Pse Edi Rama duhet ta çojë deri në fund mandatin e fituar me 83 mandate dhe ç’ndodh kur Rama ikën?

Shqipëria po kalon një periudhë me tension politik. Protestat vazhdojnë prej javësh, opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa një pjesë e shoqërisë shpreh pakënaqësi për korrupsionin, koston e jetesës, emigracionin dhe mënyrën e qeverisjes. Këto janë realitete që nuk mund të mohohen.

Por një pyetje mbetet thelbësore: A duhet të largohet një kryeministër nga protesta, apo nga vota?

Në një shtet demokratik përgjigjja duhet të jetë vetëm një: pushtetin e jep dhe e merr qytetari me votë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Legjitimiteti nuk rrëzohet nga protesta

Swiss Digital Mobile Reklama

Edi Rama fitoi zgjedhjet parlamentare dhe siguroi 83 mandate në Kuvend. Gjatë procesit zgjedhor pati akuza të forta nga opozita për blerje votash, përdorim të administratës dhe avantazhe të pushtetit. Këto akuza janë pjesë e debatit politik dhe duhet të hetohen nga institucionet përkatëse.

Por, deri më sot, zgjedhjet janë njohur nga institucionet ndërkombëtare dhe partnerët strategjikë të Shqipërisë. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kryesorë vazhdojnë të bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare si qeveri legjitime. Kryeministri shqiptar merr pjesë në samitet e NATO-s, në takimet e Këshillit Evropian, pritet nga presidenti francez Emmanuel Macron, nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe nga drejtues të tjerë evropianë si kryeministër i zgjedhur i Shqipërisë.

Kjo nuk do të thotë se qeveria nuk duhet kritikuar. Do të thotë vetëm se, në planin kushtetues dhe ndërkombëtar, mandati i saj është legjitim deri në përfundimin e tij ose deri në një mekanizëm kushtetues që e ndërpret atë.

Në demokraci, qeveritë nuk zëvendësohen nga rruga, por nga kutia e votimit ose nga procedurat kushtetuese.

Protesta nuk është armik i demokracisë

Gabojnë ata që e shohin protestën si një kërcënim për shtetin. Përkundrazi.

Protesta e këtyre javëve ka bërë një shërbim të rëndësishëm për demokracinë shqiptare. Ajo ka zgjuar debatin publik, ka rikthyer qytetarin në hapësirën publike dhe i ka kujtuar qeverisë se pushteti nuk është pronë, por përgjegjësi.

Një qeveri e zgjedhur nuk duhet të trembet nga protesta. Ajo duhet ta dëgjojë atë.

Historia e demokracive perëndimore tregon se protestat nuk rrëzojnë domosdoshmërisht qeveritë, por shpesh i detyrojnë ato të korrigjojnë gabimet, të ndryshojnë ministra, të luftojnë korrupsionin dhe të reformojnë administratën.

Në këtë kuptim, protesta nuk është kundërshtare e mandatit të qeverisë. Ajo është mekanizëm presioni për ta bërë atë më të përgjegjshme.

Premtimi për Bashkimin Evropian është një kontratë me shqiptarët

Ndoshta argumenti më i fortë për vazhdimin e mandatit lidhet me objektivin strategjik të Shqipërisë.

Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë kërkuar votën duke premtuar se Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian gjatë këtij mandati. Ky nuk është një premtim i zakonshëm elektoral. Është një objektiv kombëtar.

Nëse qeveria e ka marrë këtë angazhim para qytetarëve, ajo ka edhe detyrimin moral e politik të përpiqet ta realizojë deri në fund.

Nëse Edi Rama arrin ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, ai do të hyjë në historinë politike të vendit si kryeministri që realizoi aspiratën më të madhe të shqiptarëve pas anëtarësimit në NATO.

Nëse dështon, atëherë përgjegjësia politike do të jetë po aq e madhe. Qytetarët do ta gjykojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Zgjedhjet vendore do të jenë testi i madh politik

Përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2029, Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet vendore.

Ato do të jenë testi më serioz i mbështetjes reale që gëzon qeveria.

Veçanërisht Tirana do të ketë një peshë politike shumë më të madhe se çdo bashki tjetër. Kryeqyteti është qendra politike, ekonomike dhe mediatike e vendit.

Nëse Partia Socialiste humbet Tiranën, mesazhi politik do të jetë i qartë: mbështetja ndaj qeverisë është dobësuar ndjeshëm. Në një situatë të tillë, presioni politik nga opozita dhe nga protestat mund të rritet në mënyrë të konsiderueshme.

Do të ishte e arsyeshme që në një skenar të tillë të vlerësoheshin të gjitha opsionet kushtetuese, përfshirë edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse krijohet një bllokim i thellë politik. Megjithatë, një zhvillim i tillë do të varej nga rrethanat konkrete dhe nga mekanizmat që parashikon Kushtetuta.

Qeveria ka nevojë për një rifillim

Nëse Edi Rama synon ta përfundojë me sukses mandatin, nuk mjafton të mbështetet te rezultati zgjedhor.

Duhet një rifreskim i fortë politik.

Ndryshimet në kabinet qeveritar nuk duhet të jenë kozmetike. Shqipëria ka nevojë për ministra me autoritet, integritet dhe rezultate konkrete.

Po aq i rëndësishëm është edhe dialogu politik.

Pas më shumë se tre dekadash tranzicion, vendi ka nevojë për një Kod të ri Zgjedhor që garanton konkurrencë më të ndershme, përfaqësim më të mirë dhe besim më të madh te procesi zgjedhor.

Një marrëveshje mes mazhorancës, opozitës dhe aktorëve të tjerë shoqërorë për reformën zgjedhore do të ishte një nga trashëgimitë më të rëndësishme politike të këtij mandati.

Përvoja ndërkombëtare është një avantazh

Pas 13 vitesh në krye të qeverisë, Edi Rama ka krijuar marrëdhënie të konsoliduara me shumë liderë evropianë.

Në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kjo ka rëndësi.

Anëtarësimi nuk është vetëm proces teknik. Ai kërkon edhe mbështetje politike nga shtetet anëtare, të cilat duhet të ratifikojnë traktatin sipas procedurave të tyre kushtetuese.

Njohjet personale, besimi i ndërsjellë dhe komunikimi i drejtpërdrejtë mes liderëve nuk zëvendësojnë reformat, por mund të ndihmojnë në ndërtimin e konsensusit politik në favor të Shqipërisë.

Demokracia nuk është as pushtet pa kufi dhe as protestë pa fund.

Qeveria ka detyrimin të dëgjojë qytetarët, të korrigjojë gabimet, të luftojë korrupsionin dhe të mbajë premtimet.

Opozita ka detyrimin të kontrollojë pushtetin dhe të ofrojë alternativë.

Protesta ka të drejtën të kërkojë ndryshim.

Por ndryshimi i qeverisë, në një shtet demokratik, duhet të vijë përmes mekanizmave kushtetues dhe vullnetit të shumicës së qytetarëve.

Edi Rama fitoi mandatin me votë. Për aq kohë sa ai gëzon legjitimitetin kushtetues, detyra e tij është ta çojë deri në fund këtë mandat duke realizuar objektivat që u premtoi shqiptarëve, mbi të gjitha anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Në fund të këtij rrugëtimi, gjykatësi i vetëm mbetet qytetari shqiptar.

Koha deri në vitin 2029 është edhe koha e opozitës

Një tjetër argument pse mandati duhet të vazhdojë deri në fund është vetë funksionimi normal i demokracisë. Demokracia nuk ka nevojë vetëm për një qeveri legjitime, por edhe për një opozitë të fortë dhe një alternativë bindëse për qytetarët.

Deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029 ka kohë të mjaftueshme që Partia Demokratike të kryejë një proces të thellë rinovimi politik, organizativ dhe programor. Nëse synon të rikthehet në pushtet, PD duhet të bindë qytetarët se përfaqëson një alternativë më të mirë qeverisëse, jo vetëm të mbështetet te pakënaqësia ndaj mazhorancës. Historia e demokracive tregon se qeveritë nuk zëvendësohen vetëm sepse konsumohen, por sepse përballë tyre lind një alternativë më e besueshme.

Po aq interesante është edhe dinamika e protestës qytetare. Nëse ajo synon të ketë ndikim afatgjatë në politikën shqiptare, rruga më logjike është institucionalizimi i saj. Një lëvizje qytetare mund të zgjedhë të shndërrohet në subjekt politik, të krijojë struktura në të gjithë vendin, të hartojë një program qeverisës dhe të konkurrojë në zgjedhje. Kjo do ta zhvendoste përballjen nga rruga te kutia e votimit, duke u dhënë qytetarëve një alternativë të re për ta gjykuar me votë.

Në këtë kuptim, vitet deri në 2029 nuk janë vetëm vitet e qeverisjes së Edi Ramës. Ato janë edhe vitet në të cilat opozita tradicionale mund të rindërtohet dhe çdo lëvizje e re qytetare mund të provojë nëse ka aftësinë të kthehet në një forcë politike kombëtare. Në fund, demokracia forcohet kur qytetarët kanë më shumë se një zgjedhje reale dhe kur pushteti fitohet përmes konkurrencës së ideve, programeve dhe besimit të votuesve.

Realisht shpresoj e duhet që Opozita në vitin 2029 t’i jap fund mbreterimit të PS.

Periudha pas vitit 2029 në PS

Ajo që ndodhi në PD, pas ikjes së Berishës në vitin 2013, ka mundësi të ndodhë edhe në PS. Ikja e PS nga pushteti në vitin 2029 do të sjellë, me logjikë, edhe largimin e Ramës nga kryetar në PS. Ai ka thënë se ikën edhe nga politika!

Por PD dhe PS nuk kanë lejuar kurrë fraksione, ose siç thuhet “zëvëndësin e kryetarit”. Në PD dora e hekurt e Berishës ka fshirë emra, histori, personalitete, ka krijuar dajak e rrahje në Selinë Blu. Në PS, paksa me ndryshe. Fatos Nano iku kur e pa se nuk e mposhte Edi Ramën, edhe kur mundua nga kazinoja e Selanikut ta shkatërronte PS në shtator 2005. Edi Rama ia mori me votë dhe paksa me Gramoz Ruçin. Por ama me votë, gjithsesi!

Në PS duhej dyshi, pas Ramës, ndërkohë Sajmir Tahiri që shikohej si zëvëndësi i tij u palos nga Erion Veliaj. Edhe ky i fundit u katapultua në burg qëkur filloi takimet dhe korrierët te Presidenti Meta që të rrëzonte Ramën në vitin 2021.

Por në PS beteja, pas epokës Rama, do të jetë epike. Erion Braçe, si socialisti më i vjetër në PS nuk do të heshtë, sikurse nuk rri urtë edhe për Bashkinë e Tiranës, të cilën e ka endërr ta rregullojë e ndertojë pa hijen e oligarkëve. Pandeli Majko, do të “ringjallet” dhe do turret drejt fronit; Fatmir Xhafaj do jetë vizionar i kujdesshëm. Blendi Klosi do të shikojë se nga anon peshorja dhe ta dorëzojë pa zhurmë.

Damian Gjiknuri do ikë fare nga PS duke folur me vete “se ç’na bane mor Edi që ike!”. Belinda Balluku do jetë besnike e Edi Ramës, nëse nuk “plagoset” nga SPAK, qeneria e të rinjve do të turret ta dënojë Edi Ramën siç ka ndodhur me ata që bëhen politikanë pa meritë. Besnik Beci do të thotë se “unë përherë kam qenë demokrat” dhe do shikojë nga Saliu. Niko Peleshi do të ulet në lozhë dhe nuk do të flasë. Pjerin Ndreu, kryebashkiaku i Lezhës, do ngrihet para delegatëve duke bërtitur “ju kalamajë e dini që kjo parti është e Edi Ramës, ndaj ikni e pirdh….”. Blendi Gonxhe do vendosë duart në kokë duke u lutur: Kthehu Edi! Toni Gogu do të kthehet në kishë. Sara Mile do të synojë postin e Blendi Klosit. Elisa Spiropali do të marrë flamurin antiRama. Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro do mbyllin gojën. Ulsi Manja do jetë denoncuesi kryesor kundër Edi Ramës. Taulant Balla do mbajë fjalim historik “mbi shkeljet 16 vjeçare të Edi Ramës”. Paulin Stërkaj do ngrihet mu në mes të Kongresit e do të thotë se “ju jeni pushta, pse nuk ia thatë Edi Ramës atëhere?!”. Xhemal Qefalia do të flasë shkurt “jeta vazhdon, a ka ndonjë tender të ri”. Televizionet kryesore nuk do të japin gjë për mirë, por do ta sulmojnë Ramën si “diktator i fjalës së lirë” dhe do turren te kryeministri tjetër për leje për kulla, resorte turistike, tendera… Oligarkët do ti mbyllin celularin.

/Spiten Prulli/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?