Qeveria ka miratuar sot aktin normativ që parashikon ndryshime në ligjin për tubimet, nismë e paralajmëruar pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama. Masat e reja synojnë parandalimin e akteve të dhunës dhe mbrojtjen e rendit publik, ndërsa parashikojnë kufizime të përkohshme dhe sanksione financiare për shkelësit.
Sipas aktit normativ, Policia e Shtetit, me miratimin e prefektit, mund të vendosë kufizime për tubimet deri në 72 orë pranë institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, kur ekziston rreziku i dhunës ose i dëmtimit të rëndë të pronës. Në zonat e mbrojtura, kufizimet mund të zgjasin deri në 48 orë.
Policia mund të urdhërojë largimin e personave që ushtrojnë dhunë, kërcënojnë ose dëmtojnë pronën në hapësira të ndjeshme, si transporti publik, aeroportet, institucionet arsimore dhe shëndetësore, si dhe objektet e trashëgimisë kulturore.
Një tjetër element lidhet me përmbajtjet që nxisin dhunë gjatë tubimeve. Në këto raste, policia njofton personin përgjegjës dhe i kërkon fshirjen e përmbajtjes dhe mos përsëritjen e veprimit.
Gjobat e parashikuara nga akti normativ:
10 mijë deri në 100 mijë lekë për pjesëmarrjen në tubime të ndaluara dhe fshehjen e paligjshme të identitetit.
20 mijë deri në 200 mijë lekë për mosbindjen ndaj urdhrave për shpërndarjen e tubimit.
50 mijë deri në 500 mijë lekë për mosbindjen ndaj urdhrit të shpërndarjes nga personat e maskuar.
5 mijë lekë për personat që bllokojnë rrugët dhe pengojnë qarkullimin gjatë tubimeve.
Sipas përcaktimeve të aktit, masat synojnë tubimet e dhunshme dhe jo ato paqësore. Vendimet mund të ankimohen, ndërsa parashikohen edhe përjashtime për mbulimin e fytyrës për arsye fetare, shëndetësore ose profesionale. Miratimi i aktit normativ sjell kështu rregulla të reja për organizimin dhe zhvillimin e tubimeve, me fokus te parandalimi i dhunës dhe ruajtja e sigurisë publike.
