AKB thirrje krerëve të shtetit shqiptar: Kërkon masa urgjente për mbrojtjen e pronës dhe sigurinë e qytetarëve
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), përmes një kërkese zyrtare drejtuar krerëve të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, ka kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente për mbrojtjen e pronës private dhe publike, garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ruajtjen e rendit dhe stabilitetit institucional në vend. Kërkesa i është drejtuar Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, me thirrjen për veprim të koordinuar dhe të përgjegjshëm institucional përballë situatës së tensionuar dhe rrezikut të përshkallëzimit të dhunës. Në shkresën e saj, AKB-ja thekson se mbrojtja e jetës, sigurisë së qytetarëve dhe pronës private e publike përbën një përgjegjësi themelore të shtetit. Sipas organizatës, çdo përshkallëzim i dhunës dhe çdo dëmtim i pronës cenon jo vetëm sigurinë publike, por edhe besimin e qytetarëve dhe klimën e biznesit.
Deklarata e plotë
ALEANCA KOSOVARE E BIZNESEVE-AKB
DREJTUAR:
Shkëlqesisë së Tij, z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë
Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Z. Niko Peleshi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Lënda: Kërkesë urgjente për masa institucionale në mbrojtje të pronës private dhe publike, rendit dhe sigurisë në Shqipëri
Të nderuar drejtues të institucioneve të Republikës së Shqipërisë,
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), duke shprehur shqetësimin për situatën e tensionuar dhe rrezikun ndaj pronës private e publike, sigurisë së qytetarëve dhe funksionimit normal të institucioneve, ju drejtohet me këtë thirrje për veprim të koordinuar dhe të përgjegjshëm institucional.
Mbrojtja e jetës, sigurisë së qytetarëve, pronës private dhe publike, si dhe garantimi i rendit kushtetues, janë përgjegjësi themelore të shtetit. Çdo përshkallëzim i dhunës dhe çdo dëmtim i pronës cenon sigurinë, besimin e qytetarëve dhe klimën e biznesit.
Në këtë kontekst, kërkojmë nga institucionet që ju drejtoni:
1. Të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe proporcionale për mbrojtjen e qytetarëve, bizneseve dhe pronës private e publike.
2. Të sigurojnë koordinim të plotë ndërmjet institucioneve përgjegjëse për rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit.
3. Të hapin kanale efektive të dialogut institucional dhe politik për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
4. Të shqyrtojnë urgjentisht të gjitha mekanizmat kushtetues dhe ligjorë, përfshirë mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, nëse plotësohen kushtet ligjore dhe kushtetuese.
Ne vlerësojmë se në momente të tilla nevojitet përgjegjësi e lartë shtetërore, maturi politike dhe veprim në kohën e duhur, me qëllim që të parandalohet çdo cenim i mëtejshëm i sigurisë dhe pronës.
Shqipëria ka nevojë për rend, siguri, dialog dhe institucione funksionale. Prona private dhe publike duhet të mbrohet, ligji duhet të zbatohet dhe qytetarët duhet të ndihen të sigurt.
Aleanca Kosovare e Bizneseve shpreh bindjen se mbrojtja e pronës, siguria e qytetarëve dhe stabiliteti institucional janë interesa të përbashkëta që duhet të qëndrojnë mbi çdo dallim politik.
Duke ju kërkuar vëmendje dhe veprim urgjent institucional, ju shprehim konsideratën tonë të lartë.
Me respekt,
Dr Agim Shahini
Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB)

