Eduard Zaloshnja: Firoja e dy subjekteve kryesore elektorale dhe boshllëku përballë tyre
Nga ekstrapolimi i përafërt i rezultateve të sondazhit që zhvillova në fundjavë, doli se rreth 670 mijë banorë të rritur të vendit ishin gati të votonin për PS-në, nga rreth 765 mijë që e votuan atë brenda vendit më 11 maj 2025. Pra 1 ndër 8 votues socialistë të këtushëm nuk do të votonin sot për PS-në.
Nga ana tjetër, vetëm 295 mijë banorë të rritur të vendit ishin gati të votonin për ‘Aleancën për Shqipërinë Madhështore’ të PD-së, nga rreth 500 mijë që e votuan atë brenda vendit më 11 maj 2025. Pra 2 ndër 5 votues “madhështorë” të këtushëm nuk do të votonin sot për PD-ASHM.
Dhe këto kuota nuk janë më të ultat për dy subjektet kryesore elektorale në sondazhet javore që kam zhvilluar për ‘Zërin e Shqiptarëve’.
Kështu, PS-ja e shënoi kuotën e saj më të ulët në dhjetor, kur vetëm 642 mijë banorë të rritur të vendit ishin gati të votonin për të. Kurse PD-ASHM e shënoi kuotën më të ulët të saj më 11 maj të këtij viti, kur vetëm 290 mijë banorë të rritur të vendit ishin gati të votonin për të.
Po çfarë do të bënin sot ata që s’do të votonin për asnjë nga dy subjektet kryesore elektorale? Rreth 35 mijë do të votonin për partitë e tjera ekzistuese, kurse rreth 900 mijë nuk do të votonin fare.
Dhe ky boshllëk i madh elektoral përballë dy subjekteve kryesore do të mbetet i pambushur, për sa kohë që në protestat rutinore bulevardore do të vazhdojë amalgama e përnatshme e fjalimeve të të gjitha llojeve, përveç atyre programore politike…
KOHA JONË SONDAZH


