“Vreshti i kuqëluar”, e vetmja tablo që post-impresionisti Vincent van Gogh arriti të shiste sa ishte gjallë
Kultura E Mërkurë, 29 Korrik 2026 09:28

Piktura “Vreshti i kuqëluar” (Le Vigne Rouge), Vincent van Gogh, e vetmja punë që mjeshtri arriti të shiste sa ishte gjallë.
NE PERVJETORIN E VDEKJES SE PIKTORIT
Nga Albert Vataj
Artisti ikonik i torturuar nga demonët e ferrit, Vincent Van Gogh, u përpoq të përcillte gjendjen e tij emocionale dhe shpirtërore në secilën prej veprave të tij artistike, si formë çlirimi. Ngjyrat e ndezura që ai flakëroi i përdori si temianin më të fortë për të dëbuar djajt. Dhe kjo ishte e gjithë jeta e tij, një udhë e mundimshme me kryqin prej drite në errësinë e shpirtit.
Megjithëse ai arriti të shesë vetëm një pikturë gjatë jetës së tij, sot Van Gogh është një nga artistët më të njohur të të gjitha kohërave. Kanavacat e tij, të mbushura dendur me penelata të dukshme, të realizuara në një paletë të ndritshme dhe të pasur me ngjyra, theksojnë shprehjen personale të Van Gogh-ut, të shndërruar në jetë përmes bojës. Çdo pikturë ofron një ndjesi të drejtpërdrejtë të mënyrës se si artisti e shikonte secilën skenë – të interpretuar përmes syve, mendjes dhe zemrës së tij. Ky stil rrënjësisht i veçantë dhe emocionalisht prekës ka vazhduar të ndikojë artistë dhe lëvizje përgjatë shekullit XX dhe deri në ditët tona, duke garantuar rëndësinë e Van Gogh-ut në të ardhmen.
Në historinë dramatike të Vincent van Gogh-ut, piktura “Vreshti i kuqëluar” (Le Vigne Rouge) qëndron si një dëshmi prekëse e mospërfilljes që arti i tij njohu gjatë jetës dhe, njëkohësisht, si një emblemë e domethënies që ai fitoi në përjetësi. E realizuar në nëntor të vitit 1888 në Arles, në një kohë kur Van Gogh ishte në ethet krijuese më të ndezura, kjo tablo është konsideruar e vetmja vepër që ai arriti të shesë sa ishte gjallë, ndonëse ka të dhëna që sugjerojnë edhe një tjetër shitje modeste.
Në “Vreshtin e kuqëluar”, Van Gogh paraqet një skenë bujqësore në ngjyrat e ndezura të vjeshtës, ku vreshtarë të vegjël punojnë nën një diell të ulët që djeg horizontin me arin e tij të thekshëm. Tonet e ngrohta të së kuqes, të verdhës dhe portokallisë nuk janë vetëm përzgjedhje kromatike, por shpërthime të emocionit, tensionit dhe pasionit të brendshëm të artistit. Në këtë vepër, Van Gogh nuk kërkon të dokumentojë natyrën, por të përçojë përmes penelatës së furishme dridhjen e shpirtit të tij në kontakt me peizazhin. Çdo linjë është një rrahje zemre, çdo ngjyrë – një gjendje e tejskajshme e shpirtit.
Kjo tablo u ekspozua për herë të parë në publik në “Ekspozitën vjetore të grupit XX” më 1890 në Bruksel, vetëm disa muaj para se Van Gogh t’i jepte fund jetës. Aty ajo u ble për 400 franga nga piktorja impresioniste belge Anna Boch, një grua me kulturë të thellë estetike dhe ndjeshmëri të rrallë, që nuk e shihte në veprën e Van Gogh-ut çmendurinë që të tjerët shmangnin, por gjeninë e pasionuar që shfaqej në mënyrën sesi drita e botës përkonte me ankthin e brendshëm të njeriut.
Anna Boch ishte motra e Eugène Boch, mik personal i Van Gogh-ut, të cilit ky i fundit i kishte pikturuar edhe një portret në të njëjtën periudhë, në Arles. Më shumë se një akt miqësor apo kolegial, blerja e kësaj tabloje mund të lexohet si një akt intuitiv njohjeje ndaj vlerës që bota nuk ishte ende e gatshme ta pranonte.
Shitja e “Vreshtit të kuqëluar” mbetet një çast i vetmuar i afirmimit publik në jetën e Van Gogh-ut. Ndonëse ai mund të ketë marrë 20 franga për një tjetër pikturë, përmendur në letrën e tij të famshme nr. 506 drejtuar të vëllait Theo, është kjo kanavacë e skuqur si një plagë e bukur e natyrës dhe shpirtit, që historia e artit do të rregjistronte si të vetmen blerje zyrtare të jetës së tij artistike.
Sot, ky fakt është më shumë se një kuriozitet: është një tronditje ekzistenciale për çdo epokë që shpërfill zërat e saj më autentikë. Van Gogh, me gjithë pasionin e tij për dritën dhe ngjyrën, mbeti një figurë e vetmuar, i keqkuptuar, i shtyrë në margjina nga një botë që nuk e deshi dot vërtetësinë e ndjesisë që ai shpaloste.
E megjithatë, ky stil i tij i ngarkuar, emocional, idiosinkratik, i çliruar nga konvencioni dhe besnik vetëm ndaj së vërtetës së brendshme, do të bëhej frymëzim për lëvizje të tëra artistike gjatë shekullit XX: ekspresionizmin, fovizmin, artin abstrakt. Penelatat e tij që duken sikur dridhen mbi kanavacë, të lënë me qëllim të papërfunduara, janë të plota vetëm në atë që ato nënkuptojnë – një shpirt që nuk pikturon peizazhe, por veten e tij të tejqëndrueshme në çdo detaj të realitetit.
Sot, “Vreshti i kuqëluar” nuk është vetëm një pikturë, por një shenjë e pikëllimit të një epoke që nuk e njohu kohën e Van Gogh-ut dhe një shkëlqim i pavdekshëm i një artisti që pikturoi jo për të qenë i kuptuar, por për të jetuar përtej vetes së tij.
KOHA JONË SONDAZH