Arsenali i “çmendur” pas Eli Kroupi, bën gati 92 milionë euro
Pas triumfit në Premier League dhe në pritje të finales ndaj PSG në Champions League, Arsenal ka nisur të projektojë merkaton e verës me synimin për të forcuar repartin ofensiv.
Sipas raportimeve të tabloidit britanik Daily Mail, objektivi kryesor i “Topçinjve” është talenti francez Eli Kroupi Jr., një nga emrat më premtues të sezonit në futbollin anglez. Sulmuesi i lindur në vitin 2006 ka tërhequr vëmendjen pas paraqitjeve të spikatura me fanellën e Bournemouth, ku ka realizuar 13 gola në 32 ndeshje kampionati.
Kroupi Junior konsiderohet një profil ideal për repartin ofensiv të Arsenalit, ndërsa performancat e tij e kanë futur edhe në garën për çmimin e lojtarit më të mirë të ri të kampionatit anglez. Futbollisti francez, i cili zotëron edhe pasaportë portugeze, raportohet se ka refuzuar një ftesë nga Portugalia, duke zgjedhur të fokusohet te rruga e tij ndërkombëtare me Francën.
Interesi për talentin nuk mungon as nga gjigantët europianë. Përveç Arsenalit, në garë thuhet se janë edhe Barcelona dhe PSG, të cilët e kanë përfshirë emrin e tij në listën e objektivave për sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, Arsenal duket i gatshëm të bëjë një lëvizje të fortë ekonomike. I mbështetur nga të ardhurat dhe rezultatet pozitive në Angli dhe Europë, klubi londinez besohet se është i përgatitur të ofrojë rreth 92 milionë euro për kartonin e lojtarit, një shumë që mund të bindë Bournemouth të heqë dorë nga një prej talenteve më premtues, pavarësisht deklaratave të mëparshme se nuk do ta shiste lojtarin as për 100 milionë euro.
KOHA JONË SONDAZH

