Marsela Çibukaj, këngëtarja e aurës së një arti intelektual dhe estetikës së maturisë

Nga Albert Vataj
Kjo persiatje, ndoshta nuk është thjeshtë adhurimi për artin e saj fin, për zërin unik shumëngjyrësh, profilin e lartë, por edhe një mënyrë dekodimi i atij komunikimi përmes këngës, i intensitetit përçues emocional që imponon, i gjendjes përjetuese që thërret si një akt shërbese arti.
Në peizazhin e muzikës shqiptare, ku ritmet e përkohshme shpesh zbehin thellësinë, zëri i Marsela Çibukajt ngrihet si një manifest elegance, pjekurie dhe qëndrueshmërie. Ajo nuk është thjesht një këngëtare e skenës; ajo është një narratore e shpirtit, një qëmtuese e hollë e ndjenjës që e kthen çdo interpretim në një dialog të thellë emocional dhe intelektual me dëgjuesin.
Siç shprehej diva e madhe e Soulit dhe Jazzit, Nina Simone: “Detyra e artistit është të reflektojë kohën në të cilën jeton, por mbi të gjitha të mbetet autentik me të vërtetën e vet shpirtërore.”
Në këtë hulli, edhe Marsela është e qartë dhe e prerë kur shprehet: “Nuk kërkoj duartrokitjen e mekur të çastit, por heshtjen e thellë ku fjalët gjejnë strehë.”

Marsela Cibukaj - Ndjenjë Pa Kohë

Me një profil vokal që identifikohet në ngrohtësinë e një mezzo-sopranoje të thellë, Marsela e përdor zërin jo për akrobaci teknike apo efekte të jashtme, por si një instrument të mirëfilltë narrativ. Timbri i saj zotëron një teksturë organike, pakëz i errët, i plazmëzuar nga ngjyrat e matura të Blues, Soul dhe Jazz, dhe me një vibrato që shfaqet vetëm atëherë kur emocioni prek pikën e vet më të lartë.
Ajo mishëron atë që Duke Ellington e përcaktonte si bërthamën e muzikës magjepsëse: “Jazz-i nuk është thjesht një zhanër, është një barometër i lirisë, ku çdo notë kthehet në një rrëfim autobiografik.”

Ky identitet nuk lindi vetvetiu. Ai u temperua përmes studimit dhe përvojës përgjatë viteve të jetesës në Itali dhe udhëtimeve evropiane. Nga seminaret e çmuara të Berklee College of Music gjatë festivalit Umbria Jazz në Perugia (ku u thellua në improvizimin Be Bop), te trajnimet e avancuara me emra si Maestro Beppe Vessicchio dhe Gabriella Scalise, Marsela e përsosi vazhdimisht korpusin e saj muzikor.
Skenat e vogla, klubet e jazz-it dhe teatrot në Londër, Norvegji, Poloni apo Gjermani, së bashku me formacionet e saj “The AXIS” dhe “MARSEL – Acoustic Trio” – shërbyen si akademia e saj më autentike. Atje ajo mësoi të mbrojë integritetin artistik kundrejt automatizmit të kohës, duke marrë edhe vlerësimin si “Best Emergent Singer” në Romë (2010).

Swiss Digital Desktop Reklama
Marsela Cibukaj - Petale (Petale EP)

Skena shqiptare e njohu gjerësisht në edicionin e parë të The Voice of Albania (2011–2012), ku u shpall nënkampione për nga fuqia vokale, për të vazhduar më pas praninë e saj të bujshme në arenën ndërkombëtare te The Voice of Italy (2014). Përmes interpretimeve në Top Fest me perla si “Sipar” dhe “Ndjenja pa kohë”, ajo solli një frymë të re ku pop-i i rafinuar bashkohej natyrshëm me soul-in.
Në vitin 2022, krijimtaria e saj shënoi një nga momentet më dramatike e filozofike, fitorja e çmimit të madh në Kënga Magjike me baladën “I paftuar”. Teksti i saj nuk ishte një seri rimash të zakonshme, por një monolog ekzistencial mbi dashurinë, mungesën dhe kohën. Kjo përqasje të kujton thënien ikonike të Edith Piaf: “Të këndosh do të thotë të hysh në një botë tjetër, ku çdo fjalë e thënë me shpirt zbulon një plagë apo një dritë të brendshme.”

Swiss Digital Mobile Reklama
Marsela Cibukaj - JON (Ardit Gjebrea Cover)

Përkushtimi i saj ndaj urave kulturore u kurorëzua po atë vit, kur Ambasadori Italian Fabrizio Bucci i dhuroi titullin honorifik “Ambasadore e gjuhës dhe kulturës italiane”, si mirënjohje për ndërthurjen e smaltit artistik italian me shpirtin shqiptar.
Në një epokë ku arti shpesh kërcënohet nga sipërfaqësorja dhe prodhimet e shpejta, Marsela Çibukaj përfaqëson autoritetin e matur skenik, ajo refuzon artificet efemere. Çdo lëvizje e saj në skenë është ekonomike, çdo gjest i menduar, duke krijuar një aurë respekti të ndërsjellë me publikun.

Marsela Cibukaj - I Paftuar (Kënga Magjike 2022) #FeelTheEnergy

Komunikimi i saj muzikor shquhet për një diksion të prerë e të pikturuar me kujdes. Çdo fjalë ka peshë, çdo pauzë është një mendim. Gjeniu i Jazzit, Miles Davis thoshte se “muzika nuk qëndron vetëm te notat që luan, por te ato që lë pa luajtur”, dhe te Marsela, heshtja midis vargjeve mbart po aq dramacitet sa vetë zëri.
Performanca e saj nuk është thjesht një shfaqje, por një tryezë e rrumbullakët ku dëgjuesi ftohet të mendojë, të ndjejë dhe të hyjë në introspeksion, pikërisht siç formulonte Charles Baudelaire për artin e lartë, sipas të cilit “Simfonia e vërtetë estetike është ajo që zgjon te spektatori vetëdijen e së bukurës absolute.”

Rrugëtimi i Marselës vazhdon të pasurohet edhe përmes angazhimeve mediatike e edukative, si këngëtare e moderatore në “100 Këngët e Botës”, anëtare jurie në “Kënga Magjike”, si dhe mentore e talentit të ri në projektin “Tirana Sing”.
Marsela Çibukaj mbetet kështu një kuratore e shijes së lartë në tregun shqiptar, një zë që, sipas përcaktimit klasik të Leonard Bernstein për interpretuesit e mëdhenj, “nuk vjen për të bërë zhurmë të çastit, por për të transmetuar atë dritë intime që i mbijeton kohës.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?