit dhe të fjalës së lirë
Nga Albert Vataj
Mark Twain njihet si mjeshtri i humorit amerikan, si kronikani i shpotisë dhe ironisë që e zhveshi shoqërinë nga zbukurimet e rreme. Por pas pseudonimit dhe të qeshurës së lehtë, qëndronte një shpirt i lodhur dhe i ndjeshëm, ai, Samuel Clemens.
Ai ishte njeriu që u përpoq të mbijetonte mes dy botëve, asaj të spektaklit publik dhe asaj të heshtjes private. Në njërën anë, shfaqej si shkrimtari i mprehtë, i cili i jepte popullit batuta dhe rrëfime gazmore; në anën tjetër, mbante plagët e humbjeve, dëshpërimit dhe barrës së jetës.
Twain ishte njeriu që e deshi jetën, por që e njohu nga afër fytyrën e saj më të ashpër. Ai i mësoi lexuesit të qeshnin, por në heshtjen e tij e shkroi dhimbjen me një kthjelltësi që ndoshta vetëm humbja mund ta dhurojë. Ky kontrast, mes të lehtës dhe të rëndës, mes të dukshmes dhe të fshehtës, është ai që i jep veprës së tij një peshë të pazëvendësueshme.
Nën buzëqeshjen e tij të shpenguar, nën të folurën e ngadalshme dhe nën maskën e pseudonimit Mark Twain, Samuel Clemens mbante një zemër të rënduar. Paratë i rrëshqisnin nga duart si uji i lumit, dhe çdo ëndërr e madhe, çdo premtim pasurie, përfundonte në hi. Por asnjë dështim tregtar nuk ishte aq therës sa humbja e atyre që kishte dashur më shumë: djali i vogël Langdon, i shuar nga ethet; Olivia, shoqja e jetës; dhe më pas bijat, sikur sëmundja dhe fati të kishin bërë aleancë kundër tij.
Pikëllimi e shoqëronte në forma të ndryshme, herë si një grusht që i shtrëngonte gjoksin, herë si një boshllëk i ftohtë, një jehonë e zbehtë aty ku dikur jehona e të qeshurës kthehej si melodi. Ai filloi ta shihte botën me sy të tjerë; shakaja, dikur e natyrshme, tani mbetej në grykë. Shkrimet e tij të vona u quajtën “më të errëta”, por ndoshta nuk ishin shkrimet që u errësuan, ishte shikimi i tij që u kthjellua, duke parë jetën pa iluzionet e saj.
Kritikët nuk i kursyen gjykimet. “Shumë i guximshëm”, thoshin, “shumë i zhveshur deri në kockë.” Si të mos kishte ai plagët e veta, si të mos e kishte njohur përbuzjen e hipokrizisë dhe zbrazëtinë e devotshmërisë së rreme, që buçet të dielën në mëngjes e shuhej pa gjurmë të hënën.
Megjithatë, borxhet e detyronin të vazhdonte. Ai e vishte sërish maskën e Mark Twain-it, shpërndante shakatë dhe zgjuarsitë që audiencat prisnin, duke u shfaqur i lehtë dhe i hareshëm. Por në mbrëmjet e qeta, kur mbetej vetëm, nuk ishte më Twain-i i famshëm, por Samuel Clemens-i me penën e tij, duke gërvishtur mbi letër të vërteta tepër të zymta për sallat e leksioneve apo për publikun që kërkonte të qeshte.
Vuajtjet nuk e përkufizonin të tërin, por i gdhendën brazda të thella në shpirt. Dhe pikërisht në ato brazda, në ato kanale të hapura nga dhimbja, rridhnin disa prej fjalëve më të thella dhe më të vërteta të tij, fjalë që e bënë Mark Twain-in një zë të përjetshëm.
“Humori është tragjedi plus kohë.” – Mark Twain
Ky pohim i tij shpjegon më mirë se çdo analizë thelbin e jetës dhe veprës së Clemens-it: ai që vuajti thellë, dinte të qeshte gjerë; ai që mbajti plagë të pashërueshme, la pas trashëgiminë më të ndritshme të humorit dhe të fjalës së lirë.
KOHA JONË SONDAZH

