Tirana shtyn sërish festën e titullit kampion, teksa sot ka dalë i mposhtur 0-1 ndaj Laçit. Goli i vetëm erdhi në minutën e 13-të kur Guindo realizoi një perlë pasi gjeti trekëndëshin e Visar Bekajt, i cili me gjithë hapjen e tij nuk mundi ta shmangte golin.
Kurbinasit shkurtuan distancën me kryeqytetasit në 12 pikë, ndërsa këta të fundit tashmë duhet të presin ndeshjen e mesjavës ndaj Teutës për të festuar titullin e 26-të.
Partizani ndërkohë fitoi 3-1 ndaj Dinamos në derbin e e javës së 31-të, ndërkohë që “blutë” afrohen dhe më shumë me rënien nga kategoria. Fraksioni i parë u dominua nga “Të kuqtë”, të cilët do të zhbllokonin takimin në minutën e 26-të, me Stenio Junior që shënoi për Partizanin, ndërsa vetëm tre minuta më pas Tedi Cara do t’i dhuronte golin e dytë ekipit të tij.
Më pas një prekje e topit me dorë nga Massanga Matondo, lojtari i Partizanit mori kartonin e dytë të verdhë, duke dalë nga fusha e lojës dhe duke e lënë ekipin e tij me 10 lojtarë në fushën e lojës. Në këtë rast Dinamo fitoi një penallti, e cila u ekzekutua nga Ibraimi.
Në minutën e 90+1 Tedi Cara vulosi dhe fitoren e Partizanit që kalon në vend të tretë me 46 pikë, po aq sa Kukësi, por me “verilindorët” që kanë një ndeshje më pak.