Dy dëshmorë të oxhakut “Bellaj” në Vajzë të Vlorës

Në kuadrin e ditës së 5 majit, ditës së dëshmorëve në respekt dhe mirënjohje të dy dëshmorëve të oxhakut “Bellaj” në Vajzë të Vlorës, aktualisht Bashkia Selenicë: Mustafa Azem Bellaj (1916 Vajzë – 1942 Radhimë) dhe Qëndro Sadush Bellaj (1925 Vajzë – 1944 Vajzë), si dhe gjithë dëshmorëve të fshatit Vajzë që nuk kursyen gjakun për lirinë e Shqipërisë.

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Në fshatin e martirizuar të Vajzës, aty ku sipër saj shtrihet pllaja e njohur e Beunit, jeton historia dhe trimëritë e vajziotëve, jeton përjetësia e bijve dhe bijave të saj. Në Vajzë, pranë Amantëve e Plocës, ngrihet një vatër e lashtë, si një kandil që nuk shuhet kurrë; është vatra e fisit atdhetar e patriotik “Bellaj”, ku zjarri nuk ka qenë vetëm ngrohje, por betim për trojet arbërore; ku buka nuk është ndarë vetëm me duar, ose “bukëdhënë”, sikurse thuhet tradicionalisht në Labëri, por me zemër. Në këtë oxhak të njohur të Bellajve, ku hapat e të parëve tingëllojnë si jehonë e historisë, lindën e u rritën dy bij, që fati i thirri të bëheshin më shumë se njerëz, të bëheshin dritë për një komb, dëshmorë të përjetshëm të trupëzuar me lirinë.
Ata ishin si dy lisa të rinj, të rrënjosur thellë në tokën e ashpër, që nuk u përkulën para stuhive të kohërave e pushtimeve. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare erdhi si një uragan popullor mbi qiellin shqiptar, por nga kjo vatër e oxhakut “Bellaj” u ngritën dy flakë që nuk e pranuan dhe nuk e qasën errësirën. Mustafa Azem Bellaj dhe Qëndro Sadush Bellaj e hodhën pushkën në krah, me dashurinë për Vajzën, Vlorën dhe Shqipërinë në zemër; lanë pas pragun e shtëpisë dhe u nisën drejt një rruge pa kthim, ku çdo hap ishte betim dhe çdo frymë një këngë lirie për amanetin e të parëve. Gjaku i Mustafait dhe Qëndros nuk u derdh thjesht mbi tokë, por u bë rrënjë, dritë dhe flamur për brezat e rinj. Ata ishin dhe mbetën të shenjtë në kujtesën e brezave, në memorialin e Allataut. Në çdo agim që lind mbi Beun dhe Vajzën, në çdo valë të flamurit, jeton amaneti i tyre si një thirrje e heshtur për kujtesë dhe nderim, në çdo 5 Maj dhe në të gjitha ditët e vitit. Ne përkulemi para sakrificës së tyre, para atyre që shkruajtën përjetësinë në flamurin e kombit shqiptar. Në këtë botë, disa jetë nuk mbarojnë me vdekjen, sepse ato fillojnë aty, në lirinë që u falën brezave, në dritën dhe jetën e lirë që na dhanë Mustafa Bellaj dhe Qëndro Bellaj, dy bij të denjë të një oxhaku të madh të atdhetarisë shqiptare. Bashkë me Mustafa dhe Qëndro Bellaj, ne kujtojmë sot edhe bijtë e bijat e Vajzës heroike, si 39 meteorë lirie që mbajnë titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”: Këze Shahin Sulçaj, Pesare Xhezo Kërroçaj, Ferik Zagoll Bilbilaj, Dalan Mehmet Kamberaj, Beqir Hasko Osmënaj, Abdyl Hasko Osmënaj, Shaho Barjam Selimaj, Delo Mystehak Sulçaj, Sadedin Sherif Hazizaj, Azbi Nurçe Hitaj, Hito Zenel Hitaj, Resul Beqo Resuli; Perlat Rexhepi (1919-1942) hero dhe dëshmor; Axhem Veselaj (1905-1944); Faik Shakaj (1926 – 1944); Fehtah Resulaj ( 1915- 1946); Gani Resulaj (1924 -1944); Hasan Zenelaj (1913 –1944); Haxhi Deraj (1921 – 1944); Hetulla Kapaj (1919-1943); Isa Veselaj (1922-1943); Jonus Karemani (1915- 1943); Lelo Habilaj (1928 – 1943); Maliq Habilaj (1924 – 1944); Mete Sulçaj ( 1927-1944); Mustafa Bellaj (1916-1942); Qëndro Bellaj (1925 –1944); Refat Kasaj (1909-1943); Sadik Brahimaj (1895-1943); Sheremet Caushaj (1924 –1944); Teki Goxhaj (1910 -1943); Rexhep (Xhepo) Shakaj (1918-1943); Zihni Rexhepi (1915 –1943); Fehti Boraj (1905 – 1944); Begë Hitaj (1885-1920); Shako Nazaj (1892-1920); Feçor Lulo (1892- 1920); Mezan Beqari (1892-1920); Muhamet Maska (1892-1920). Në Ditën e Dëshmorëve të Atdheut, përkulemi me respekt të thellë përpara sakrificës sublime të atyre që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë. Emrat dhe gjaku i tyre janë gdhendur në historinë tonë si themeli mbi të cilin ndërtojmë çdo ditë të ardhmen, prandaj edhe nderojmë me mirënjohje të përjetshme bijtë dhe bijat që vendosën Atdheun mbi gjithçka. Dëshmorët e Atdheut nuk janë thjesht numra pasi vlera e tyre është e pazëvendësueshme dhe nderimi për ta nuk mbetet vetëm në pllaka, lapidarë e memorialë, por jeton në zemrën e kombit shqiptar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mustafa Azem Bellaj, përjetësisht në altarin e lirisë së Atdheut dhe në kujtesën e brezave
Mustafa Bellaj lindi në fshatin Vajzë të Vlorës në vitin 1916, në një familje me tradita të shquara patriotike. Që në moshë të re, sikurse kanë treguar ndër breza të afërmit e tij, por edhe siç kanë shkruar ish-bashkëluftëtarët dhe në historikun e fshatit, Mustafai u mor me punë pranë familjes, herë duke ruajtur bagëtinë, herë në bujqësi, e për një kohë të gjatë si mullixhi pranë familjes së Bellajve. Pushtimi i vendit nga italianët ishte ngjarja që e nxiti Mustafain të bëhej pjesë e formacioneve antifashiste. Kështu, fillimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e gjeti pranë familjes, në punën ku ishte edhe më parë, në mulli. Ai, së bashku me familjen, u lidh me luftën dhe që në ato ditë dëshironte të dilte në mal për të luftuar armikun. Ishin ditët e para të vitit 1942 dhe ai, si gjithë fshatarët e tjerë, mori pjesë në mbledhjet ilegale me të dërguarit e qarkorit të Partisë; punonte si një djalë i pjekur për bashkimin e popullit rreth Frontit Nacionalçlirimtar dhe më pas, me armë në dorë, luftoi kundër pushtuesve fashistë.
Mustafai shpejt siguroi një pushkë të gjatë italiane, me të cilën do të luftonte okupatorin. Mulliri i Bellajve, si dhe ai i Rexhep Sulejmanit, u bënë baza të fshehta të ilegalëve dhe të lëvizjes partizane, ku u zhvilluan disa mbledhje me fshatarët e asaj zone. Në këto kushte, ai u detyrua të qëndronte edhe disa muaj të tjerë, për të pritur e përcjellë ilegalët që vinin vazhdimisht aty. Me formimin e çetës “Plakë” të Vlorës më 4 dhjetor 1942, Mustafa Bellaj, së bashku me katër shokë të tjerë nga Vajza, u pranua si partizan në çetën e parë të krahinës. Që në ditën e formimit të çetës në Gjorm, atë e caktuan flamurtar të saj. Hysni Kapo i dorëzoi Mustafait flamurin luftarak, duke e uruar dhe përgëzuar që ta mbante me nder e t’i printe në ballë Çetës “Plakë”. Atë ditë inaugurimi, çeta kreu aksionin e saj të parë te Ura e Gjormit, ku shpartalloi një kolonë me milicë.
Në këtë aksion, Mustafai, si flamurtar, luftoi në ballë të shokëve. Ishte luftimi i parë i tij, e megjithatë ai tregoi se ishte një djalë trim dhe e meritonte të ishte flamurtar i çetës. Në dhjetor të atij viti, pas aksionit te Ura e Gjormit, çeta “Plakë” ndërmori një veprim tjetër më të guximshëm: sulmin mbi garnizonin fashist te depot dhe kazermat e Radhimës. Në këtë sulm, flamurtari i çetës e kreu detyrën e tij me përkushtim, duke sulmuar i pari dhe duke mbajtur flamurin në dorë. U hodh përpara duke thirrur: “Përpara, partizanë!”, por, pasi kaloi gardhin me tela me gjemba dhe u fut në kazermat italiane, u godit nga plumbat e mitralozëve fashistë, duke mbetur i vrarë në strofkën e armikut.
Mustafai, gjatë përpjekjeve me armikun deri në ditën që ra, luftoi me guxim dhe trimëri. Ai ishte një partizan i vendosur, i sakrificës, dhe ushqente një dashuri të zjarrtë për Atdheun. Që në fillim u lidh me formacionet luftarake, pa marrë parasysh asgjë, dhe ishte i gatshëm të jepte edhe jetën, siç e dha, për çështjen e madhe të lirisë së Shqipërisë. Shokët e tij të luftës u dëshpëruan për flamurtarin trim, por edhe krenoheshin për aktin e tij heroik, për guximin e rrallë dhe trimërinë e shquar. Ai mbeti një shembull i madh frymëzimi për çetën “Plakë” dhe për gjithë luftëtarët që e njihnin në fshatin e tij dhe në krahinë.
Komanda fashiste, të nesërmen e aksionit, e mori trupin pa jetë të partizanit flamurtar Mustafa Bellaj dhe e ekspozoi në qytetin e Vlorës. Me këtë veprim kërkonte të tmerronte vlonjatët, por mori një përgjigje që nuk e priste: askush nga ata që u thirrën për ta njohur nuk tregoi se kush ishte ky luftëtar i vrarë. Nuk kaluan më shumë se dy javë dhe çeta e Mustafa Bellajt u dha fashistëve italianë goditjen e merituar në mal të Tragjasit dhe më pas në Gjorm. Goditjet masive i dha grushti dërmues popullor në të gjithë hapësirën shqiptare. Mustafa Bellaj është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 97, datë 22.9.1972, pasi ra në një moshë shumë të re, vetëm 26 vjeç. Flamurtari i Çetës “Plakë”, Mustafa Bellaj, mbeti përjetësisht në altarin e lirisë së Atdheut dhe, natyrshëm, në kujtesën e brezave të fshatit Vajzë, të krahinës, të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Qëndro Sadush Bellaj, emërndritur për idealet e larta kombëtare
Qëndro Bellaj lindi në fshatin Vajzë të Vlorës në vitin 1925, në një familje me tradita patriotike e atdhetare, ndërkohë që paraardhësit e tij ishin shquar në luftërat për liri të trevës së Labërisë. Pasi kreu shkollën fillore në fshat, u regjistrua në Shkollën Tregtare të Vlorës, ku vazhdoi mësimet deri në prill të vitit 1939. Me pushtimin fashist, Qëndroi e braktisi shkollën dhe u kthye pranë familjes së tij në Vajzë.
Pushtimi fashist e gjeti Qëndron, si gjithë popullin vajziot, në një dëshpërim dhe revoltë të madhe, sepse e ndjente shtypjen e rëndë që i vinte popullit dhe Atdheut nga Italia fashiste. I edukuar dhe i brumosur në familjen atdhetare të Bellajve, ai ndjeu një gëzim të ligjshëm në ditët kur u përhap lajmi i formimit të njësitit gueril të fshatit Vajzë dhe, më tej, i formimit të Këshillit Nacionalçlirimtar, që përforcoi formacionet e njësive guerile dhe të çetës territoriale, siç kujtonin bashkëkohësit e tij. Si djalë i shkolluar, ai e kuptonte mirë se e ardhmja e Shqipërisë ishte në duart e bijve të popullit dhe ishte krejtësisht i bindur se nderi nuk blihet dhe fjala e dhënë për Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk thyhet kurrë. Në Vajzë, si në gjithë Labërinë, besa lidhet me jetë e me gjak; këtu burri matet me zemër dhe jo me fjalë, sepse fjala është besë dhe shpresë për Shqipërinë në kohë pushtimi. Këtë e kishte kuptuar mirë i riu Qëndro Bellaj. Fakt është se të gjithë Bellajt u lidhën shpejt me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe shtëpia e tyre u bë një bazë e sigurt e luftës çlirimtare. Në shërbim të luftës, oxhaku i Bellajve vuri gjithçka: njerëzit, ekonominë, shtëpinë, atë pak pasuri e katandi që kishin, gjithçka për Frontin Antifashist. Kjo shtëpi u bë kështu një bazë e sigurt dhe garante e Luftës Çlirimtare në Vajzë dhe e njohur në krahinë.
Në gusht të vitit 1942, Qëndrua u bë anëtar i Rinisë Komuniste shqiptare, duke u dalluar për aktivitet të gjerë në radhët e saj. Ai u inkuadrua edhe në çetën territoriale të fshatit të tij, në fillim të vitit 1943, duke u treguar një luftëtar trim e i vendosur, njeri i sakrificës dhe i aksionit. Si partizan i çetës, mori pjesë në të gjitha luftimet, si në Gjorm, Vajzë, Selenicë, Mavrovë, Drashovicë e në përplasje të tjera. Me formimin e Brigadës së V-të Sulmuese, ai u rreshtua në Batalionin e II-të si partizan i saj. Gjatë operacionit armik të dimrit, në janar 1944, mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Qafën e Dushkut, Velçë, Amonicë dhe në Vajzë. Në ditët e fundit të janarit, luftimet zhvilloheshin në një front të gjerë nga Gjormi, Velça deri në Qafën e Ploçës.

Qëndroi luftonte në fshatin Vajzë, ku, në një përballje shumë të ashpër me forcat gjermano-nacionaliste, u vra trimërisht me armë në dorë, së bashku me disa partizanë të tjerë të Brigadës së V-të Sulmuese, në vendlindjen e tij. Idealin e tij për lirinë e vijuan shokët e tij të llogoreve, partizanët e batalionit të dytë, brigadë që i dha Atdheut nder e lavdi. Më 20 janar 1944, në fushën e Bramyshnjës së Tërbaçit, nisi rrugëtimin e saj luftarak edhe Brigada e Pestë, ku militonte denjësisht edhe 19-vjeçari vajziot Qëndro Sadush Bellaj. Brigada u rrit dhe u plotësua me pesë batalione, duke arritur deri në mijëra luftëtarë. Edhe pse lufta kërkonte shumë gjak e sakrifica dhe rrugëtimi i saj luftarak përshkoi mbi 2300 km në të gjithë hapësirën shqiptare dhe përtej kufijve të Shqipërisë londineze, ideali i Qëndros, i cili derdhi gjakun në vendlindje, u vijua nga qindra luftëtarë të tjerë që mbushën radhët partizane. Pas luftës, Kuvendi Popullor e nderoi Brigadën e Pestë Sulmuese me titullin e lartë “Hero i Popullit”. Në ditën e fitores mbi fashizmin dhe çlirimit të Shqipërisë, më 29 nëntor 1944, mungonte fizikisht edhe Qëndro Bellaj, i cili kishte rënë për të mos u harruar kurrë. Ai mbetet një emër i ndritur i fshatit Vajzë, një simbol i idealit të lartë kombëtar. Qëndro Sadush Bellaj është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 97, datë 22.9.1972, të ish Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Vlorës, pasi ra në fushën e nderit në moshën 19-vjeçare. Eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve të Vlorës.

Nderim në përjetësi dëshmorëve Mustafa Azem Bellaj dhe Qëndro Sadush Bellaj, dëshmorëve të tjerë të fshatit Vajzë dhe dëshmorëve të të gjithë kombit shqiptar!
Nderimi në këtë 5 Maj shkon edhe për ata burra që e mbajtën të gjallë historinë dhe shkruan historikun e fshatit Vajzë: Maliq Telo Sadushaj, Xhipe Mersin Kapaj, Gani Mystehak Sulçaj, Riza Çize Brahimaj, Çize Hamit Elezaj, Iljaz Zagoll Bilbilaj, Piro Rexhep Hoxhaj, Fejzi Sherif Sherifaj, Kamo Tare Sheremetaj, Hysen Sadik Brahimaj, Rustem Rrapo Hametaj, Reis Ali Aliaj (Xhezo), Myfit Zaçe Nazaj, Daver Hamit Elezaj, Mynyr Resul Manaj, Bino Zigur Kasaj, Nasip Halit Xhelilaj. Puna dhe përpjekja e tyre meriton falënderim e mirënjohje, si ish-Komisioni i parë i viteve ’70 të shekullit të kaluar, që e jetësoi historinë dhe e hodhi në letër si pasuri dhe amanet për brezat. Edhe sot brigjeve dhe kodrave të Vajzës rrëzë Beunit duket sikur oshëtin kënga: “Ju kish rritur nëna për një botë të re, /lule more trima që ratë për atdhe!”.
Burimet e studimit: Maliq Sadushi, “Fshati ynë i mirë, Histori e fshatit Vajzë”, Shtëpia botuese, “Arbri”, Tiranë, viti 2002, dhe Historiku i fshatit Vajzë” botimi i vitit 1980 dhe publikimi sipas vendimit nr.1/1 datë 1.9.2023 të Kryesisë së SHKA “Vajzë”, Historiku i Brigadës së Pestë Sulmuese, Tiranë, 1989; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Dëshmorët e Atdheut, Tiranë, 2012, publikim zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes në kuadrin e 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, faqe 188 dhe 190; të dhëna nga periodikët e Buletini Arkivor Ushtarak, Revista “Mbrojtja”, Gazeta “Ushtria”, gazeta “Luftëtari”, gazeta “Labëria”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?