Gonxhja: Kullat e veriut drejt restaurimit dhe rijetëzimit, investimet konkrete pritet të nisin brenda vitit 2027
Ministri Blendi Gonxhja: Programi Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave po kalon nga evidentimi dhe projektimi drejt ndërhyrjeve konkrete. 64 kullat me status monument kulture në fokusin e parë të investimeve
Kullat e veriut nuk janë thjesht ndërtesa të vjetra që kanë mbijetuar përballë kohës. Ato janë gurë të gjallë të kujtesës shqiptare, dëshmi të një mënyre jetese, të një arkitekture të lidhur ngushtë me territorin dhe të një trashëgimie që, nëse lihet në mëshirë të harresës, rrezikon të humbasë bashkë me muret edhe historinë që mbajnë brenda.
Pikërisht për këtë arsye, Programi Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave po hyn në një fazë të re, me synimin që brenda vitit 2027 të kapërcehet faza e evidentimit dhe projektimit dhe të nisin investimet konkrete për restaurimin dhe rijetëzimin e tyre.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se programi po finalizohet në bashkëpunim me GIS dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), ndërsa puna po zhvillohet në disa drejtime paralelisht.
“Po finalizojmë programin kombëtar për rijetëzimin e kullave të veriut së bashku me GIS dhe ASHK-në, me objektivin që brenda vitit 2027 të kalojmë nga faza e evidentimit dhe projektimit në investime konkrete për restaurim dhe rijetëzim”, u shpreh Gonxhja.
Prona, hapi i parë drejt ndërhyrjes
Një prej hallkave më të rëndësishme të këtij procesi mbetet formalizimi i pronësisë, pa të cilin ndërhyrja institucionale dhe financimi i objekteve do të përballeshin me pengesa juridike dhe administrative.
Sipas ministrit Gonxhja, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës janë trajtuar deri tani 697 raste në qarqet Dibër, Shkodër, Lezhë dhe Kukës. Synimi është që kullat që do të përfshihen në program të kenë bazën e nevojshme juridike për t’u trajtuar dhe financuar.
“Nga rastet e trajtuara, 180 kanë përfunduar me vendim ose janë pajisur me certifikatë pronësie, ndërsa 50 raste janë certifikuar më parë. Po ashtu, 73 raste janë në pritje të plotësimit të dokumentacionit, 175 raste rezultojnë ende pa aplikim, ndërsa 6 raste janë në proces afishimi”, theksoi Gonxhja.
Këto shifra dëshmojnë se restaurimi nuk nis vetëm nga gurët, çatitë apo muret e një kulle. Ai nis edhe nga dokumenti, nga qartësia e pronësisë dhe nga krijimi i një baze ligjore që e bën të mundur investimin dhe mbrojtjen afatgjatë të trashëgimisë.
28 projekte konceptuale restaurimi
Paralelisht me procesin administrativ, ka nisur edhe përgatitja teknike e ndërhyrjeve. Në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës të UPT-së janë hartuar 28 projekte konceptuale restaurimi, të cilat synojnë të shërbejnë si modele për ndërhyrje konkrete.
“Në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës të UPT-së janë hartuar 28 projekte konceptuale restaurimi, të cilat do të shërbejnë si modele për ndërhyrje konkrete”, tha Gonxhja.
Kjo qasje synon që restaurimi të mos jetë thjesht një ndërhyrje fizike mbi një objekt të dëmtuar, por një proces i menduar në raport me vlerat arkitekturore, historike dhe funksionale të kullave. Sepse ruajtja e trashëgimisë nuk nënkupton vetëm të mbash në këmbë muret; do të thotë t’i japësh asaj mundësinë të vazhdojë të jetojë.
64 kullat në fokusin e parë
Hapi i radhës, sipas ministrit, është përcaktimi i listës së objekteve prioritare. Në fokus do të jenë fillimisht 64 kullat me status monument kulture, kullat që ndodhen në rrezik dhe ato për të cilat procesi i pronësisë ka përfunduar ose është pranë përfundimit.
“Për këto objekte pritet të parashikohet mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore, me fokus restaurimin e plotë dhe rijetëzimin e tyre”, tha Gonxhja.
Nëse ky proces do të materializohet sipas objektivave të përcaktuara, ai mund të përfaqësojë një prej ndërhyrjeve më të rëndësishme për ruajtjen dhe aktivizimin e trashëgimisë së arkitekturës tradicionale të veriut.
Nga monumente të heshtura në hapësira të gjalla
Ambicia e programit nuk ndalet te restaurimi. Synimi është që kullat të rikthehen në jetën ekonomike, kulturore dhe turistike të zonave ku ndodhen.
“Synimi është që, krahas restaurimit, kullave t’u japim një funksion konkret si bujtina, agroturizme, muze apo qendra mikpritjeje, pra edhe për vizitorë e turistë, në mënyrë që investimi të gjenerojë një aktivitet sa më të gjerë ekonomik për zonat”, tha Gonxhja.
Kjo qasje i jep projektit një dimension përtej ruajtjes së trashëgimisë. Një kullë e restauruar, por e mbyllur dhe e shkëputur nga jeta e komunitetit, mbetet vetëm një monument. Ndërsa një kullë që rikthehet në funksion, që pret vizitorë, ruan kujtesën, promovon traditën dhe krijon të ardhura për banorët, mund të shndërrohet në një pikë të re të zhvillimit lokal.
Kështu, trashëgimia kulturore dhe ekonomia lokale nuk shihen si dy rrugë të ndara, por si dy shtylla që mund të mbështesin njëra-tjetrën. Kulla mund të jetë njëkohësisht muze i kujtesës, bujtinë e mikpritjes, hapësirë e kulturës dhe pikënisje për një ekonomi të re turistike.
Në këtë kuptim, Programi Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave synon të bëjë diçka më të madhe se restaurimi i disa objekteve historike. Ai synon të rikthejë në jetë një pjesë të identitetit arkitekturor e kulturor të veriut dhe ta vendosë atë në një marrëdhënie të re me të tashmen.
Sepse një kullë nuk është vetëm ajo që shohim në gurë. Ajo është ajo që ka mbetur nga njerëzit që jetuan aty, nga historitë që u treguan pranë oxhakut, nga netët e gjata, nga mikpritja, nga frika, nga krenaria dhe nga një mënyrë jetese që koha po e largon gjithnjë e më shumë.
Nëse restaurimi i rikthen kullat nga rrënoja në qëndrueshmëri, rijetëzimi duhet t’i rikthejë nga heshtja në jetë. Dhe ndoshta ky është kuptimi më i thellë i këtij programi: të mos lejojmë që historia të mbetet vetëm pas nesh, por ta bëjmë atë pjesë të së ardhmes.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

