Dosja “Partizani”, dëshmon në GJKKO ish-ministri Gazmend Oketa: Ishte klub privat, nuk e kam konsideruar fare
Mbahet sot gjyqi për dosjen “Partizani”.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazment Oketa është pyetur si dëshmitar në këtë proces.
Më herët SPAK ka argumentuar se ministri i kohës Gazmend Oketa nënshkroi një auditim në formë presioni ndaj komandës mbështetëse, që refuzonte klubin e futbollit Partizani. Por ndonëse konstaton një fakt të tillë, në fashikull nuk rezulton që pozita e ish-funksionarit të jetë në vështirësi.
Gjatë dëshmisë së tij, Oketa deklaroi se, sipas kujtesës së tij, Klubi “Partizani” nuk kishte asnjë interes për Ministrinë e Mbrojtjes dhe administrohej nga persona privatë. Ai tha se nuk kujton të jetë diskutuar ndonjëherë në ministri si një çështje me rëndësi të veçantë.
Diskutimet në sallë
SPAK: Kur keni qenë ministër i Mbrojtjes dhe çfarë funksionesh keni ushtruar?
Oketa: Fillimisht kam qenë zëvendëskryeministër, më pas mora detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Gjatë periudhës 2009–2012 kam qenë deputet i Kuvendit.
SPAK: Çfarë ishte Klubi Partizani në raport me Ministrinë e Mbrojtjes?
Oketa: Sipas kujtesës sime, Klubi Partizani nuk ka pasur asnjë interes për Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk më kujtohet të ketë pasur ndonjë rëndësi të veçantë. Në dijeninë time administrohej nga persona privatë. Pothuajse në asnjë diskutim apo mbledhje nuk mbaj mend të jetë trajtuar si një çështje me rëndësi për Ministrinë e Mbrojtjes.
SPAK: Gjatë kohës që ishit ministër i Mbrojtjes, u nis zbatimi i vendimit të Këshillit të Ministrave për Klubin Partizani.
Oketa: Kam qenë ministër i Mbrojtjes, jo ministër i Sportit. Ai objekt nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë për ne, pasi nuk mund të përdorej për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas kujtesës sime, Klubi Partizani ishte një klub privat. Nuk e kam konsideruar fare si çështje. Një institucion kulturor nuk e bën godina, por puna që zhvillohet në të.
SPAK: A jeni interesuar për pronën, duke qenë se ishte në varësinë tuaj?
Oketa: Për herë të parë kjo çështje më ka ardhur në tavolinë në zyrën time. Praktika tregonte se prona u përkiste pronarëve. Dosja ishte e plotë dhe ishte kryer edhe pagesa. Nuk kisha asnjë arsye që ta mbaja atë pronë në varësi të Ministrisë.
SPAK: Kush e kishte në inventar?
Oketa: Nuk më kujtohet emri i saktë i drejtorisë, por ishte një drejtori që ekziston edhe sot.
Oketa: Edhe sot, nëse shikoni faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, ekziston një sektor që merret me pronat, por ende nuk kemi një inventar të plotë të tyre. Kishte ushtarakë që e kundërshtonin këtë proces, por, pasi kishte ardhur përgjigjja nga Këshilli i Ministrave, u kam dhënë udhëzimin që të ndiqeshin të gjitha procedurat ligjore në fuqi, për sa kohë pronarët dispononin dokumentacionin shtetëror përkatës. E theksoj edhe një herë: kjo pronë nuk kishte interes për Ministrinë e Mbrojtjes.
SPAK: A ka pasur përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë procesit të vlerësimit?
Oketa: Nuk kujtoj të kem autorizuar ndonjë ushtarak për këtë çështje. Kanë kaluar 18 vjet nga ajo kohë, por nëse keni ndonjë dokument me firmën time, jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi për të.
Ministria e Mbrojtjes kishte rreth 12 mijë punonjës, civilë dhe ushtarakë. Nëse pretendohet që ministri duhet të merret me çdo çështje, atëherë stafi nuk do të kishte arsye të ekzistonte. Unë kam qenë ndër ministrat që kam firmosur shumë delegime kompetencash; këtë mund ta verifikoni edhe në dokumente.
SPAK: Për urdhrin që keni firmosur për dorëzimin e pronës nga Komanda Mbështetëse, a jeni njohur me dokumentacionin përkatës?
Oketa: Çdo person që kishte detyrë të ndiqte këtë praktikë ka firmosur në fazat përkatëse dhe, në fund, dosja ka ardhur tek unë. Pas vitit 1990, shumë prona të Ministrisë së Mbrojtjes u shpallën të tepërta dhe dolën nga plani i përhapjes, pasi nuk i nevojiteshin më ushtrisë. Edhe në këtë rast është ndjekur e njëjta praktikë. Nuk është e vetmja pronë që është kthyer, sepse kur një pronë del nga plani i përhapjes, shteti e përdor për interesat e tij vetëm nëse nuk ka pronarë.
KOHA JONË SONDAZH

