Një vit pa Piro Milkanin, regjisorin që iku në udhën pa kthim, por la ndezur dritën e ekranit shqiptar

Regjisori Piro Milkani

Nga Albert Vataj
Një vit më pas, iku Piro Milkani, ai qw ka bërë më të dukshme zbrazëtinë që la pas ai brez artistësh që nuk e jetuan artin si profesion, por si mision. Dhe sot, kur kujtesa shpesh tretet në zhurmën e një kohe të nxituar, emri i Piro Milkanit rikthehet jo vetëm si homazh, por si nevojë për të mos harruar.

Me ikjen e tij u shkëput edhe një tjetër hallkë nga ai zinxhir i artë i kinematografisë shqiptare, nga ajo aradhë njerëzish që jetuan për të ngritur një traditë artistike në kushte të vështira, me sakrificë, me pasion dhe me një besim pothuajse të shenjtë tek fuqia e filmit.
Sot, pas një viti, ndoshta e kuptojmë më mirë se çfarë humbëm.
Sepse bashkë me ikjen e tij, u largua edhe një mënyrë të menduari artin; një përkushtim që nuk matej me famë të menjëhershme apo me zhurmën e suksesit kalimtar, por me seriozitetin e krijimit dhe me përgjegjësinë ndaj publikut, kulturës dhe memories sonë kolektive.
Kinemaja shqiptare e brezit të Piro Milkanit ishte një përpjekje titanike për të ndërtuar identitet. Ishte një laborator ëndrrash, ku artistët punonin mes kufizimesh, censurash dhe pamundësish, por sërish arrinin të krijonin personazhe, dialogë dhe imazhe që mbetën në kujtesën tonë si pjesë e vetë jetës sonë. Ata ndërtuan një univers emocional ku shqiptarët qeshën, qanë, dashuruan dhe panë veten në ekran.

Ndaj sot, kur shumëçka konsumohet dhe harrohet me shpejtësinë e një klikimi, figura e Piro Milkanit ngrihet si një dëshmi e një kohe kur arti kërkonte durim, sakrificë dhe shpirt.
Iku Piro Milkani, por jo vepra e tij.
Sepse filmat e tij vazhdojnë të jetojnë si fragmente të pandashme të kujtesës sonë kulturore. Vazhdon të jetojë humori i hollë i “Zonja nga qyteti”, ngrohtësia njerëzore e “Çifti i lumtur”, drama dhe tensioni i “Ngadhnjim mbi vdekjen”, gjithë ai galeri karakteresh që ai solli në ekran me ndjeshmëri dhe mjeshtëri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në të vërtetë, artistë si ai nuk ikin krejtësisht.
Ata vazhdojnë të jenë të pranishëm në mënyrën si flasim për filmin, si kujtojmë një skenë, si përsërisim një batutë, si ndalojmë përballë një imazhi bardhezi që ende ka fuqinë të na prekë. Ata mbeten në ndërgjegjen tonë kulturore si zëra që nuk heshtin.
Dhe ndërsa brezi i tij po largohet dalëngadalë, siç ishte edhe lamtumira e sotme me Birçe Hasko, ne mbetemi përballë një detyrimi moral, të mos e trajtojmë trashëgiminë e tyre si relike nostalgjie, por si themel kulture, jo duke e mbrojtur nga sulmet ideologjike, sepse vepra e tyre e kuptuar siç ajo mbijetoi, është e plotfuqishme të përballet me forcë dhe dinjitet, për të qenë dhe mbetur.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sepse ata nuk na lanë vetëm filma. Na lanë një mënyrë për të besuar se arti mund të jetë dinjitet, edukim, vetëdije dhe shpirt.
Të tjerë ende jetojnë mes nesh, si dëshmitarë të asaj kohe të madhe të kinematografisë shqiptare. I shohim të ecin ngadalë në përditshmërinë tonë, shpesh të heshtur, si hijet e një epoke që po largohet. Por prania e tyre është ende një testament i gjallë i asaj çfarë mund të bëjë përkushtimi njerëzor kur i jepet artit pa kushte.
Një vit pas ndarjes nga jeta të Piro Milkanit, dhimbja është shndërruar në reflektim.
Sepse tashmë nuk po përcjellim vetëm një njeri, por një epokë të tërë krijimi, një brez që e mbajti gjallë ëndrrën e kinemasë shqiptare dhe e ngjiti atë në ekranin e madh të kujtesës kombëtare.

Piro Milkani lindi më 5 janar 1939, në Drenovë të Korçës, dhe u bë një nga pionierët më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare. Ai realizoi filma që sot janë pjesë e identitetit tonë kulturor dhe që vazhdojnë të komunikojnë me publikun përtej kohës.
Ndër veprat që mbeten gurë themeli të krijimtarisë së tij janë: “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Ballë për ballë”, “Shëmbja e idhujve”, “Besa e kuqe”, “Një shoqe nga fshati”, “Në kufi të dy legjendave”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Ngjyrat e moshës”.

Ky rrugëtim krijues nuk është vetëm një filmografi.
Është historia e një njeriu që i dha kinemasë shqiptare gjithçka kishte, jo vetëm talentin, energjinë, kohën, besimin dhe jetën e tij si regjisor, por edhe atë si njeri, mirësia e të cilit ishte aq e njerëzishme dhe e siqnertë sa mund ta lexoje qartësisht të shprehur në fytyrën dhe buzëqeshjen e tij.
Në heshtjen që mbetet pas një viti mungese, zëri i Piro Milkanit vazhdon të dëgjohet.
Si një regji e fundit që nuk mbaron me titrat.
Si një dritë projektori që vazhdon të ndriçojë në errësirë.
Dhe ndoshta kjo është fitorja më e madhe e artistit ndaj kohës, të mos jetojë vetëm në kujtim, por të vazhdojë të flasë përmes veprës.
Përjetësia dhe kujtesa qofshi dritë që diellon në atë që ishe dhe atë që bëre dhe që na mbeti si një testament, mjeshtër!
Një vit pa ty e ka bërë të tashmen tonë më të varfër.
Por falë teje, kujtesa jonë kulturore mbetet më e pasur, më e ndritur dhe më njerëzore.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?